Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
Nga Albert Vataj
Nikola Tesla mbetet një nga figurat më paradoksale të modernitetit shkencor. Inxhinier dhe fizikant vizionar, autor i dhjetëra patentave që formësuan botën elektrike dhe teknologjike të shekullit XX, ai ishte njëkohësisht mishërim i mendjes racionale ekstreme dhe i një ndjeshmërie pothuajse mistike. Gjenialiteti i tij nuk banonte vetëm në laborator, por edhe në mënyrën e të jetuarit, shpesh të pakuptueshme për bashkëkohësit.
Ndër veçoritë më të spikatura dhe më të keqkuptuara të Teslës ishte lidhja e tij e pazakontë me pëllumbat. Gjatë viteve që jetoi në Nju Jork, ai kalonte orë të tëra çdo javë duke i ushqyer në parqe, duke i vëzhguar me një përqendrim që dukej më shumë shkencor sesa sentimental. Çdo pëllumb i plagosur bëhej menjëherë përgjegjësi e tij. I merrte në dhomën e hotelit, i ushqente, i mjekonte dhe i trajtonte me një përkujdesje që sfidonte çdo normë higjienike të kohës.
Kjo është veçanërisht domethënëse po të kemi parasysh se Tesla ishte një germofob i deklaruar. Ai kishte frikë patologjike nga mikrobet, ndotja dhe infeksionet. Lante duart në mënyrë kompulsive, shmangte kontaktet fizike dhe kërkonte kushte të rrepta pastërtie. E megjithatë, përballë pëllumbave, kjo frikë shuhej. Dritaret e suitës së tij i mbante të hapura që zogjtë të hynin e të dilnin lirshëm, duke e kthyer hapësirën e tij të jetesës në një kaos me pendë, zhurmë dhe erë, një kontrast i fortë me obsesionin e tij për rendin.
Në një rast, ai i kërkoi shefit të hotelit të përgatiste një përzierje të veçantë farash për “miqtë e tij me pendë”. Për Teslën, pëllumbat nuk ishin thjesht zogj qyteti, por qenie me individualitet, me karakter dhe, në një rast të veçantë, me një vend të pazëvendësueshëm në zemrën e tij.
Tesla nuk u martua kurrë. Ai besonte se intimiteti emocional dhe martesa do të ndërhynin në përqendrimin e tij shkencor. Me një sinqeritet brutal, ai shprehej: “Unë nuk mendoj se mund të përmendni shumë shpikje të mëdha që janë bërë nga burra të martuar.” Përkushtimi i tij ishte absolut, pothuaj asketik. Dhe megjithatë, ai pranoi se ishte dashuruar me një pëllumb të bardhë që e vizitonte rregullisht. Deklarata e tij është ndër më tronditëset dhe më poetiket që një shkencëtar ka lënë pas: “Unë e doja atë pëllumb ashtu si një burrë do një grua, dhe ajo më donte mua. Për sa kohë që e kisha, jeta ime kishte një qëllim.”
Në vitin 1922, Tesla rrëfeu se pëllumbi i bardhë i kishte fluturuar në dhomë për herë të fundit, sikur për t’i thënë se po vdiste. Në çastin e fundit, tha ai, një dritë e bardhë shpërtheu nga sytë e zogut, më e fortë se çdo dritë që ai kishte prodhuar ndonjëherë me makineritë e tij elektrike. Kjo përvojë, në kufirin mes vizionit mistik dhe simbolizmit të thellë emocional, e tronditi Teslën. Ai u tha miqve se në atë moment kishte ndjerë se puna e jetës së tij kishte përfunduar. Humbja e pëllumbit ishte, për të, mbyllja e një kapitulli ekzistencial.
Pëllumbat ishin vetëm një pjesë e mozaikut të idiosinkracive të Teslës. Ai ishte i fiksuar pas numrit 3, duke kryer rituale të përsëritura: lante duart tri herë, ecte rreth një ndërtese tri herë para se të hynte, zgjidhte dhoma hoteli që pjestoheshin me tre. Ai i urrente perlat dhe refuzonte të fliste me gratë që i mbanin ato. Këto sjellje, të pashpjegueshme në kohën e tij, sot interpretohen shpesh si shenja të një çrregullimi obsesiv-kompulsiv, por mund të lexohen edhe si përpjekje për të vendosur rend në një mendje që operonte përtej normës.
Dekadat e fundit të jetës së Teslës ishin të heshtura dhe pothuaj anonime. Njeriu që kishte ndriçuar botën me idetë e tij, shëtiste i panjohur nëpër Nju Jork, i gjatë, i dobët, i veshur me rroba të një epoke tjetër, duke ushqyer pëllumbat. Shumica e kalimtarëve nuk kishin asnjë ide se kush ishte. Fama e tij ishte shuar dhe brezi që e njihte kishte ikur. Edhe kur gazetat, herë pas here, botonin parashikimet e tij për të ardhmen teknologjike, askush nuk e lidhte emrin e madh me këtë figurë të vetmuar urbane.
Në këtë kontrast të thellë mes gjenialitetit dhe harresës, mes shkencës së ftohtë dhe dashurisë së pastër për një qenie të brishtë, qëndron madhështia tragjike e Nikola Teslës. Ai ishte dëshmi se gjenitë nuk jetojnë domosdoshmërisht në piedestale, por shpesh në skaje, të kuptuar keq, të vetmuar, duke ushqyer pëllumba, ndërsa mendja e tyre vazhdon të ushqejë të ardhmen e njerëzimit.
KOHA JONË SONDAZH

