Një humor satirik i rrallë në kinematë e Tiranës: K.O.T (The Movie) gati për shfaqje në 2 Maj
Një prodhim kinematografik i jashtëzakonshëm vjen për të ndriçuar ekranet e kinemave në Tiranë. “K.O.T (The Movie)”, një film artistik i vërtetë, do të shfaqet në të gjitha kinematë e kryeqytetit nga data 2 maj.
Kjo komedi satirike sjell një përballje jetën e Qemalit në Tiranë, duke e sfiduar atë me situata absurde dhe situata të pashmangshme. Me një kast të talentuar aktorësh përfshirë Behar Merën, Marsijon Durmishin, Grei Dajlanajn, Denis Tuallajn, Brajan Cukën, Anxhelo Dautin, Ester, filmi ofron një përvojë unike për publikun e kinemave shqiptare.
Janë i njëjti kast që sjellin dhe skeçet e bukura plot satirë të sinqertë, ashtu pa filter, “alla Ngop”. Një prej këtyre skeçeve është dhe K.O.T (Katunars of Tirana), një satirë modeste dhe pikante, e cila ka patur sukses absolut në Youtube.
Ka qenë e qartë, që me këtë serial, çunat nuk ja kanë ngopur kot. Simpatia e publikut për personazhin e Qemalit, i luajtur nga Marsijon Durmishi, bëri që të mendohet për vazhdimin e historisë, dhe jo me sezonin e dytë të një mini seriali ne Youtube, por me një film me metrazh të gjatë.
Këtë herë e shikojmë Qemalin dhe jetën e tij treqind e gjashtëdhjetë gradë, bashkë me personazhet që e shoqërojne, si “Plaka”, apo “Pronari i Tiranes” i luajtur nga Grei Dajlanaj.
Në film tregohen përpjekjet e një provinciali naiv për të mbijetuar në Tiranë. Të gjitha këto ngjarje vijnë të para nga këndvështrimi komik i personazhit kryesor, i cili dhe në momentet më të errëta nuk dështon të shkaktojë të qeshura. Gjithçka ndodh në këtë një orë e gjysmë, por më e rëndësishme është që ka humor në çdo fragment, atë që njerëzit presin nga Ngop dhe atë që Ngop di të bëjë më mirë.