Një jetë për nxënësit
Nga Fran Gjoka
Kur kërkon të mësosh dhe të hulumtosh historinë e arsimit apo ndonjë fushë tjetër të shkencës, befasohesh përpara edhe me figura të shquara, që me përkushtim punuan dhe sakrifikuan për t’u dhënë dije e kulturë brezave të sotëm. Kemi me qindra breza mësuesish që në kushte të vështira ekonimike u treguan gjithmonë krijues dhe mbi të gjitha originalë në zgjidhjen e çeshtjeve që nxirrte koha e vështirë e arsimit totalitar të asaj kohe. E gjatë këtij intervali kohor prej shumë vitesh në arsim, kushdoqoftë kërkon që me punën e tij të memorizohet sa të jetë e mundur për mirë tek njerëzit me të cilët ke punuar e bashkëpunuar, e natyrisht në shoqëri e kudo. Aq më tepër në sektorin e arsimit, në punën e bukur të mësuesisë, nga ku ke nxjerrë prej duarve të tua breza të tërë intelektualësh dhe teknicientësh të fushave të ndryshme. Me kalimin e viteve, impresionet sa vinë e rriten, kujtimet shtohen dhe për rrjedhojë dalëngadalë edhe emocionet e daljes në pension, e cila vjen, edhe pse pak e sikletshme, ajo dikur vjen e natyrisht bën punën e saj. Kushdo që del në pension mbetet në adresë të tij apo asaj ajo mirënjohje, respekti e kujtimi dhe emrin e mirë ndër breza. E në kontekstin e të gjithave sa shkruajtëm, bën fjalë për mësuesin Martin Malota, i cili pak ditë më parë doli në pension.
Mësuesin e mirënjohur Martin Malota e kam njohur që në rininë e hershme, kur të dy së bashku vazhdonim mësimet në bankat e shkollës së Mesme Pedagogjike “Shejnaze Juka” në qytetin e Shkodrës. Pas përfundimit të studimeve filloi punë në profesionin e bukur të mësuesit rreth vitit 1971, në fshatin Rraboshtë të rrethit të Lezhës, duke dhënë një kontribut dhe shembull të shkëlqyer në edukimin e brezit të ri. Jeta e mësuesit të ri u shkri me jetën e nxënësvë të tij për çështjen e shkollës dhe arsimit, për çështjen e përparimit dhe integrimit arsimor. Emri i tij është bërë tashmë i njohur në rrethin e Lezhës dhe më gjerë, si mësues me vizion të gjerë, si metodist me përvojë dhe mbi të gjitha si njeri. Mësuesi i mirënjohur, Martin Malota, ishte shembulli më i shkëlqyer i njeriut të formuar, me personalitet dhe kulturë njerëzore. Janë pikërisht këto cilësi tepër të vyera që me nxitën të hedh në letër dhe të botoj këto radhë për jetën, punën dhe veprën e këtij njeriu me shumë vlera në fushën e arsimit.
E kam njohur personalisht dhe kam shkëmbyer mjaft mendime dhe ide me mësues Martinin në kohë dhe situata të ndryshme dhe kurdoherë mendimiet e tij kanë qenë me mjaft interes. Të jetosh dhe punosh për një kohë të gjatë përkrah një njeriu me një personalitet të tillë, siç ishte mësues Martini, është sa e lehtë, dhe aq e vështirë. Është e lehtë, sepse sipas kujtimeve që
kam ruajtur për personalitetin e tij, është njeri me vlera të padiskutueshme, me kulturë dhe vizion perëndimor, tepër i përgatitur pedagogjikisht, emocional, i dhembshur, me vizion të gjerë për jetën, familjen dhe shoqërinë. Ishte e vështirë, sepse mësues Martini ka lindur i talentuar, donte të punonte, megjithëse në kushte të vështira, në momente të tilla, kur vështirësitë familjare nuk e favorizonin dëshirën dhe pasionin e tij për profesionin e mësuesisë.
Kujtimet, mbresat dhe përshkrimet për punën, veprimtarinë krijuese dhe jetën e tij, të rrëmbejnë. Janë aq interesante dhe të thjeshta, sa që edhe lexuesi përjeton me emocion problemet dhe vështirësitë, gëzimet që pati kaluar ai, prandaj edhe lexuesi jeton me shqetësimet e tij në çdo moment. Ka ngjarje të bukura mbreslënëse në jetën dhe veprimtarinë krijuese të një mësuesi, ka ndodhi të gëzueshme dhe të hidhura që të zgjojnë kujtime të zymta për të kaluarën, por edhe mbresëlënëse për të tashmen. Përmes kujtimeve të shokëve dhe kolegëve të tij, lartësohet figura e mësuesit Martin Malota, këtij edukatori dhe njeriu me vlera të mëdha, punën dhe veprimtarinë e të cilit e kujtojnë me aq dashuri njerëzit e thjeshtë, shokët, miqtë dhe nxënësit e tij të dashur. Kështu, mes shokësh, sot jo rrallë përshkuajmë plot emocion dhe ndjenjë momentet më të bukura të jetës, veprimtarisë, punës plot përkushtim të mësuesit të apasionuar, Martin Malota, kur jepte mësim atje në fshatin malor të Brezovicës, kur jepte mësim i veshur me uniformën e atëhershme të ushtarit. Kështu mësuesi i ri edhe periudhën e shërbimit ushtarak e kreu duke dhënë mësim në fshatrat e largta, duke përhapur ngado dije dhe kulturë.
Është i justifikueshëm emocioni me të cilin kolegët dhe ish nxënësit e tij përshkruajnë sot njohjen dhe punën plot përkushtim me mësues Martinin, këtë figurë të njohur të arsimit në rrethin e Lezhës, kur u emërua në shkollën 8–vjeçare të fshatit malor të Kalivaçit, ku punoi për 4 vite me radhë, një njohje e bukur, e thjeshtë, mbresëlënëse për figurën që mbarte, por tepër jetësore dhe me vlera të padiskutuashme. E tillë është edhe shfaqja e respektit, mirënjohjes dhe dashurisë për shokun dhe kolegun që sot doli në pension pas plot 46 viteve punë në edukimin e brezave. Pasi punon për disa vite në fshatin e thellë malor, e emërojnë në fshatin Gocaj dhe më vonë përsëri në shkollën e Rraboshtës, ku dallohet për punë plot përkushtim dhe energjitë krijuese pedagogjike. U dallua për praktikimin e metodave të reja në arsimin tonë dhe përkrahjen e reformave të ndërmarra në arsimin tonë. Kështu lindi respekti për këtë njeri me vlera, pasi ishte njeri me veti të rralla, fjalëpak, i shkathët, i prerë, me vision të qartë për të ardhmen e këto synonte t’i transmetonte edhe tek kolegët dhe nxënësit e tij. Me kalimin e kohës, mësues Martini krijon në rrethin e Lezhës mjaft shokë dhe miq, të cilët ruajnë respekt dhe mirënjohje për punën e tij si mësues. Kohë të vështira plot peripeci dhe probleme pati kaluar në jetë, por falë dashurisë dhe përkrahjes së këtyre shokëve dhe miqve, mësues Martini do të triumfonte ndaj tyre dhe do të përgatitej për të ardhmen, sepse kishte rrugë të gjatë dhe të vështirë për të bërë.
Mësuesi Martin Malota ka lindur në fshatin Gocaj të rrethit të Lezhës, në vitin 1953, ku kreu shkollën 8-vjeçare, ndërsa studimet e mesme i vijoi në shkollën e Mesme Pedagogjike “Shejnaze Juka” në qytetin e Shkodrës. Për 46 vjet me radhë punoi si mësues në zona të thella dhe fshatra të rrethit të Lezhës, madje edhe në pushimet verore nuk ndahej nga nxënësit e tij, pasi shpesh caktohej si udhëheqës në kampe e shtëpi pushimi për pionierë, si Shengjin, Dajt apo në kampin e Pionierëve “Qemal Stafa” në Durrës, ku ka mbetur në kujtesën e të rinjve, nxënësve dhe kolegëve si një drejtues aktiv dhe i apasionuar. Megjithëse puna kërkonte sakrifica dhe kishte vështirësi, mësues Martini ndjente gëzim dhe krenari, sepse po punonte me vullnet dhe përkushtim për edukimin e brezit të ri. Kudo ku punoi dhe ushtroi aktivitetin e tij të mësuesisë, mësues Martini la gjurmë në kohë, për efektivitetin e punës së tij mësimore dhe edukative, pasi flasin plot respekt dhe mirënjohje për veprën e tij, marrëdhëniet dhe komunikimin me kolegët, prindërit dhe sidomos me nxënësit e tij të dashur.
Jeta dhe veprimtaria e tij e gjatë në arsim iu kushtua zhvillimit me sukses të procesit arsimor dhe zbatimit të reformave në shkollën tonë. U bë shpejt mësues i njohur falë punës pasionante dhe djersës së tij në edukimin e brezit të ri. Është meritë e shokëve, kolegëve, miqve dhe nxënësve të tij që të na freskojnë kujtimet dhe mbresat, jo vetëm për aktivitetin e mësues Martinit si edukator, por edhe si shok, koleg dhe njeri me vlera, duke dhënë gjithmonë shembullin e tij pozitiv në familje dhe komunitet. Vite më vonë pati punuar në detyra dhe funksione të ndryshme, si në organet drejtuese të pushtetit vendor, por në kujtesën tonë do të mbetet e pashlyer puna plot pasion në ndihmë të Shoqatës World Vision në rrethin e Lezhës, ku u angazhua në aktivitete dhe veprimtari të ndryshme si dhe në zbatimin e mjaft projekteve në ndihmë të mbarëvajtjes së punës në shkolla. Është familje e njohur intelektuale në rrethin e Lezhës, pasi edhe bashkëshortja e tij, Luçi, ka dhënë kontribut të shquar si ekonomiste në shumë institucione, sidomos në zonën ë Balldrenit në rrethin e Lezhës. Mësues Martini ka lindur, rritur dhe shkolluar tre fëmijë, Elidën, Edvinin dhe Emanuelën, dy prej të cilëve vazhdojnë traditën e bukur, zanatin që pati pasion babai i tyre, Martini.
Mësuesi Martin Malota mbetet njeri i vlerave të mëdha, shembull i shkëlqyer i vlerave njerëzore, nga duhet të marrin shembull ideatorët e fushës së arsimit dhe didaktikës, si dhe shoqëria njerëzore në ditët e sotme. Edhe çertifikata e vlerësimit që iu dha me rastin e daljes së tij në pension e shpreh një vlerësim të tillë: “Për shërbime të shquara në mësimin dhe edukimin e brezave”, por puna, djersa dhe veprimtaria e tij pedagogjike dhe mësimore nuk përmblidhet dot me dy fjalë. Jeta dhe veprimtaria e një mësuesi të apasionuar, të përkushtuar do më teper vëmendje nga organet e pushtetit qendror dhe lokal. Gjithsesi i tillë ishte mësuesi i nderuar Martin Malota, njeri i nderuar, mësues i apasionuar, edukator i shkëlqyer dhe njeri i përkryer. Përmes kujtimeve synuam të përshkruajmë sadopak jetën plot aktivitet të një njeriu, i cili del sot në pension, por nuk ndjen plakje, Ai do jetë përsëri mes kolegëve dhe nxënësve të tij të dashur. Njerëz të tillë lindin për shoqërinë dhe përkushtohen për t’i sherbyer me devotshmëri asaj, prandaj mbeten përgjithmonë në mendjet dhe zemrat e popullit.