Nexhmije Pagarusha, “Bilbili i Kosovës”, magjia e një zëri që vijon të na magjepsë
Nga Albert Vataj
Më 7 shkurt 2020 u shua fizikisht Nexhmije Pagarusha, por zëri i saj nuk u shua kurrë. Ai vazhdon të jetojë si jehonë e shpirtit shqiptar, si një prani e përjetshme që na fton të dëgjojmë veten, historinë dhe ndjenjën tonë kolektive. Këngëtarja me zë të rrallë, e njohur si “Bilbili i Kosovës”, “Mbretëresha e Këngës Shqipe”, “Primadona e Melosit Popullor”, “Fyti i Kristaltë”, mbetet një fenomen artistik i papërsëritshëm, një panteon më vete në kujtesën kulturore shqiptare.
Kënga e saj nuk ishte thjesht interpretim. Ajo ishte religjion shpirtëror, besim estetik, art që ngrihet mbi kohën. Me rreth katër dekada karrierë dhe mbi 150 këngë në repertor, Nexhmije Pagarusha u bë domethënie e vlerave më të thella të këngës shqipe, ambrozia e ëndrrave të një kombi që kërkonte dinjitet, zë dhe përfaqësim.
Studiuesi i muzikës Akil Koçi vëren me të drejtë se Nexhmija nuk i nënshtrohej rregullave të ngurta të interpretimit: ajo e ndjente këngën, e jetonte fjalën përmes melodisë dhe krijonte imazhe të reja tingëllore. Në këtë proces, ajo shndërrohej në bashkë-autore të veprës, duke e tejkaluar rolin e interpretueses. Vokali i saj kumbues, rrëqethës dhe njëherazi i lëvizshëm, ndërtonte një kompleksitet interpretativ që përbënte një sensacion të vërtetë akustik.
E lindur më 7 maj 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës, Nexhmije Pagarusha u rrit për t’u bërë ambasadorja më e denjë e kulturës shqiptare. Ajo përfaqësoi këngën shqipe në kohë të vështira, në etapa kur identiteti kombëtar kërkonte të ringjallej mes dhimbjesh, ndalimesh dhe mohimesh. Në skena kombëtare dhe ndërkombëtare, ajo shkëlqeu pa kompromis, duke kënduar gjithmonë dhe vetëm shqip, pavarësisht se para kujt ndodhej. Edhe ata që nuk e donin këtë melos, përuleshin para artit të saj dhe duartrokisnin madhështinë e interpretimit.
Është thënë shpesh se vepra e artit, sapo përfundon, nuk i përket më autorit. Në rastin e Nexhmije Pagarushës, kjo thënie merr kuptim të plotë: kënga e saj nuk është më vetëm e saj, por e të gjithëve. Edhe sot, kur bëjmë një retrospektivë të plejadës së këngëtarëve shqiptarë në Kosovë dhe më gjerë, kuptojmë se askush nuk ka arritur zenitin e shkëlqimit interpretativ që ajo preku. Breza të tërë këngëtarësh, të shkolluar në institucione vendase dhe ndërkombëtare, ende nuk kanë mundur ta zëvendësojnë këtë fenomen.
Kompozitorë të mëdhenj si Lorenc Antoni, Rexho Mulliqi dhe shumë të tjerë patën fatin historik të ishin bashkëkohanikë të saj, duke krijuar vepra që u shndërruan në perla artistike falë interpretimit të Divës së këngës shqipe. Interpretimet e saj nuk ishin vetëm art i të kënduarit, por përvoja simfonike, ku dëgjuesi ndjehej njëkohësisht i përmbajtur dhe i mbushur me gëzim e madhështi shpirtërore.
Arti i Nexhmije Pagarushës ishte intuitiv, por jo i rastësishëm; emocional, por i disiplinuar; i lirë, por thellësisht i vetëdijshëm. Ai u shndërrua në një “credo” artistike, në simbol besimi për një të ardhme më të mirë, duke transformuar tragjizmin historik të kombit në art të vërtetë dhe shpresë.
Edhe sot, kur dëgjojmë incizimet e saj, të realizuara me teknika modeste krahasuar me standardet bashkëkohore, mbetemi të mahnitur nga kultivimi vokal, diapazoni tonal dhe guximi interpretativ i një zëri që tingëllon hyjnor, i fortë dhe krenar. Kritika muzikore dhe vlerësimet e muzikantëve të njohur e kanë konfirmuar këtë madhështi, duke e shndërruar këngën e saj në spektakël ndjenjash dhe shpërthim estetik, pikërisht në momentet kur kombi kishte më së shumti nevojë për zë.
Ajo na fali këngën. Poetët i kushtuan vargje, kompozitorët krijuan vepra për të, dhe publiku i fali përjetësinë. Nexhmije Pagarusha mbetet Bylbyli i Kosovës, Hyjnesha e këngës shqipe, një vlerë nacionale që na kujton se, siç thoshte Naim Frashëri:
“Ç’vlerë i vë vetes një komb, aq vlerë i vënë edhe të huajt.”
KOHA JONË SONDAZH

