Një libër që përcjell mesazhe, ndjesi dhe emocion 

Nga Renato Totraku

Në fundin e vitit që sapo kaloi, fondit të librit shqiptar, iu shtua dhe libri i ri me titull “UDHA E BREZAVE” me autor Ndrec Molla. Qysh në titull, ky libër sjell midis shoqërisë sonë, mesazhin e bashkimit e të vijimit ndaj njëri-tjetrit, të dashurisë dhe të respektit njerëzor, ku përveç vështirësive e pengesave të shumta, përmban brenda edhe ekstraktin e duhur historiko-kulturor për një “ndërtesë” të përjetshme jo vetëm të familjes, por dhe të mbarë shoqërisë.

Autori Ndrec Molla, me një intuit shembullore, mbështetur në burime arkivore të sakta e të plota, ka ndërtuar një “kala” (fortesë) gjigande të lidhur e të gërshetuar në harmoni të plotë të gjithë elementët njerëzor të familjes e të shoqërisë. Përveç burimeve arkivore, me mjeshtëri është shfrytëzuar burimi popullor si nëpërmjet gojëdhënave, ashtu dhe nëprmjet vargjeve popullore që të emocionojnë e të japin atë relaks që ka nevojë njeriu. Pa marrë përsipër analizën e tërë librit, këtu në formën e një sinteze u ndaluam si domosdoshmëri të theksojmë disa vlera që meritojnë publikimin e tyre.

Familja Molla, pjestarët e djeshëm e të sotëm të saj, si arbërorë dje dhe shqiptarë sot, ka kaluar një rrugë të gjatë e të mundimëshme, plot vështirësi e pengesa, të cilat për kënaqësinë e të gjithëve i ka kaluar me sukses. Epiqendra e fshatit, me emrin Malaj, në krahinën e Mirditës, i ka shërbyer kësaj familjeje si një “trampolinë” për të kapur më të mirën për t’ua përcjellur brezave se nga vijnë. Vargjet popullore kushtuar Prengë Ndrec Molla, babai i autorit të librit “Dera e Mollës, Zdreni i shqipes/ Vjen ndërkohna amaneti/ E bekoi Marin Barleti/…” tregojnë se familja e tij në gjirin e shoqërisë m irditore, ishte një zë që flet shumë. Ky “bekim” nuk është thjeshtë një lutje por më shumë se kaq është një vlerësim biografik pozitiv arrirë gjatë historisë.

Duke iu bashkuar jetës së babait, Ndreca me vlerat e tij të larta, ia shton historinë që pati e ka kjo familje. Episodet e jetës së autorit, sa të shumta aq dhe të bukura, por dhe të vështira përbëjnë pikërisht atë ekstrakt historiko-kulturor që duhet të ketë familja dhe shoqëria. Fëmijëria si hapi i parë ijetës, me ngarkesat e saj fizike, morale e shpirtërore, gjithnjë të arrira pozitivisht , përbën bazën e mëvonshme të jetës së atyre personazheve që autori ka përfshirë gjatë trajtesës së tij në libër. Poezia e tij me titull “Atdheu”, përveç atdhetarizmit që tregon në përgjithësi, shërben dhe si një thirrje ndaj Zotit për të qenë “dorë për dorë si shqiptar”, që nënkupton lidhjen dashurore njerëzore për të qenë të bashkuar në “udhëtimet pa kufi” që jeta i dikton për t’i kryer.

Libri në tërësinë e tij përveçse është tregues i mirëfilltë, ai thuajse në çdo rrjesht përbën mesazhe domethënëse për të ecur në rrugët e jetës i sigurtë dhe i zhvilluar demokratikisht. Tek koncepti i demokracisë, autori ndalet shumë, sepse rruga që ka kaluar i ka mësuar ato gjëra që i kanë munguar gjatë jetës së tij. Kjo i jep edhe më shumë energji, që s’ndalet dhe as ngopet me këto që janë arritur, duke mbetur gjithnjë i etshëm për më shumë demokraci. Në këto synime të tij, brenda tyre shohim edhe trishtimet që e përshkruan, siç ishte rasti i ndarjes nga jeta i djalit të quajtur Ndoi, që krijoi në familje një pikëllim të thellë. E këtu, për kapërcimin e këtij trishtimi, autori ka gjetur dhe mbështetjen e familjes në përgjithësi dhe të bashkëshortes Dila në veçanti.

Libri në fjalë, me të 419 faqet, me kapitujt, çështjet e nënçështjet, me poezitë e vjershat me rimë dhe me shije të hollë, përbën një dokument serioz jo vetëm për t’u lexuar masivisht, por dhe për të nxjerrë mësime e për të ecur përpara si një domosdoshmëri. Evidentimi dhe përdorimi i fjalëve metaforike shërben si një mbyllje fantastike që siç thotë populli, “si një qershi mbi tortë” tregojnë se autori ka njohuri të sakta e të shëndetshme, që e bëjnë atë të vlertë jo vetëm në mjedisin e tij familjar por dhe në mjedisin shoqëror të tij e më gjerë. Një libër i tillë është domosdoshmërisht i nevojshëm të popullojë bibliotekat tona modeste, por dhe për bibliotekat institucionale, sidomos në ato të shkollave tona. Është një vlerë për përdorim masiv nga çdo qytetar shqiptar dhe jo vetëm. Mirënjohja jonë shkon për autorin, Ndrec Molla.

SHKARKO APP