Nis edicioni i 27-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skampa 2025”

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Skampa 2025” hapi mbrëmë siparin e edicionit të tij të 27-të, duke sjellë në zemër të Elbasanit magjinë e artit teatror dhe një program të pasur me performanca ndërkombëtare.

Nga data 2 deri më 6 tetor, në skenën e festivalit do të ngjiten nëntë trupa teatrore që përfaqësojnë kultura të ndryshme nga e gjithë bota. Në mesin e tyre, janë trupat e Teatrit Shtetëror të Ankarasë dhe Stambollit nga Turqia, si dhe grupet artistike nga Greqia, Kosova, Lituania, Serbia dhe Shqipëria.

Përveç shfaqjeve teatrale, festivali ofron edhe një sërë ngjarjesh shoqëruese si seminare, ekspozita fotografike dhe promovime librash, të cilat theksojnë vlerat dhe ndikimin e artit teatral në shoqëri.

Swiss Digital Desktop Reklama

Mbrëmja e parë solli në skenë shfaqjen “Medea – Material”, një bashkëpunim mes Teatrit Shtetëror të Ankarasë dhe atij të Stambollit. Teksti i Heiner Müller-it, për herë të parë i përkthyer dhe interpretuar në gjuhën turke, ndërthuri mitologjinë, historinë, kujtimet dhe ëndrrat në një rrëfim poetik që mahniti publikun dhe e bëri natën të paharrueshme. Performanca e gjallë dhe e detajuar, së bashku me interpretimet e fuqishme të aktorëve, krijuan momente të thella reflektimi dhe emocioni, duke e bërë çdo spektator pjesë të një dialogu të drejtpërdrejtë me artin.

Swiss Digital Mobile Reklama

Adonis Filipi, themeluesi dhe drejtuesi artistik i festivalit, deklaroi në konferencën për shtyp:

“Vlerësimi i të bukurës në të gjitha format e saj, si dhe dëshmia që arti i gjallë mbetet forca më e madhe për të reflektuar mbi botën tonë të ndërlikuar, janë synimet e këtij festivali për të na lidhur mes nesh dhe për të mirëpritur ndryshimin.”

Festivali zhvillohet me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës, Bashkisë së Elbasanit dhe në bashkëpunim me institucionet kulturore si Qendra e Artit Elbasan, Ambasada Greke në Shqipëri, Instituti i Kulturës Turke “Yunus Emre” në Tiranë, Universiteti i Arteve, Teatri “Metropol” – Qendra Kulturore Tirana dhe partnerë të tjerë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?