Nën tingujt e muzikës së Armend Rexhepagiqit
Nga Ilir Muharremi (Kritik i artit)
Zëri i tij as tash nuk tingëllon ndryshe. Është shumë i qartë, i vendosur aspak dërdëllitës, është thikë e mprehtë therëse për shpirtin dhe ndjenjat. Në errësirë vezullon gota ime e mbushur me uiski dhe teksa përtej saj vërej një vështrim në ekranin televiziv të artistit të rikthyer Armend Rexhepagiqit i cili më godet me një vështrim të vendosur e të qetë. Muzika e tij futet në shpirt si një parajsë dhe kujtesë, të rrëqeth, dhe krijon vendosmërinë e çeliktë që dërdëlliset e menjëherë nxjerr kërkesën ashtu si marroqe siç nxirret thika nga këllëfi.
Melodia, zëri dhe teksti të pushtojnë me një vendosmëri të paepur dhe që nga çasti i parë unë e ndjeva një mendim kthimi në fëmijëri. Që në fillim të bën të heshtësh dhe heshtja këtu është një kryeneçësi e bukur dhe e ndjejë që kjo muzikë qysh tash m’a kishte ngulur simfoninë, ritmin, akordin. Të shikon drejt e në sy, deshte apo nuk deshte , detyrohesh të lëvizësh nën ritmin e saj.Unë mundohesha që t’i mos bëja udhë aq kollaj. Fillova ta shmang vështrimin nga performanca dhe këndimi, por e kot, në mënyrë të pavetëdijshme, nisa të imitoj vokalin dhe ritmin muzikal. Prapë mundohesha të shtiresha sikur nuk marr vesh asgjë, dhe kisha dëshirë që ta detyroja muzikën të shprehej më qartë dhe nuk doja t’i ofroja unë këtë shërbim, por prisja që muzika të lutej e para, dhe asgjë mua nuk mund të më nënshtronte aq fortë sa kjo muzikë me vlerë, dhe kështu nisja t’i bie larg e larg mendimit e kujtesës duke e renditur performancën e Armendit si shfaqje jo të zakonshme, dhe të tilla këngë janë shenja të një zhvillimi të mirë kulturor në vendin tonë, sepse mendjet e etura për epsh , servilen ndaj buzëkuqeve, bukurosheve të fryra me silikon që më shumë bëjnë loje striptizere se sa vlerë artistike, ndërsa Armendi mbrëmë preku majat e artit të mirëfilltë muzikor.
Gjatë tingujve të art, mbresëlënës, unë përsëri trokëllita gotën e uiskit në errësirë, dhe zëri i Armendit u bë edhe më dominant përtej timpanit tim, poshtë membranës së trurit aty dikund te kujtesa. Gjaku u ndez, ritmi i zemrës u shpejtua me këngët: “Harrova”, “Shkel”, “Dashurinë ku e kam” , “Edhe një herë”, “Ti nuk më meriton”… Pastaj dy ose tre sekonda rrinin çaste heshtjeje. Prapë ajo shushurimë , thua se derdhej drita e sermtë e hënëzës së plotë që kishte formën e rrotës së kaçkavallit. Tingulli therës i zërit të tij më bëri sikur isha i hipnotizuar nga ai urdhër muzikal, dhe i gjithë vullneti im më shtynte pas atij kompozimi. Gjymtyrët u bën si të mpira, të goditura nga arti i muzikës elektrike, e sakt sepse unë isha i goditur deri në palcë nga kjo rrufe verbuese e atyre tingujve urdhërues. Deri në fund të koncertit vazhdoja të trokollitja gotat e uiskit nën tingujt e muzikës së Armendit.