Një libër me shumë vlera për mjekësinë tradicionale
Këto ditë më ra në dorë libri “Përvoja tradicionale e mjekimit në rrethin e Kolonjës” me autor doktor i shkencave farmaceutike Josif Risto.
Megjithëse duket një libër specifik i fushës mjekësore popullore, por po ta shfletosh atë, harron dhe nuk e leshon nga dora. Ai vërtet ka në bazë mjekimin popullor, por e trajton këtë temë si një kulturë, si një pjesë të jetës social-ekonomike dhe të traditës së një krahine, siç është ajo e Kolonjës, që njihet për civilizimin e saj të hershëm.
Doktor Josif Risto, me profesion bazë farmacist, është njeri me interesa të gjera shkencore. Ai është marrë kryesisht me studime në fushën e mjekësisë alternative, e njohur dhe e praktikuar në tërë botën dhe që bëhet si lëndë e veçantë universitare, por që, fatkeqësisht, është harruar dhe e injoruar në Shqipëri. Përpjekjet e tij për ta futur mjekësinë alternative si lëndë mjekësore në fakultetin e Mjekësisë ndeshën në një mur të pakapërcyeshëm burokratik, pasi prisheshin shumë gjëra aty brenda që “profesorët e shquar” i kanë monopolizuar dhe duan të mbajnë status-cuon, edhe pse e vjetër, për ta, e rehatshme.
E zgjata pak këtë çështje, pasi edhe libri “Përvoja tradicionale e mjekimit në rrethin e Kolonjës” është pjesë e këtij studimi. Ai nuk merret thjesht me mjekimin me barna popullore, por edhe me mënyra të tjera mjekimi të transmetuara në shekuj, të provuara për efikasitetin e tyre pa qenë nevoja e përdorimit të ilaçeve klasikë, që shpesh herë kanë edhe veprime të dëmshme anësore.
Libri i profesor Josifit, si një roman i bukur, të çon në shtëpitë kolonjare, në kuzhinat, ashefet, sepetet e hambarët, ku, krahas zahireve të dimrit, krahas gatimeve tradicionale, krahas gjithë asaj kulture të trashëguar, gjeje edhe kulturën e shëndetit, mjekimin popullor me një cilësi të admirueshme, që në disa raste e ka patur dhe e ka zili edhe shkenca.