“Një pasdite në muze”, fokus në periudhën e komunizmit
Në kuadër të programit Edukimi Përmes Kulturës, Muzeu Historik Kombëtar organizoi veprimtarinë “Një pasdite në muze” me temë: “Periudha e komunizmit në Shqipëri 1945-1990; Si t’i qasemi së kaluarës?” Këto takime periodike bëhen me qëllimin për të sensibilizuar shoqërinë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare.
Për të referuar për këtë temë ishin të pranishëm prof.as. dr. Sonila Boçi, shefe departamenti pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, Etleva Demollari, Drejtoreshë e Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” si dhe sociologia Entela Binjaku, raporton agjencia telegrafike shqiptare.
Në fjalën e tij, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, tha se, “në vendet totalitare propaganda dhe terrori paraqet dy anë të së njëjtës monedhë. Kudo që totalitarizmi zotëron kontroll absolut, ai zëvendëson propagandën me indoktrinimin dhe e përdor dhunën jo aq sa për të frikësuar njerëzit, sesa për të realizuar vazhdimisht doktrinat e tij ideologjike dhe gënjeshtrat e tij praktike. Në Shqipëri i gjejmë të gjitha format e komunizmit dhe një ndikim të madh ka pasur stalinizmi, e cila ka qenë ideologji sunduese. Në jetën politike regjimi komunist shqiptar ndoqi verbërisht përvojën sovjetike. Shqipëria ishte vendi socialist me diktaturën më të egër në vendet e lindjes komuniste”.
Sonila Boçi, midis të tjerash tha se, “dilemat që ka historia për atë regjim janë të shumta, pasi njerëzit duan të dinë për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe vuajtjeve të atij regjimi. Kurse në krahun tjetër janë nostalgjikët që kërkojnë vetëm të mirat e sistemit. Komunizmin shqiptar ajo e ndan në tre faza: vitet 1944-1954 periudha e vendosjes dhe konsolidimit të regjimit, 1954-1970 periudha e stabilizimit relativ të tij, dhe 1970-1990 periudha e stanjacionit, krizës ekonomike dhe rënien e regjimit”.
Ndërsa Etleva Demollari, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” tha se çdo trashëgimi duhet mbrojtur pa dallim nga Hollivudi, tek Holokausti. Ajo foli edhe për muzeun e kujtesës që ajo drejton dhe për programet e ndryshme që zhvillon me personat e prekur nga ai regjim, por edhe aktivitetet e shumta që zhvillon me shkollat, përmes programeve edukative. Sociologia, Entela Binjaku, prezantoi këtë aktivitet dhe u shpreh se, komunizmi është një temë e cila më shumë se çdo temë tjetër ka nevojë të trajtohet me objektivitet. Muzeu Historik Kombëtar organizon këtë takim shkencor-social me një natyrë periodike, për të përkujtuar figura të shquara të historisë dhe të letërsisë shqiptare, ballkanike dhe europiane që kanë shkruar dhe kanë kontribuar për evidentimin e vlerave kulturore. Studentët e vitit të parë të Fakultetit të Mjekësisë, të pranishëm në këtë veprimtari, kishin përgatitur pyetjet e tyre, duke marrë përgjigje nga ana e ligjëruesve.