Një histori e panjohur e Princ Vidit… e zbuluar në Bibliotekën e Vjenës

Ishte nisur të kërkonte në Bibliotekën e Vjenës dokumente për albanologun e shquar Milan Shuflaj, dhe zbulon një libër të fillimit të 1900-s me emrin e Karl Topisë, njërit prej princërve më të shquar shqiptarë të 500-vjetëve më parë….

Studiuesja Lindita Komani është befasuar kur ka zbuluar në Bibliotekën e Vjenës në Austri një libër me autor anonim, që mbante titullin “Principata Shqipëri”, në original “Das Furstentum Albanien”.

Autori e ka shkruar librin me pseudonimin Karl Thopia. Ky libër është botuar në vitin 1916.

Lindita Komani e sjell këtë libër të përkthyer në gjuhën shqipe. Komani shkruan në parathënie të këtij libri se “Autori Carl Thopia, nisur nga emri, por edhe nga disa prekje kulturore në analizën që iu bën shqiptarëve, me gjasa të mira, ka qenë shqiptar në origjinë, i mirëintegruar në strukturat austro-hungareze.

Përqasja e tij e dyfishtë kulturore-politike i ka  mundësuar studimin e kujdesshëm të ngjarjeve, filtrimin, përpunimin e informacionit dhe dhënien e përfundimeve nga këndvështrimi i perandorisë. Komani pohon se “për herë të parë në këtë libër dalin edhe makinacionet e Esat Pashës Toptanit, i mbështetur nga qeveria italiane, por edhe i vendeve të tjera fqinje”.

“Principata Shqipëri” do të promovohet sot në Muzeun Historik Kombëtar nga Ambasada Austriake.

Ja si rrëfehen në dy nga fragmente e librit 200 ditët e princ Vidit në Shqipëri. Tek ky libër zbulohet se çfarë ndodhte në të vërtetë, kur ai po largohej nga Shqipëria:

BETEJA ME REBELËT E HAXHI QAMILIT

Sapo Princi ishte ngjitur në “Misurata”, flamuri i prijësit që ishte hequr nga nje dorë e panjohur nga pallati princëror, u ngrit në anijen italiane. Princi nuk ishte më zot në tokën e tij, dinastia ishte nën “mbrojtjen” italiane. Regjizorët nuk e kishin lënë t’u shpëtonte as edhe ky efekt goditës.

Embarkimi i Princit shërbeu si sinjal për arratisjen e përgjithshme: qindra refugjatë kërkuan shpëtim në anije, dhe në kalatë kishte shtytje me rrezik për jetën. Aliotti u kthye i kënaqur në atdhe – puçi i madh kishte ndodhur me sukses, Italia kishte marrë hak për Esadin dhe i kishte treguar Princit se cilët ishin pushtetmbajtësit e vërtetë të Durrësit.

Një epsh i ulët për hakmarrje e kishte nxitur këtë plan, që varrosi njëherë e mirë imazhin e Princit, se rebelët në atë kohë nuk ishin ende aq të organizuar dhe të përpunuar nga Italia sa t’u kishte lindur vetë në mendje ideja që të shkonin vërtet në Durrës.

Ishte ndërkohë errësirë, kur Aliotti e njoftoi Princin që komandanti i burgosur Saar kishte ardhur si ndërmjetës i rebelëve, por që si përfaqësues i Italisë ai nuk mund ta lejonte që negociatat për çështje të brendshme të Shqipërisë të zhvilloheshin në një anije italiane!

Kështu Princi u kthye në tokë dhe më pas në pallat, ku ndërkohë ishin mbledhur komisarët e kontrollit, të gjithë të dërguarit dhe ministrat, për të diskutuar mbi kërkesat e vendosura nga rebelët. Ata kërkonin siguri për mosndëshkim dhe një shkresë të nënshkruar nga Princi që ai do të priste një delegacion të tyre, për të dëgjuar dëshirat që do të paraqisnin. Në të kundërt ata do të vrisnin të gjithë robërit që i mbanin të burgosur, mes tyre edhe austriakë dhe rumunë të cilët kishin marrë pjesë si vullnetarë në ekspeditë.

Për të shpëtuar jetën e europianëve, Princit nuk i mbetej gjë tjetër veçse të firmoste shkresën që ishte përgatitur nga ministrat e tij. Kështu u mbyll dita më e trishtë dhe e palumtur në kohën e vuajtjeve të Princit.

Prej ultësirave me këneta të rrafshinës së Durrësit u ngritën re të lagështa e të helmatisura që rrëshqitën drejt labirintit të kasolleve dhe rrugicëzave të rezidencës. Kështu fryma e helmatisur e politikës europiane kishte përulur në mënyrë të turpshme vendin dhe Princin e tij….

IKJA E PRINC VIDIT

Qeveria nuk kishte zgjatur as 200 ditë. Në manifestin që i kishte drejtuar popullit të tij para nisjes, Princi theksonte faktin që mungesa e tij do të ishte e përkohshme. “Il n’y a que la provisoire qui dure” (sh.p. Zgjidhjet e përkohshme në fakt mbeten gjatë), thotë një shprehje popullore franceze.

Komisioni i Kontrollit e mori tanimë në dorë sqarimin e gjendjes. Ai filloi menjëherë me largimin nga Durrësi të kosovarëve dhe toskëve që kishin mbetur aty sikurse edhe me përgatitjen e paqes me rebelët. Këta premtuan një “besë” të përgjithshme, por nuk njohën Komisionin si pushteti qeverisës, duke qenë se ata donin të organizonin administratën e tyre.

Rreth 2000 burra, gati të gjithë të armatosur, hynë në Durrës nën udhëheqjen e myftiut dhe mitropolitit greko-ortodoks dhe nën thirrjet brohoritëse për sulltanin ngritën flamurin turk. Gëzim i madh pushtoi fytyrat e italianëve, të cilët përgëzuan pushtetarët e rinj. Vepra e tyre ishte realizuar me sukses!

Fatet e tjera të Shqipërisë në kuadër të Luftës Botërore nuk kanë ndonjë rëndësi për të ardhmen e vendit. Greqia e ka pushtuar sërish Epirin, dhe Esadi është kthyer nga Italia në Durrës. Italia, e cila me fillimin e luftës kishte deklaruar solemnisht që vendimet e konferencës së Londrës lidhur me Shqipërinë do t’i njihte në formë të plotë edhe më tej, kishte pushtuar ishullin e Sazanit në gjirin e Vlorës, pas tërheqjes prej aty të trupave greke. Shpejt Italia dërgoi një “ekspeditë sanitare” për të ndihmuar refugjatët muhamedanë të Shqipërisë së Jugut në Vlorë dhe pak kohë më vonë u soll aty edhe një regjiment bersaljerësh.

Në Vlorë u ngrit flamuri italian. Këtë hap Italia u përpoq ta arsyetonte me argumentin që vetëm në këtë mënyrë ajo mund ta mbronte Shqipërinë në mënyrë të sigurtë nga sulmet e huaja.
Në Shkodër hyri sërish mbreti malazez Nikita. Në Durrës, që për një kohë të gjatë ka qenë nën pushtimin serb, sundon sërish Esad Pasha si vasal i Italisë./Shqiptarja/

 

SHKARKO APP