Një film shqiptar parqitet në Festivalin e Amsterdamit, ja temat që trajton

Regjisori shqiptar Ervin Lera po merr pjesë këto ditë në Festivalin Ndërkombëtar të Amsterdamit me filmin e tij “Emancipimi i turmave”.

Filmi merr shkas nga protestat e studentëve shqiptarë gjatë vitit 2018 dhe përpiqet të shpjegojë nevojat e shoqërisë për t’u zhvilluar përmes revoltave.

Filmi dokumentar “Emancipimi i turmave”, i krijuar nga regjisori dhe skenaristi shqiptar Ervin Lera, po merr pjesë këtë fundjavë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Amsterdam (Uorld International Film Festival Amsterdam).

Pas një premiere të suksesshme në Tiranë gjatë pranverës së kaluar, filmi mori pjesë edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Puglias në Itali, Dormeo Films, (Dormeo Films Puglia International Film Festival”.

Por, cilat janë mesazhet që sjell filmi “Emancipimi i turmave”? Autori Ervin Lera thotë se shtysën e parë e mori nga protestat e studentëve shqiptarë dy vjet më parë.

“Ideja më lindi nga ngjashmëria e mahnitshme dhe shumë e bukur nga midis protestave të studentëve në Tiranë në vitin 2018 dhe jelek-verdhëve në Paris. Unë atëherë isha në Paris, ku ndenja rreth një muaj. Pashë se zhvillimet ishin krejtësisht të njëjta deri sa politika ndërhyri tek të dyja lëvizjet. Unë e kam thënë edhe në film shumë hapur që protesta e studentëve ishte e mahnitshme dhe një protestë model për gjithë botën dhe jo vetëm për Shqipërinë, deri në çastin kur ndërhyri politika dhe mediat politike në këtë protestë, duke i etiketuar si FRESH-istë, LRI-stë, FRPD-istë etj” – tha zoti Lera.

Dokumentari “Emancimipi i turmave” trajton dilemat e shoqërisë shqiptare që pas Luftës së Dytë Botërore e deri në ditët e sotme, nëse kryengritjet i sollën zhvillim, nëse pas revoltave përfitojnë pjesëmarrësit masivë apo individë pa merita.

“Turma është përzgjedhur simbolikisht si treguesi i dukshëm i një shoqërie, sepse filmi tregon zhvillimin e shoqërisë shqiptare, por ka edhe një përqasje ndërkombëtare, sepse ngjarjet dhe situatat që kanë ndodhur në Shqipëri kanë ndodhur kudo. Filmi është bazuar te filozofia e Hose Ortega el Caset, filozofi më i madh i shekullit të kaluar. Edhe në mes të Parisit ndodhin të njëjtat ngjarje si në Tiranë, në Prishtinë, në Romë, Milano dhe kryeqendra të tjera me demokraci shumë më të konsoliduara në botë” – thotë autori.

Për suksesin e këtij filmi autori Lera ka bashkëpunuar ngushtë me professor Përparim Kabo, me dr. Afrim Krasniqi dhe publicistin Ben Andoni.

Studiuesi i njohur Përparim Kabo, ka thënë se “dokumentari zbërthen sfidën e qytetarisë shqiptare për të protestuar në dobi të vetvetes apo turmëzimit të palogjikshëm në dobi të të tjerëve”.

Regjisori Ervin Lera thotë se idealizmi i kryengritjeve dhe protestive gjithmonë humbet nëpër kthesat e papritura.

“Unë mendoj që vetëm fillimet e kryengritjeve janë idealiste, pastaj me zhvillimin e tyre, çdolloj kryengritje, lëvizjeje apo formë reagimi tjetër, që sjell zhvillim dhe ndryshim, nuk mbetet më gjatë idealiste, sepse nga vet turmat kryengritëse apo protestuese, që kërkojnë ndryshimin, dalin individë me qëllime të caktuara, të cilat në shumicën e rasteve janë qëllime egoiste. Mund të themi që nuk ka kryengritje idealiste deri në finale” – tha autori.

Filmi përpiqet dhe arrin me sukses të shpjegojë disa nga ngjarjet më të rëndësishme të kohëve moderne në Shqipërisë nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar dhe dy dekadat e këtij shekulli të ri.

Pjesëmarrja e tij në festivale ndërkombëtare është një zë i veçantë nga Shqipëria në valën e nismave europiane për të zbërthyer pikëpyejtet, që u dalin shoqërive gjatë revoltave për të sjellë zhvillim, dhe për t’u emancipuar, duke u përpjekur të rrëzojnë mure izolim dhe me gurrët e tyre të ndërtojnë ura bashkëpunimi. /Voa/

SHKARKO APP