Një histori shqiptare, nga ato që nga një fjalë thurej një litar dhe varej një njeri

“Kjo është një histori shqiptare, nga ato që nga një fjalë thurej një litar…dhe varej një njeri.”

Nëse do të duhej ta përshkruante monoperformancën e saj me një fjali të vetme, aktorja Egla Ceno do të kishte zgjedhur pikërisht këtë. Ajo rrëfen për Anabel.al disa detaje të rëndësishme të shfaqjes së fundit, “Udha e Qumështit”, që bazohet në një histori të vërtetë shqiptare në periudhën e komunizmit; një shfaqje që e cek pak atë realitet të errët të së kaluarës për t’u përqëndruar tek e tashmja.

“Është një monoperformancë, që përveçse si aktore më përfshin shumë edhe si qytetare. Është një histori e vërtetë, ndodhur vite pas. Historia është shkruar dhe vënë në skenë si regji nga Armand Bora. Në një orë e 20 minuta, unë do të jem e vetme në skenë duke sjellë 33 personazhe.”

Fabula bazohet rreth një ngjarjeje të së kaluarës, ku 33 personazhe japin versionin e tyre në gjykimin e një gruaje, “krimi” i së cilës është derdhja e qumështit në radhë. Plot 33 kundër 1. Çfarë i bashkon ata?

“I bashkon një ideal i zi.” – thekson Egla Ceno.

Në 1 orë e 20 minuta e vetme në skenë, Ceno sjell personazhe që ndryshojnë nga njëri-tjetri në arsimim, kulturë, dialekt. Megjithatë, ndonëse ngjarja merr lëndën bazë nga periudha e komunizmit, forma i është dhënë në të tashmen. Shfaqja prek të tjera nivele:

“Nuk është çështja komunizmi. Nuk merrem me kohën në shfaqje, merrem me thelbin e qenies, që në rrethana të caktuara është barbare. Ajo që përcillet është tjetër gjë: Çfarë është i aftë t’i bëjë njeriu njeriut.” – shton aktorja.

Udha e Qumështit” është një histori ku grotesku të fton të qeshësh, por qytetaria të shtyn të ulërasësh.”

Shfaqja do ketë premierën në Teatrin Skampa, Elbasan, më 22 shkurt dhe do të pasohet nga dy shfaqje të tjera, më 23 dhe 24.

 

SHKARKO APP