Një film në kinema, apo një kafe tek lagjja? Tradita e kohëve post-moderne shqiptare
Nga Rudina Laka
“A do pimë një kafe pas pune?”, “duhet të pi kafen e mëngjesit”, “takohemi tek kafja”,”diskutojmë në kafe”, “A pimë një kafe dhe flasim për detajet?”.
Këto janë shprehjet që shumica e shqiptarëve përdorin pothuajse çdo ditë për të organizuar aktivitetet e tyre. Madje edhe punët i diskutojnë dhe i zgjidhin në kafe. “A do të shkojmë në kinema, apo teatër sonte?”.
Lind pyetja: sa shpesh dëgjohet në rrethet tona shoqërore, ku kryefjala e argëtimit, janë kafet, daljet në “bllok” apo edhe drekat e fundjavës në periferi të Tiranës?
Kjo është një pyetje, sa sipërfaqësore, aq edhe shteruese. Sipas të dhënave, teatrot dhe kinematë në kryeqytet kanë filluar të frekuentohen, por jo masivisht sa për tu kthyer në epiqendrën e argëtimit të të rinjve.
Një film në kinema, apo një shfaqje në teatër, përmblidhen në disa minuta në të cilat, ti argëtohesh, merr emocione, merr një mesazh, qesh kur bëhet fjalë për një komedi, emocionohesh, madje edhe përlotesh kur bëhet fjalë për një dramë.
Por sërish del nga ato salla më e pasur, sesa nga dyert e shumë lokaleve që mund të ndërrojmë gjatë ditës. Biletat për në kinema apo teatër kushtojnë më pak, duke pasur parasysh sesa shumë të japin, në krahasim me pijet e shtrenjta “pa asnjë vlerë” të bllokut.
Nga ana tjetër teknologjia dhe rrjetet sociale i kanë hyrë në hak skenës së teatrit dhe prekjes së emocionit nga afër. Qëndrimi përpara një ekrani të vogël bën që të jesh vetëm ti dhe me miliarda informacione që të fluturojnë përpara syve. Shumica e tyre janë të pavlera dhe të papërshtatshme me realitetin tonë, sepse na izolojnë nga jeta sociale dhe na detyrojnë të krijojmë një realitet që në fakt është i gënjeshtërt dhe i paprekshëm.
Kjo botë prodhon fenomenin “kardashian”, të cilin përpiqet e gjithë bota ta arrijë dhe imitojë, duke qenë të ndërgjegjshëm se kjo gjë i lë pa identitet. Edhe vetë Kardashian-ët nuk e njohin veten përpara pasqyrës, krahasur me fotografitë e Photoshop-uara, që shkojnë drejt një perfeksioni të frikshëm.
Kjo është një industri e fuqishme, që si qëllim ka fitimin, kthimin në personazh të njerëzve që nuk kanë asgjë për të dhënë, as talent, as bukuri fizike, apo të qenurit shembull për të tjerët, por janë thjesht disa “kukulla” të një sistemi që prodhon fotokopje të njëra-tjetrës dhe si rrjedhojë xhiron para. E gjithë kjo skemë i ka hyrë në “hak” kinemasë, ku shpalosen vlerat e disa mendjeve të ditura e profesionale, të cilat prodhojnë art dhe ushqehen me të.
Një orë në “Instagram” duke parë çfarë kanë bërë të tjerët është kohë e humbur, në krahasim me një orë në kinema, apo teatër, ku aktorët japin shpirtin e tyre; ku nëpërmjet interpretimit përcjellin mesazhe që mbeten gjatë në kujtesën e gjithsecilit, e për të mos folur për operan, apo shfaqjet e baletit, të cilat, për nga frekuentimi ngelen akoma më pas nga kinemaja dhe teatri. Ato salla nuk i mbushin dot ata, po ato që ndjekin gjithë ditën në “Instagram” sa operacione plastike ka bërë “x” personazh, apo çfarë postimesh ka bërë kolegia e punës.
Të kuptosh dhe të shijosh një shfaqje baleti, apo një pjesë operistike duhet të jesh njohës i këtyre veprave dhe një dashamirës i artit të vërtetë; i artit që lë gjurmë tek ty si person kur del nga ajo sallë. Për fat të keq, në vendin tone, midis një filmi në kinema apo një kafeje, më shpesh fiton kjo e dyta, edhe pse duhet pranuar se frektuentimi i kinemave dhe teatrove, në varësi të filmave që jepen apo veprave që vihen në skenë, ka ardhur duke u rritur.
Ah! Mos harroni! Ne vazhdojmë të themi shprehjen: – A do e pimë një kafe përpara se të fillojë filmi?
SCAN Magazine