Netët e Letërsisë Austriake në Tiranë

IDMC – Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, në bashkëpunim me Ambasadën Austriake çelën dje siparin e aktiviteteve “Netët e Letërsisë Austriake”, nën siglën “Tirana Lexon”. Ky aktivitet i cili vjen në kuadër të vitit kulturor Austri-Shqipëri, përmbylli me sukses natën e tij të parë,  mes shumë të rinjsh që mbushën plot sallën Gëte të Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Të ftuar prezentë ishin tre autorët e huaj Andrea Grill, Klemens Renoldner dhe Christina Maria Landërl, dhe autori shqiptar Agron Tufa. Drejtoresha e IDMC-së, Dr. Jonila Godole përshëndeti të pranishmit dhe shpjegoi shkurtimisht qëllimin e këtij aktiviteti, duke ngritur shumë pikëpyetje rreth asaj çfarë vlen të diskutohet sot me të rinjtë,  krizës së letërsisë, faktorëve të transformimit të saj ndër vite, ndikimit të lëvizjes së autorëve në vende të ndryshme tek letërsia e tyre, tek ajo që ata sjellin përpara publikut.

I pranishëm në hapjen e këtij aktiviteti ishte Ambasadori Austriak në vëndin tonë Z. Johann Sattleri cili mbajti në fillim një fjalim përshëndetës për të pranishmit, dhe ndër të tjera vuri theksin në sinergjinë e krijuar nga shkëmbimi i këndvështrimeve të autorëve austriakë dhe autorëve e përkthyesve shqiptarë si dhe falenderoi të gjithë ata që mundësuan këtë aktivitet.

Në fjalën e tij shkrimtari Agron Tufa u shpreh se sot përpiqet të bëhet një letërsi e njeriut nga strukturat totalitare. “Shkrimtari shqiptar është shumë kokëfortë dhe i lidhur fort me rrënjët, qoftë edhe kur eksperimenton me fjalë, dhe nëse ka diçka që e bën të ngjashëm me shkrimtarët e popujve të tjerë, ai është një repertor ëndrrash kolektive” shtoi ai.

Autorja Andrea Grill e vuri theksin tek lexuesi i saj për të cilin mendon gjithmonë kur shkruan. “Kur shkruaj, mendoj për një tip publiku të cilit dua ti drejtohem sepse nuk mund të mendoj për të gjithë” -tha ajo. Grill shtoi  ndër të tjera se teknologjia do ta ndryshojë letërsinë e këtij fundshekulli, ashtu siç po ndryshon gjithçka tjetër në sfera të ndryshme.

Në pjesën e dytë të aktivitetit autori Klemens Renoldner  lexoi për të rinjtë pjesmarrës një fragment nga libri i tij më i ri që pritet të publikohet në 2019-ën, romani “Kepi i Shpresës së Mirë”, në të cilin rrëfehen kujtimet e një femije për gjyshin e tij, flitet për edukatën dhe  moralin e dy poleve, po-ja dhe jo-ja, toleranca dhe autoriteti, etj.

Aktiviteti “Netët e Letërsisë Austriake” vijon maratonën e tij të leximit më datë 24 dhe 25 Maj, ora 18:00-20:00 te Salla Gëte, e Teatrit Eksperimental.

SHKARKO APP