Nga kushërinjtë gjysmë shqiptarë te kafeja, ambasadori turk rrëfehet për jetën në Tiranë

Ambasadori turk, Murat Ahmet Yörük dhe bashkëshortja e tij, Ajshegyl kanë rrëfyer në një intervistë për “Living” detaje nga jeta e tyre private, si dhe kanë folur mbi përshtypjet që kanë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ambasadori turk ka rrëfyer se kushërinjtë e tij janë gjysmë shqiptarë dhe gjysmë turq dhe se pikërisht për këtë arsye ndihet në Shqipëri si në shtëpinë e tyre.

“Përtej kësaj, unë ndihem shumë mirë në Shqipëri. Nuk po e ekzagjeroj, por kur erdha në Tiranë, dola të shëtis nëpër rrugë të ndryshme dhe vura re shumë ngjashmëri me Turqinë. Për shekuj të tërë, të dyja vendet kanë bashkëvepruar. Në sajë të këtij bashkëveprimi janë krijuar dhe shumë familje. Për këtë arsye, turqit dhe shqiptarët ngjajnë nga fizionomia. Prandaj nuk u habita shumë kur erdha në Tiranë”, është shprehur më tej ai.

“Nuk m’u duk sikur erdha në një kontinent tjetër, në një shtet tjetër dhe me një kulturë të ndryshme. Ndihem si në shtëpinë time dhe mendoj se në vitet pasardhëse, do të më duket sikur i përkas këtij vendi. Ndoshta mund të mendojmë edhe idenë për të marrë nënshtetësinë shqiptare. E them këtë, sepse ndoshta në fund të mandatit, do të ndihemi si banorë vendas, ja pse e përmenda nënshtetësinë. Kur mëson gjuhën e një kombi, afrohesh më shumë me atë vend”, ka vijuar ai.

Murat Ahmet Yörük ka treguar se kur ha vaktin e mëngjesit flet shqip me punonjësit e tij, pasi po përpiqet me çdo kusht që të mësojë gjuhën. “Kur erdhët këtu, ju thatë se arrini të kuptoni dhe se dini disa fjalë. Kjo është shumë normale dhe e dini përse? Është e vërtetuar se gjuha turke dhe ajo shqipe kanë rreth 4500 fjalë të përbashkëta. Në vitet 1970, albanologu dhe turkologu i famshëm dhe njëherësh historiani shqiptar, z. Tahir Dizdari, ka bërë një studim për këtë. Ai doli në përfundimin se në të dyja gjuhët janë rreth 4500 fjalë të cilat kanë të njëjtin kuptim”, ka komentuar ambasadori.

Ndërsa pyetjes se çfarë elementi evropian kanë pikasur deri më tani në Shqipëri dhe që nuk e ka Turqia, bashkëshortja e ambasadorit, Ajshegyl i është përgjigjur: “Kultura e kafesë është shumë e rëndësishme në Shqipëri. Edhe ne kemi kafenë turke, por ju pini kafe që në pesë të mëngjesit. Që kur kam ardhur këtu, kam vënë re se shqiptarët janë shumë qejflinj, u pëlqen shumë të argëtohen. Madje edhe kafenetë hapen që në pesë e gjysmë të mëngjesit. Me sa kam parë, edhe makiatoja juaj në filxhan të vogël është shumë e famshme.

Ne nuk pimë makiato atje, kemi vetëm kafenë turke. Pra, kultura e kafesë dhe pjesa e argëtimit është më e gjerë këtu sesa në Turqi. Ne në Turqi e përdorim shumë çajin, ndërsa ju nuk e përdorni. Madje bashkatdhetarët tanë disa ditë pasi vijnë në Shqipëri vijnë në ambasadë dhe kërkojnë çaj. Ne përgatisim çajin tonë të zi dhe kështu shuajmë mallin që kanë për çajin”.

SHKARKO APP