Një rrëfim tragji-komik për gjendjen tonë postmoderne

Përshtypje rreth romanit “Dielli më perëndon në Lindje” të autores Eralda Baze, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Schnell”

Albert Gjoka
Romani “Dielli më perëndon në Lindje” i autores Eralda Baze është kthyer tashmë në një ngjarje letrare mes veprave që autorët shqiptarë i përcjellin për komunikim lexuesit gjatë viteve të fundit. Një gjë e tillë shpjegohet qartazi me numrin e lartë të lexuesve dhe të leximeve që i janë bërë përgjatë këtyre muajve; me mënyrën sesi ka reaguar lexuesi i specializuar deri më tani; me takimet e zhvilluara në disa qytete të vendit, me shitjet që raportojnë libraritë e ndryshme, por edhe nga përzgjedhja që ka bërë së fundi platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al, duke e listuar mes shtatë prurjeve më të mira romanore të botuara gjatë vitit 2021 nga autorët shqiptarë.

Por, përtej këtyre fakteve, duhet thënë se ky roman sjell një mënyrë të re të shkrimit në letrat shqipe, përmes orgjinalitetit dhe guximit në sendërtimin e një bote tjetër fictionale. Lexuesit kanë vënë re me të drejtë përdorimin e teknikave rrëfimtare që janë tipar i letërsisë postmoderniste. Në letrat shqipe letërsia postmoderniste vjen si një eksperiment, pa dëshmuar tipare të strukturuara qartë; – teksa lexuesi i kësaj narrative ende ka pengesa për një receptim normal – edhe për shkak të shijeve estetike ekzistuese.
Së pari, konstatohet aftësia e autores për të rrëfyer botën e zakonshme përmes një stili minimalist dhe falë talentit të saj kapërcehet rrëfimi i ngjarjes sipas një qasje moderniste. Këtu ngjarja nuk ka rëndësi më tepër sesa ndjesitë dhe gjendjet e një personazhi që nuk është i aftë të mbrujë identitetin e tij në një realitet vazhdimisht të ndryshueshëm dhe të ndërlikueshëm; pse jo edhe për shkak të pranisë së shtuar të realitetit virtual, teksa qenia përjeton pikun e “gjendjes postmoderne”.

Historia që qendërzon romanin mund të jetë historia e secilit prej nesh, por autorja e shpërben historinë dhe rrok më së miri tiparet e “lëngëta” të individit dhe mënyrën sesi mjedisi e asgjëson qenien që mendon. Aq më tepër, kur flitet për femrën, paçka se autorja nuk mëton të ndërtojë një roman tipik feminist.

Personazhi kryesor gatuhet me një lëndë kulturologjike të lartë dhe me lojëra intertekstuale tejet të veçanta, – edhe këto tipare të letërsisë postmoderniste. Vetë letërsia dhe librat që lexon personazhi ynë vijnë si realitete referenciale për të pasqyruar kundërshtitë dhe dramën që përjeton individi i ditëve tona në një botë ndjesish, përkundër modelit që na ka imponuar bota e arsyes përgjatë gjithë historisë së saj.
Një tjetër vlerë që spikat në rrëfimin e autores është edhe larmishmëria e regjistrave të ironisë dhe sarkazmës që enden thjeshtë dhe bukur në një mjedis tragji-komike. Një botë plot paradokse prodhon gjendje dhe situata të tilla, sidomos për individin që kërkon t’i shpëtojë shoqërisë së konsumit, si një individ që guxon ende të mendojë dhe jetojë në botën e kulturës dhe mendimit. Këtë realitet autorja e sendërton përmes gjuhës, neologjizmave dhe kthimit të zhargonit të përditshëm në gjuhë tregimtarie, – për të përcjellë sa më mirë atomsferën e mjedisit që na rrethon.

Këto elemente i japin veçantësinë veprës dhe i krijojnë mundësinë lexuesit që të përjetojë një proces receptimi disi të ndryshëm nga shumica e veprave letrare që mund të kemi lexuar deri më tani nga autorët bashkëkohorë shqiptarë.
Por, pika më e fortë e këtij romani, – që besoj se sfidon secilin prej nesh gjatë leximit të romanit, – ka të bëjë zhbërjen e identitetit të individit në epokën që jetojmë: Pamundësinë për të dëshmuar copëzat e identiteti tënd si pjesë e bashkësisë apo traditës ku bën pjesë; si individ i edukuar dhe me ambicje profesionale, si qenie me ideale dhe pasione.
Kur gjendesh në pamundësinë për ta dëshmuar qoftë edhe një aspekt të identitetit tënd, këtu buron edhe drama e individit në këtë roman. Era është e tillë, por edhe personazhet e tjera që e rrethojnë atë kanë të njëjtin fat apo dobësi, – qoftë Eva apo edhe Viola dhe ndihmojnë për të kuptuar më mirë tiopologjinë e individit.

Paradigmat e deritanishme për formësimin e individit nuk kanë më pikë vlere në shoqërinë e spektaklit, së cilës nuk i nevojitetit më as kontributi dhe as mendimi i jot. Realiteti virtual dhe komunikimi në rrjet e ka bërë më të ngatërruar këtë dreq bote, a thua se je në një xhungël ku do të fitojë ai që ka dhëmbët dhe thonjtë më të mprehtë, kollaren më të gjatë, make-upin më të rëndë, xhepat më të majmë, rrobat më firmato, makinat më të shtrenjta, vilat më të bukura, miqtë më të fortë, karrigen më të pushtetshme dhe ndjekësit më të çmendur…

Një vajzë e edukuar jashtë vendit, që njeh disa gjuhë të huaja, që ka pasion të jashtëzakonshëm të lexuarin, – si edhe Era jonë, – që shfaq aftësi dhe vullnet për të punuar, nuk i vlen aspak botës të cilën e shohim dhe e prekim. Në cilin vend të botës do të konsiderohej i shkretë apo i pazoti një individ që zotëron dije apo kulturë, pasione dhe aftësi profesionale, – veçse në një realitet si ky i yni!?!

Dhe këtu zë fill drama e personazhit tonë, por edhe e secilit prej nesh. Përgjatë gjithë librit përcillet në mënyrë therëse pikërisht ky raport që të rinjtë e sotëm kanë me të shkuarën e tyre, me historinë, me sistemin arsimor, me politikën, me tregun e punës, me besimin, me kombin dhe së fundi me emigrimin, e cila mbetet si e vetmja rrugëzgjidhje jetëshpëtuese për të ikur nga sytë – këmbët prej kësaj skëterre që kemi ndërtuar të gjithë së bashku. Dhe jo se do të gjejnë diçka më të mirë jashtë Shqipërisë! E tillë është edhe historia e Erës me Miladin/Asmaranin e saj nga Kajro, me të cilin ndan të njëjtat sëmundje dhe të njëjtat drama sociale në një botë të vogël tashmë: Të dy i varen më kot njëri-tjetrit, pa mundur t’ia zgjidhin hallet njëri-tjetrin…

Më e shumta që mund të bësh, – sipas personazhit tonë, – është “të bësh kompromis për bukën e gojës – kjo është Shqipëria. Pffffffff”. Për asgjë tjetër…. Nuk mund të ëndërrosh; nuk mund të ndërtosh; nuk mund të ecësh përpara me parimet dhe vlerat e tua apo të atyre që vetë shoqëria i ka shpallura publikisht në letër dhe me Kushtetutë apo që t’i ka imponuar me forcën e ligjit, pasi e paligjshmja, e pandershmja, e korruptueshmja apo kriminalja janë standardi në mazhorancë, – tashmë edhe mënyra e re e të menduarit, të jetuarit dhe të vepruarit, dhe soji i tyre janë të mbështetur fort nga dora e shtetit, në mos qoftë vetë shteti, si një merimangë e zezë e cila nuk e do qenien me mendim, me norma dhe parime. Nga këtu rrënjëzohet e gjithë bota që ushqen romanin, – i cili i komunikohet lexuesit pa revoltën për ndryshimin e realitetit, pa propozuar ide, pa akuzuar askënd, por thjeshtë duke e shfaqur troç, – krejt ashiqare, ashtu siç është, – në çdo “frame” të tij, këtë realitet tragji-komik që na mbyt çdo gjë të mirë brenda nesh dhe na ringjall çdo instikt mbijetese që flenë në pjesën e pasme të trurit tonë. Si i tillë, romani nuk duhet lexuar as si një roman pesimist. Nuk e mban një peshë të tillë. Të duket sikur individi përjeton atë që thotë me të drejtë Alain Finkielkraut në librin e tij, “Disfata e mendimit”: “Dhe jeta nëpërmjet mendimit ia lëshon vendin butësisht ballafaqimit të tmerrshëm dhe qesharak mes fanatikut dhe zombit”. Kjo nuk është vetëm drama e mjedisit tonë, por është një gjendje globale dhe autorja e rrëfen si duhet rendin e shprishur në mjedisin që jetojmë… Ky është “misioni” i rrëfimtarit, dhe një gjë të tillë Eralda Baze e tjerr natyrshëm, – pa zejen shkollareske të naracionit, por me talentin e rrëfimtares – duke përdorur armët që prodhon vetë mjedisit, me ironi therëse, deri në fund, kur personazhi ndëshkohet në përpjekjen e tij për të qenë vetvetja. Pse jo, një autor mund të shkruajë bukur që herën e parë…

Të gjithë këto elemente mbi të cilat është ndërtuar romani e kthejnë atë në një pikë referuese për letërsinë e mirë që pret me të drejtë lexuesi i sotëm prej autorëve shqiptarë.

SHKARKO APP