Një portret i rrallë i Gjergj Kastriot Skënderbeut në veprën “Kamus al-a’lam”
Sami Frashëri
Emri origjinal i tij është Xhorxh ose Gjergj Kastrioti. Është i biri i Jan (Gjon) Kastriotit i cili, në kohën e pushtimeve osmane në Rumeli, ishte princ në krahinën e Krujës, d.m.th. të Akça Hisarit në Shqipëri. Ka lindur më 1404, e sipas një varianti tjetër më 1414 pas erës së re.
Kur Sulltan Murati II e kishte drejtuar forcën ushtarake kah Arnautllëku, babai i këtij, biografia e të cilit po shkruhet këtu, sado që i ishte nënshtruar atij, padishahu i sipërpërmendur, për të siguruar këtë nënshtrim, i pat marrë peng katër djemtë e Gjon Kastriotit dhe i pat dërguar në Edrene.
Skënderbeu ishte më i vogli.
Meqë ishte jashtëzakonisht i zgjuar dhe i guximshëm fitoi simpatinë dhe dashurinë e padishahut i cili e quajti Skënder në ngjasim me Lekën e Madh i cili i takonte të njëjtës racë me të.
Qe edukuar bashkë me princin Sulltan Mehmet Hanin II. Kur u rrit u emërua sanxhak-be në Serbi, në Sham dhe në shumë vende të tjera dhe si i tillë shërbeu në ushtrinë e Perandorisë Osmane.
Në luftërat që ndodhën pat treguar trimëri, guxim dhe shkathtësi të jashtëzakonshme ushtarake. Ishte aq i fortë dhe trim saqë kur dilte në dyluftim në praninë e padishahut të tij kundër shumë pehlivanëve që vinin nga vende të ndryshme për të provuar forcën dhe fuqinë e tyre, asnjëherë nuk humbte.
Kur i vdiq babai, territori në krye të të cilit ishte ai, iu aneksua shtetit Osman ashtu që në Akça Hisar (Krujë) u dërgua një muhafiz, ndërkaq, Skënderbeu në atë kohë gjendej në ekspeditën ushtarake në Sham.
Kur u kthye u njoftua se i kishin vdekur tre vëllezërit.
Skënderbeu parashikonte që pas vdekjes së të atit, njëri nga vëllezërit e tij ose ai vetë të emërohej si princ i krahinës së trashëguar.
Mosarritja e këtij qëllimi, në njërën anë, dhe vdekja e vëllezërve, nga ana tjetër, e hidhëroi, prandaj kërkonte rastin e volitshëm për të ikur.
Kështu, kur më 1443 pas erës së re qe dërguar ushtria në luftën e Moravës, ky, me një numër të vogël shqiptarësh që ishin me të, iku. Pasi që e mashtroi muhafizin e Akça Hisarit (Krujës) dhe pasi e riktheu pronën e të atit, i thirri princat dhe krerët e tjerë të Arnautllëkut për besëlidhje dhe bashkim, të cilët e njohën atë për kryekomandant të tërë Arnautllëkut.
Në sajë të aftësive dhe shkathtësive të veta si dhe me ndihmën e pozitës strategjike të vendit, ai mundi t’i bëjë ballë për një kohë të gjatë ushtrisë së dërguar nga ana e shtetit Osman. Mbretërit e krishterë të Evropës, e sidomos Papa dhe mbreti i Hungarisë, duke konsideruar se Skënderbeu do të jetë një digë hekuri kundër Perandorisë Osmane, vazhdimisht e nxitnin atë. Sado që ata kishin bërë marrëveshje me të, nuk kishin guxim të aktivizoheshin kundër fuqisë Osmane dhe, pasi që e futën në zjarr Skënderbeun, bënin sehir (vështronin) nga larg.
Sidoqoftë, Skënderbeu, me ndihmën e pozitës natyrore të vendit dhe në saje të një përgatitje të tij të posaçme luftarake, d.m.th. duke i zënë grykat, duke iu larguar luftës frontale, ka mundur t’i përballojë ushtrisë së madhe të drejtuar nga vetë Sulltan Murati II. Megjithëkëtë, si ushtria, si vendi i tij pësuan shumë. Sidomos u dëshpërua kur nipi i tij Hamzai dhe shoku i tij më trim, Mojsiu, i lëshuan radhët e tij dhe iu bashkuan ushtrisë osmane për të luftuar kundër tij. Mirëpo më vonë, që të dy këta i shtiu në dorë. Sulltan Mehmet Hani II, po ashtu, shumë herë pat dërguar ushtri kundër Skënderbeut dhe, më në fund Skënderbeu u detyrua të lidhë marrëveshje për paqe. Kjo marrëveshje u lidh më 1461.
Skënderbeu gjatë kësaj kohe kaloi në Itali për t’i ndihmuar Ferdinandit I, mbretit të Napolit e të Siqelisë kundër sulmeve të mbretit të Francës Sharlit VII. Për fitoren që e arriti me këtë ndihmë, Ferdinandi, si shpërblim ia dha Skënderbeut titullin Duka i Shën Pjetrit. Kur u kthye nga kjo ekspeditë në vitin 1463, me nxitjen dhe imponimin e Papa Piut II, Skënderbeu e prishi marrëveshjen dhe përsëri ia filloi luftës kundër Perandorisë Osmane. Këtë herë Sulltan Mehmeti II dërgoi një ushtri të madhe dhe, duke kuptuar Skënderbeu se nuk do të mund t’i bëjë ballë, edhe meqë u sëmur, për të kërkuar ndihmë nga venedikasit shkoi në kasabanë e Lezhës, ku më 1467 vdiq.
Ndonëse u varros në Lezhë, meqë ishte përhapur fjala se eshtrat e tij të ruajnë nga të goditurit e armëve, u nxorën copat e tyre dhe u varën në teshat e luftëtarëve. Ai pas vetes la një djalë në moshë të re, i cili bashkë me disa krerë iku për në Venedik dhe ende nuk dihet se ç’u bë me të.
Menjëherë pas vdekjes së Skënderbeut u dorëzua Kruja dhe u pushtua i tërë Arnautllëku, duke rënë nën qeverisjen e drejtpërdrejtë të Perandorisë Osmane. Historia e Skënderbeut është shkruar në gjuhën latine nga bashkëkohaniku dhe ithtari i tij i quajtur Barleti.