“Një shqiptar në CIA”: Misioni i vullnetarëve të vdekjes në mes të dështimit dhe ngadhënjimit

Nga Afrim Demiri

Njohja dhe interpretimi i historisë tek ne, shpesh ka mbetur në kornizat qoftë të rrëfimeve gojore, brez pas brezi, qoftë të  shkrimeve stereotipe, sa nga kufizimet dhe mbizotërimet ideologjike, sa nga metodologjia e shkrimit drejtvizor. Mungesa e librave studiues me qasje analitike dhe integruese, ka lënë lexuesin larg  joshjes së intrigës dhe për më shumë larg njohjes të së vërtetës së plotë historike.

Duke përfunduar kjo gjë  nëpër  fejtone të shkruara ad hoc,  apo në një publicistikë sipërfaqësore, ku  është theksuar gjuha folk-nacionaliste, vazhdimisht është rrezikuar që të krijojmë opinion të njëanshëm qoftë për njerëz, personalitetet apo edhe për periudha kohore.

Kohëve të fundit ka përpjekje të kapërcehet ky pozicion jokreativ, posaçërisht në fushën e publicistikës dokumentare, ku doemos autorët i kushtojnë rëndësi gërshetimit të të dhënave nga shumë burime duke u ruajtur nga çfarëdo animi apo paragjykimi historik apo ideologjik.

Kjo qasje të mbizotëron gjatë leximit të librit «Një shqiptar në CIA ( Dy jetë të Destan Berishës)» të autorit Bashmir Xhemaj, i cili këto ditë ka dalë nga shtypi, i botuar nga shtëpia botuese «Dukagjini».

Shpëtimi nga qielli, apo  idealizmi i një parashutizmi

Ky libër është shembulli mbase më i mirë i ilustrimit të thënies se paragrafët e parë të historisë i shkruan gazetaria. Është ky një rrëfim që fillon nga një fshat margjinal i Prizrenit, Billusha, për të  marrë formën e një shtëllunge,  që mbështjellë tërë rruzullin, që nga fatet e shumë personaliteteve vendore dhe botërore që kapërthehen nëpër proceset e historike dhe politike.

Shtrati i rrëfimit të Bashmir Xhemajt është vendosur në një trekëndësh sa historik, gazetaresk po aq edhe letrar. Tamam në përputhje  më atë që një  libër e bënë intrigues, nëpërmjet qasjes integruese, kur dëshirohet të pasqyrohen ajo fazë që i parapriu Luftës së Ftohtë si dhe  pasojat e saj. Rrëfimi i përmbushur me plot  pamje skenike me ndërrim të  tablove me plot plascitet të shprehjes, e bënë librin të përngjajë në një kronikë të kohës së Luftës së Dytë Botërore, pastaj të periudhës pas saj dhe të krijimit të përplasjeve ideologjike mes blloqeve në formim e sipër e deri tek marrja formë e Luftës së Ftohtë në mes të Perëndimit, më një anë dhe të Lindjes, në anën tjetër.

Për aq sa libri tingëllon një kronikë e besueshme, po aq autori prej faqes në faqe shndërrohet në një dëshmitar të kohës, duke shpalosur jo vetëm kryepersonazhin e tij , luftëtarin e nacionalizmës shqiptare, Destan Berishën, por tërë kompleksitetin e ngjarjeve, të cilat popullin shqiptar e kanë futur në grykën  e proceseve, shpesh tragjike për të.

Kush është Destan Berisha? Për shumëkë nga brezi më i moshuar, ky rrëfim është një nga rrëfimet me të cilat jemi rritur në rrethet tona, për njerëzit që nuk janë pajtuar me ngadhënjimin e komunizmit. Mund të jetë një nga luftëtarët e Shaban Polluzhës, Idriz Gjilanit, Adem Gllavicës, Xhafer Devës, apo thjeshtë një nga viktimat e mijëra shqiptarëve të pushkatuar nën anatemimin se ka qenë kundërshtar i komunizmit. Por lexuesit më të rinj, mund të gabojnë nëse e shohin personazhin e Bashmirit Xhemajt apo edhe tërë librin vetëm si një libër nën syrin konspirativ si vepër të shërbimeve apo të komploteve. E vërteta duhet të kërkohet me një lexim më të thellë, duke gërmuar në fatin e Berishës, i cili përgjason, identifikohet me fatin e përgjakur të Kosovës.

Fakti që Destan Berisha bëhet pjesë e një operacioni amerikan, të fshehtë të koduar me emrin BGFIEND, në fillim të viteve ‘50, për të provuar rrëzimin e komunizmit në botë, duke filluar nëpërmjet Shqipërisë, nuk guxon të na krijojë paragjykimin e vlerësimit, pa i rënë në fund leximit të librit. Këtë e them nga bindja se nacionalizma shqiptare i ka kapërcyer ideologjitë, dhe vetëm si e tillë ka mundur ta ruaj popullin shqiptar nga shfarosja.

Kjo kronikë e vonuar publicistike, e shkruar duke ndjekur gjurmët e stilit të  autorit Ilir Ikonomi, të krijuara në veprat e tij me karakter monografik për Konicën dhe Esat Pashë Toptanin, është  mbështetur në dokumente, shënon tipizimin e  gazetarisë hulumtuese, që nxirret nëpërmjet arkivave, intervistave, librave dhe artikujve. Me anë të
parabolave kohore, Bashmir Xhemaj na mbanë në të dy kohë njëkohësisht, në të shkuarën dhe në të ardhmen apo na kthen anasjelltas, për shembull fillon me misionin e parashutizmit dhe e ndërlidhë me  bombardimet e NATO-s, duke portretizuar Frank Wisnerin, plak, si udhëheqës i misionit sekret si dhe djalin e tij Frank Wisnerin, të ri, nëpërmjet procesit legal të negociatave për Pavarësinë e Kosovës.

Parabolizmi vazhdon kur njeri nga  parashutistët misionarë, Beqir Bajgora del të jetë gjyshi i publicistit Blerim Shala, duke i lidhur brezat, por edhe proceset. Parabola tjetër e dhembshme është se nacionalistët shqiptarë nëpërmjet një golgote përfundojnë në fund të Luftës së Dytë Botërore si refugjatë në Kampin e njëjtë grek, i cili edhe sot shërben për refugjatët. Kur kësaj i shtohen bisedat e Xhemajt me telefon me bashkëpunëtorët e Destanit që ende janë gjallë, krijohen parafytyrimet autentike te kohës.

I gjithë ky rrëfim parabolik krijon një dinamizëm të ngjarjeve me plot kodime, fshehtësi, tradhti, vrasje, duke u shpalosë personalitete që i njohim nga real-politika, si Xhafer Deva, Ernest Koliqi etj. Për shkak  të kapërcimit të shkrimit të monografive të deritashme të cilat ndjekin udhën biografike të personaliteteve, prej lindjes deri tek vdekja, ky libër tingëllon monografik, por më së paku është i tillë. Edhe pse  i shkruar që të zbulojë sekretet e një misioni, në këtë libër sikur vetvetiu «zbulohen» shumë sekrete të pazbuluara. Sekreti i sekretit që mbetet sekret, do të tingëllonte një si tautologji, për këtë libër.

Çështja shqiptare trajtohet dhe reflektohet si e mbetur pezull, në mes ideologjive dhe fushave të ndikimit, por duke sjellë një zgjerim të konceptit mbi nacionalizmën shqiptare. Iluzionet e lirisë tek njeriu shqiptar rrezatojnë sa shpresë, sa pathyeshmëri po aq edhe naivitet politik. Shqipëria etnike si gjakim, krijon sintagmën e padëgjuar në realitetin tonë  të formës – vullnetarët e vdekjes.

Paramendojeni kryepersonazhin Berisha, i cili tri herë lëshohet me parashutë në një mision të krijuar që të jetë sekret, kurse në fund del që ai ka qenë komplet i përgjuar apo i dekonspiruar ende pa filluar mirë. Kim Philby, aq i përfolur në botën politike shqiptare na shfaqet në këtë libër me krejt misteriozitetin e tij, ashtu siç na shfaqet edhe Sigurimi shqiptar. Në mes këtyre dy thikave bien parashutistët shqiptarë. Nëntitulli i librit «Dy jetë të Destan Berishës» mbase ka mundur të jetë: «Shumë jetë të Destan Berishës».

Rikonstruktuimi i situatave, si metodë e rrëfimit

Lidhjet amerikane-shqiptare kanë një histori në vete, ato datojnë më herët se misioni i Destan Berishës. Por këto marrëdhënie marrin një dimension të ri nëpërmjet sakrificës së djemve shqiptarë dhe posaçërisht të atyre shqiptarëve nga Kosova, në këtë mision të CIA-s, e cila përzgjedh për fatalitetin e tyre Shqipërinë si vend të sprovës së madhe, rrëzimin e komunizmit. Andaj ky libër na dëfton se nëpër çfarë sprovash kanë kaluar këto marrëdhënie, deri tek ardhja e bombardimeve të NATO-s, ku roli amerikan del të jetë vendimtar. Shikuar nga ky prizëm, ky libër gjatë leximit të tij të liron nga ideologjia, sepse antipodet kapërcehen me fatin e Berishës, i cili veten e ka pa vetëm si luftëtar të Shqipnisë etnike.

Shpalimi i anës njerëzore me gjithë dobësitë e natyrës njerëzore dalin në pah nëpërmjet dyshimeve brenda grupit, brenda njërit apo tjetrit shërbim të sigurimit, naiviteti i njeriut tonë  krahas pathyeshmërisë së tij janë si dy vija paralele që shpesh dinë ta caktojnë çmimin e lartë të jetës. Në një përmasë të veçantë shfaqen edhe raportet në mes Shqipërisë socialiste të Enver Hoxhës dhe Jugosllavisë së Josip Broz Titos, të cilat për kosovarin shpesh kanë luajtur rolin e kurthit. Galeria e personazheve, prej atyre familjarë e deri tek diplomatët, figurat historike e deri tek gazetarët si Kupi, Ermenji, Frashëri, Bajraktari, Deva, Smani, Kabashi, Bajgora, Koliqi, Kruja, Hoxha, Neubacher, Philby, Bethell, Conte, Elbrick, Fisher, Hilbert parakalojnë me një  dinamikë që portretizojnë kohën  e tyre duke iu afruar dhe ruajtur autenticitetin e saj.

Misioni BGFIEND mbase na e sjell xixat e para të konfliktit të Luftës  së Ftohtë të grindjeve te zjarrta mes demokracisë perëndimore dhe komunizmit rus. Andaj libri për Destan Berishën duhet të lexohet si libër për fatin  e këtij misioni. Berisha del nga burgu i fashistëve italianë nëpërmjet një tuneli i cili bartë simbolikën e tunelit të dritës deri në fund të librit, si dhe sintagmën se a duhet të durohet apo duhet të provohet.

Në përgjithësi Bashmir Xhemaj ka gjetur çelësin e rrëfimit edhe nëpërmjet rikonstruktimit të situatave qoftë nëpërmjet rrëfimeve gojore apo të nxjerra nga dokumentet dhe pastaj duke e përimtësuar këtë rrëfim nëpër situatat jetësore na dalin në pah edhe rikthimi në balada, rinjohja dhe ringjallja, kur Destani kthehet në fshat pas shumë dekadave, pastaj na shfaqet një ridashuri, kur ai dashurohet në një greke. Destani rilindet në shumë situata i gjetur në prag të pushkatimeve dhe dënimeve me vdekje. Kurse krejt libri është në funksion të rishikimit të historisë dhe rivazhdimi i misionit të Berishës merr kuptim me çlirimin e Kosovës. Destan Berisha vdiq në vitin 2004.

Edhe autori Bashmir Xhemaj, po si kryepersonazhi i tij, hyn në misionin e tij të publicistikës dokumentare të Kosovës me parashutë, por derisa për misionin e Berishës është dashur të kalojë gjysmë shekulli që të realizohen idealet e tij, frytet e punës së Xhemajt shijohen nëpërmjet leximit të kësaj vepre. Ky libër vjen tek lexuesi pikërisht në kohën kur në Shqipëri kanë shpërthyer debate mbi raportet ndërshqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, kurse në Kosovë këto raporte sikur po mbahen nën plaf.

SHKARKO APP