Një foto e Maries, feministes së parë shqiptare
Në këtë fotografi të shkrepur në studion e Kel Marubit, Ndoc Çoba pozon së bashku me familjen e tij.
Ndoc Çoba (1870-1945) ishte veprimtar politik, pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës, përfaqësues i Shkodrës në Kongresin e Lushnjës, ministër i Financave (1920), kryetar i bashkisë së Shkodrës (27 gusht 1937-24 qershor 1939), një nga organizatorët e Konferencës së Pezës, botues… Arrestohet nga regjimi komunist dhe vdes në burg pas torturave.
Bashkëshortja e tij Marie Çoba (1875-1954) – në fotografi – ishte feministja e parë shqiptare, themeluese e organizatës “Gruaja Shqiptare”. Me pseudonime të ndryshme, botonte artikuj që mbulonin çështjet e grave. Është e njohur për ndihmesën në luftën për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga copëtimi si dhe emancipimin e femrës shqiptare.
”Vetëm kur të arrihet të mbushen mësonjëtoret me vajza ashtu si me djem, vendi ynë do të radhitet në vendet e qytetëruara”, ka thënë ajo.
Fotoja është realizuar në studion e Kel Marubit në vitin 1930.