“Nëse do të ndryshosh botën, fillimisht ndrysho veten tënde”

Sokrati lindi në vitin 469. Ai ishte një autodidakt, u aftësua dhe u ngrit në nivelin e një filozofi të famshëm falë punës së tij.

Sokrati nuk shkroi asnjë vepër, sepse siç thoshte ai, librat janë të vdekur dhe nuk mund t’ju përgjigjen pyetjeve. Për të mjeti kryesor i komunikimit ishin bisedat e gjalla, dialogu me gjithkënd dhe kudo, në rrugë, në shesh, në gosti, etj.. Shumica e atyre, që ne dimë për të, ka qenë ruajtur nga tre bashkëkohësit e tij të shquar, Aristofani, Platoni dhe Ksenofoni.

Nga këto burime del se Sokrati ka qenë një gjeni, i cili përveç një arsyetimi të jashtëzakonshëm dhe rigoroz, zotëronte edhe një ngrohtësi personale dhe një ndjenjë humori. Ai ka pasur një trup të fortë dhe zotëronte një fuqi të madhe fizike. Në komedinë e tij “Retë”, Aristofani e përshkruan Sokratin si një shpezë shtëpiake, që të bën për të qeshur me zakonin e tij të rrotullimit të syve, duke u referuar me çapkënllëk “nxënësve”.

Ndërsa nga Ksenofani na vjen portreti i një ushtari besnik, i cili kishte një pasion për diskutime rreth bazave të moralit dhe, i cili në mënyrë të paevitueshme tërhiqte të rinjtë të kërkonin këshillën e tij.

Platoni e konfirmoi portretin e Ksenofanit dhe shtoi se Sokrati ishte një njeri me një ndjenjë të lartë detyre dhe me një pastërti morale absolute.

Sokrati me personalitetin e tij të veçantë dhe stilin e tij krejtësisht të ri do të përbëjë një stacion shumë të rëndësishëm në historinë e Filozofisë. Mendimi Sokratian është një nga fazat kryesore të filozofisë botërore. Me filozofinë e Sokratit hapet një cikël i ri dhe mbyllet një tjetër. Për këtë arsye filozofia greke ndahet në Presokratiane dhe Postsokratiane. Filozofia Presokratiane përbën një fazë ndërmjetëse që lejon kalimin nga mendimi mitik në atë racional, atë që quajmë filozofi. Me Sokratin kemi një fillim të ri të Filozofisë. Pra kemi të bëjmë me filozofin e parë, me kuptimin e sotëm të fjalës, me kuptimin e kërkuesit.

Megjithëse Sokrati u rrit në një periudhë të artë, në vitet e tij të fundit atij iu desh të shihte mundjen e Athinës në luftë dhe të mbyllte jetën e tij në burg në vitin 399 p.e.s, në moshën shtatëdhjetë e një vjeç.

Pavarësisht se ai nuk themeloi ndonjë shkollë, Sokrati la shenjë jo vetëm në filozofinë greke por edhe në të gjithë Filozofinë Perëndimore, pasi ishte ai që vuri bazën e Etikës dhe Dialektikës.

Disa nga aforizmat e tij më të famshme janë:

– Jam më i dituri ndër të gjallët, se e di një gjë, e di se nuk di asgjë.

– Ka vetëm një të mirë: dituria. Dhe vetëm një të keqe: padituria.

– Ai që dëshiron ta ndryshoje botën, fillimisht duhet të ndryshojë veten e tij.

– Ruaje emrin si thesarin tënd më të shtrenjtë, sepse besueshmëria është si zjarri; po ta kesh ndezur, e ke të lehtë ta ruash, por, po ta shuash, të bie barra e rëndë ta ndezësh prapë.

– Gjithë shpirtrat e njerëzve janë të pavdekshëm, por shpirtrat e të drejtëve janë edhe të pavdekshëm, edhe hyjnorë.

– Martohu, patjetër. Por të ra gruaja e mirë, do të jesh i lumtur; po të ra e keqe, do të bëhesh filozof.

– Të këqijtë jetojnë për të ngrënë dhe për të pirë, ndërsa të mirët hanë dhe pinë për të jetuar.

– Mos i quaj besnikë ata që të lëvdojnë fjalët dhe veprat, por ata që me përzemërsi të qortojnë për gabimet.

– I ndershmi mbetet gjithmonë fëmijë.

 

/Marrë nga Konica.al/

SHKARKO APP