Një monografi mbi historikun e parlamentarizmit shqiptar në Malin e Zi

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” ka botuar këto ditë librin “Deputetët shqiptarë në Malin e Zi në periudhën e komunizmit 1946-1990” me autor gazetarin dhe publicistin Gjekë Gjonaj.
Libri trajton përfaqësimin e shqiptarëve në jetën politike, gjegjësisht në Kuvendin e Republikës Popullore të Malit të Zi, Kuvendin Federativ dhe Kuvendin e Republikës Socialiste të Malit të Zi në kohën e monizmit.
Siç shprehet autori në Fjalën paraprijëse, “libri synon që, përmes fakteve dhe dokumenteve arkivore të Kuvendit të Malit të Zi, ligjeve kushtetuese të Republikës Popullore dhe Republikës Socialiste të Malit të Zi, Kushtetutës së vitit 1946, 1953, 1963 dhe 1974, të rikujtojë dhe të nxjerrë nga pluhuri i harresës, errësira e kohës dhe kujtesës të gjithë deputetët (delegatët) shqiptarë në Malin e Zi në periudhën e komunizmit.”
Edhe pse në fokus ka deputetët shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi, libri na ofron një pasqyrë informuese edhe mbi ndryshimet që ka pësuar gjatë viteve Kuvendi i Malit të Zi, në aspektin e rregullimit dhe organizimit, duke filluar që nga viti 1906, që konsiderohet si fillimi i Kuvendit të Malit të Zi e deri në vitin 1990.
Në këtë studim monografik, autori pasqyron në mënyrë kronologjike të 11 palë zgjedhjet që janë zhvilluar gjatë kësaj periudhe, duke arritur në përfundimin se gjatë 44 viteve të sistemit monist, në Kuvendin e Malit të Zi janë ulur gjithsej 46 deputetë (delegatë) shqiptarë. Një kapitull i veçantë i librit i është kushtuar jetëshkrimit të deputetëve shqiptarë.
Redaktor i librit është Ali Salaj, recensent Ismet Kallaba, kurse redaktor teknik Gazmend Çitaku.
Libri është botim cilësor me lidhje të fortë dhe është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë, ndërsa është botuar me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
Gjekë Gjonaj ka botuar më herët librat: “Prekë Cali, piramidë e kufijve të Shqipërisë” (monografi), “Njëmendësi shqiptare”, “Gjurmëve të kohës”, “Shqipet e maleve”, “Identiteti etnolinguistik dhe kulturor i shqiptarëve” dhe “Bijtë e shqipes”. Ky është libri i tij i shtatë.
Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 130 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

SHKARKO APP