Një vepër që i mungonte shqipes e kulturës sonë kombëtare
…fatkeqësisht, siç po ndodh shpesh në ditët e sotme, vepra është sulmuar keqazi, madje duke fyer dhe autorin e nderuar, nga persona që nuk kanë asgjë të përbashkët me shkencën, me albanologjinë, me gjuhësinë dhe aq më pak me gjuhësinë historike e historinë e gjuhës shqipe…
Nga Prof. dr. Valter MEMISHA
Në muajin nëntor 2017, dolën nga shtypi kopjet e para të “Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe”, hartuar nga akademiku Kolec Topalli, vepër madhore e gjuhësisë shqiptare, vepër që i mungonte shqipes e kulturës sonë kombëtare. Fjalori u hartua si projekt pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë dhe u botua me siglën e Akademisë së Studimeve Albanologjike.
Por fatkeqësisht, siç po ndodh shpesh në ditët e sotme, vepra është sulmuar keqazi, madje duke fyer dhe autorin e nderuar, nga persona që nuk kanë asgjë të përbashkët me shkencën, me albanologjinë, me gjuhësinë dhe aq më pak me gjuhësinë historike e historinë e gjuhës shqipe. Të gjendur rastësisht pa punë në këto kohë të ekonomisë së tregut, këta persona (nuk do të dëshiroja të shtohej numri i tyre), na u gdhinë një ditë të bukur “gjuhëtarë”, madje të shquar, dhe me etimologji popullore, nga gjendja e sotme e shqipes, shpjegojnë gjithë fjalët e gjuhëve të botës me fjalët e gjuhës sonë, duke mëtuar se kanë arritur të zbresin deri te pellazgjishtja, si gjuha e të parëve tanë. Sa do të donim! Por për rrugët e ndjekura prej tyre, metodat joshkencore të përdoruara dhe për lëndën që interpretohet, është pak të thuash se janë në një romantizëm gjuhësor. Fatkeqësisht këta persona, as me formim fillestar gjuhësor, mohojnë gjithë prurjet e albanologjisë deri më sot, studimet e albanologëve shqiptarë e të huaj, për shqipen e historinë e saj, e, krejt pandashëm, për shqiptarët e historinë e tyre.
Gjithashtu, dua të theksoj se gazetaria jonë shkencore e fushës së historisë dhe të gjuhësisë mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë që hedh për konsum mediatik tezat e këtyre personave. Në emër të lirisë së të shprehurit në emision, gazetarë të paformuar, e përsëris, të paformuar, nuk janë në gjendje të pohojnë arritjet shkencore e të kundërshtojnë kështu tezat a pasakta e qëndrimet nihiliste të folësve “gjuhëtarë”.
P.s. Më poshtë po jap një kumtesë për këtë Fjalor, mbajtur para 6 vjetësh në Universitetin e Gjirokastrës. Atëherë vepra ishte konceptuar të botohej në 4 vëllime, por autori dhe Këshilli Shkencor e panë të arsyeshme të dilte në një vëllim, si ai që ka dalë, tashmë në qarkullim (me 1984 faqe).
Ju falënderoj për vëmendjen.
Kush është i interesuar të marrë një informacion të përgjithshëm, joteknik, për Fjalorin, le të lexojë materialin.
Prof. dr. Valter MEMISHA
Drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë
Akademik Kolec Topalli dhe “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe”
Akademik Kolec Topalli shpërfaq një personalitet shkencor shumëplanësh, duke u dalluar, si rrallëkush në gjuhësinë bashkëkohore shqiptare, për përkushtim e punë zelltare, për energji të jashtëzakonshme e të pashtershme, për skrupulozitet e seriozitet shkencor, veçori që sendërtohen në një prurje të begatshme e cilësore veprash. Unë po ndalem te një vepër madhore e këtij shkencëtari, fisnik në shpirt, fisnik në qytetari e fisnik në shkencë, te Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe.
Shqipja ka në fondin vet rreth 500 fjalorë të tipeve e llojeve të ndryshme. Megjithatë, në spektrin leksikografik të saj shfaqen zbrazëti për vepra që kërkohen shumë nga përdoruesi, që duhen hartuar patjetër, edhe sepse janë detyrim i punës të qarqeve shkencore dhe akademike. Në këtë vështrim, shqipes i mungon një fjalor etimologjik, i hartuar nga një gjuhëtar shqiptar, d.m.th., nga një gjuhëtar që shqipen ta ketë gjuhë amtare. Shqipja, deri në këto çaste ka në përdorim dy fjalorë etimologjikë, që të dy të hartuar nga albanologë të huaj, Fjalorin etimologjik të Gustav Meyerit dhe Fjalorin etimologjik të Vladimir Orelit. Këta fjalorë, krahas vlerave të pamohueshme që mbartin, për shumë arsye nuk mund t’u përgjigjen kërkesave dhe nevojave të sotme, të botës shkencore dhe jo vetëm asaj shkencore, për një vepër të tillë. Shkaku lidhet me atë që i pari, i botuar para 120 vjetësh, kuptohet se është i mangët në lëndë dhe i vjetruar nga shumë anë, kurse i dyti, edhe pse i botuar para 14 vjetësh, përsëri mbart mangësitë, nga që është hartuar përsëri nga një i huaj, i cili, krejt natyrshëm, nuk mund ta njohë sa e si duhet shqipen dhe ndër të tjera, pasurinë leksikore të saj.
Hartimin e një Fjalori etimologjik, të një vepre të nevojshme e të domosdoshme, por edhe që do t’i përgjigjet kërkesave dhe nivelit të studimeve bashkëkohore shkencore, e ndërmerr albanologu shqiptar, akademik Kolec Topalli.
1. Cila është arsyeja që Kolec Topalli erdhi te Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe? Ai erdhi, jo rastësisht, jo spontanisht, por pashmangshëm e më se logjikshëm te kjo sipërmarrje tejet e vështirë. Duhet të pranojmë se ai erdhi te hartimi i kësaj vepre nga ambicia dhe nga përgjegjësia intelektuale. Puna e vazhdueshme në studimet historike për gjuhën amë e çoi detyrimisht te kjo vepër sinkrete. Dihet se fjalorët etimologjikë janë vepra të domosdoshme për një gjuhë, aq më shumë për shqipen. Funksioni, misioni dhe roli i këtyre fjalorëve janë të pazëvendësueshëm. Sipas Kolec Topallit, “këta fjalorë janë pasqyrë e historisë së gjuhës dhe, në një kuptim më të gjerë, janë pasqyrë e historisë së vetë popullit që e flet atë. Për gjuhën shqipe fjalorë të tillë dëshmojnë trashëgiminë e hershme mijëravjeçare të ruajtur brez pas brezi që nga periudhat më të hershme të njerëzimit, si edhe rrugën e vështirë të historisë së shqiptarëve përgjatë shekujve, me kontakte të shumta e të vazhdueshme me kombe e popuj të ndryshëm, të cilët kanë lënë gjurmët e tyre në histori dhe në gjuhë, në tradita e zakone, në doke e fe, në mënyrën e jetesës dhe në mendësinë e tyre.”
Nevoja e një fjalori etimologjik ishte dhe është e madhe. Por mungesa e tij ka qenë pengesë serioze në vetë punën e Kolec Topallit për të arritur rezultatet e dëshiruara në 20 vjetët e fundit në lëmë të historisë së shqipes, punë që fillon me fonetikën historike e vjen te gramatika historike. Autori i fjalorit, tashmë në proces, ka qenë i detyruar të hulumtojë shumë etimologji për fjalë dhe për forma fjalësh, një pjesë prej tyre të mirëqena e të mirëpranuara, etimologji të tjera të pastudiuara sa e si duhet ose asfare, kurse një pjesë të tjetërsuara burimisht. Për këto të fundit ai ka bërë ndërhyrjet dhe ndreqjet e duhura shkencore. Gjithë kjo punë krijoi një bazë të bollshme dhe të sigurt për hartimin e fjalorit dhe i dha dhe shtysën për sipërmarrjen.
Kolec Topalli vendosi të hartojë një vepër monumentale, duke qenë i vetëdijshëm për vështirësitë shumëplanëshe. Kush është hartues fjalori, e di ç’do të thotë kjo lloj pune dhe vetëkuptohet që këto vështirësi shumëfishohen kur hartohet një fjalor etimologjik. Në rastin në fjalë, siç thotë vetë hartuesi, vështirësive objektive u shtohen ndjeshëm ato që janë specifike për gjuhën shqipe, ndër të cilat mund të përmendeshin: shqipja ka bërë ndryshime të thella gjatë rrymës së shekujve dhe zbërthimi etimologjik i fjalëve të saj, sidomos i elementit të trashëguar, paraqitet shumë i vështirë; shqipja është dokumentuar vonë, proces që fillon vetëm me mesjetën e vonë; shqipes i mungon një fjalor i madh i tipit thesaurus, ku të përfshihet e gjithë pasuria leksikore; i mungon një fjalor historik, studimet për të folmet dialektore dhe botimet e pakta të fjalorëve krahinorë janë të pamjaftueshme etj.
3. Kur erdhi akademik K. Topalli te Fjalori? Dy dhjetëvjetëshat e fundit për këtë gjuhëtar mund të shenjohen me dy fjalë: punë dhe prodhimtari. Ai boton 14 monografi të mirëfillta shkencore, me prurje cilësore të vlerësuara në rrethet akademike e më gjerë (Theksi në gjuhën shqipe, Tiranë, 1995; Për historinë e hundorësisë së zanoreve në gjuhën shqipe, Tiranë, 1996; Zhvillimi historik i diftongjeve të shqipes, Tiranë, 1998; Shndërrime historike në sistemin zanor të gjuhës shqipe, Tiranë, 2000; Sonantet e gjuhës shqipe, Tiranë, 2001; Mbylltoret e gjuhës shqipe, Tiranë, 2002; Fërkimoret e afrikatet e gjuhës shqipe, Tiranë, 2003; Dukuritë fonetike të sistemit bashkëtingëllor të gjuhës shqipe, Tiranë, 2004; Fonetika historike e gjuhës shqipe, Tiranë, 2007; Evolucioni historik i përemrave të shqipes, Tiranë, 2008; Sistemi rasor i emrave të shqipes, Tiranë, 2009; Sistemi foljor i gjuhës shqipe, Tiranë, 2010; Gramatikë historike e gjuhës shqipe, Tiranë, 2011).
Kurse tani vjen me Fjalorin etimologjik, një vepër që kurorëzon synimet e objektivat e tij shkencorë, dhe realizon edhe një nga objektivat e kryehershëm të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, duke bërë realitet një ëndërr të akademik E. Çabej. Tërthorazi, puna për hartimin e veprës e ka zanafillën në vitet që mbyllën shekullin e kaluar, atëherë kur K. Topalli nisi kërkimet e hulumtimet në fushën e historisë së gjuhës shqipe, të kurorëzuar me këto monografi dhe me dhjetëra artikuj e kumtesa shkencore të referuara në veprimtari të rëndësishme ndërkombëtare brenda e më shumë jashtë vendit. Kurse hartimi i drejtpërdrejtë i Fjalorit etimologjik merr udhë në fillim të vitit 2011.
4. Ku mbështetet autori në hartimin e kësaj vepre? Së pari e vetvetiu, mbështetet në studimet etimologjike dhe në studimet në fushën e historisë së shqipes që, për hir të së vërtetës, janë jo të pakta, edhe pse ato nuk janë kurorëzuar me një fjalor etimologjik siç e kërkon koha. Dijetarët që janë marrë me këto studime, njihen si figura të shquara, janë albanologë shqiptarë dhe të huaj, të kalibrit botëror, evropianë e ballkanikë. Punimet e tyre janë parë me themel nga Kolec Topalli, i cili pohon se ka shfrytëzuar studimet e kryera nga dijetarë të tjerë në këtë fushë prej më shumë se një shekulli e gjysmë dhe se është mbështetur drejtpërdrejt në përfundimet e arritura gjatë punës së vet të stërlodhshme. Nëse sheh vetëm bibliografinë e Fjalorit, aty do të gjesh mbi 1000 autorë dhe vepra, 297 burime si fjalorë etj., paraqitja e të cilave në vepër zë 62 faqe të vëllimit të parë, duke formuar kështu një libërth me vete. Kush është i përfshirë në vorbullën e shkencës, e kupton se ç’do të thotë një vëllim kaq i madh referimesh shkencore.
Por pikë kryesore referimi, për hartimin e Fjalorit dhe më gjerë, për K. Topallin janë studimet e akademik E. Çabej, të cilat, sipas fjalëve të hartuesit të veprës i “kanë shërbyer si pikëmbërritje dhe si pikënisje; si pikëmbërritje, meqenëse në hulumtimet e tij janë përmbledhur të gjitha studimet e mëparshme bashkë me kritikat përkatëse; si pikënisje, meqenëse plotësimet, shtesat e zgjidhjet e reja i kemi bërë duke u nisur nga ky dijetar, ashtu sikurse ai vetë në kohë të tij mori si pikë referimi studimet etimologjike të Meyerit”. Po sjellim një fakt ilustrues: G. Majeri në Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe me 5140 fjalë, 730 njësi i la pa etimologji. Respekti i K. Topallit për patriarkun e shqipes lidhet edhe me atë se E. Çabej, shkencërisht e vetëm shkencërisht, pjesën dërrmuese të këtyre fjalëve të pashpjeguara etimologjikisht ia nxori me burim shqip duke e rritur ndjeshëm fondin themelor të shqipes. Në këtë rrugë ecën edhe K. Topalli dhe në fjalorin e tij gjenden njësi me zgjidhje etimologjike shkencore të njohura e të mirëpranura, gjenden njësi me zgjidhje të reja etimologjike të bëra tashmë prej tij, ashtu si gjenden edhe njësi të shenjuara me burim të errët a të paditur, duke e lënë të hapur hulumtimin dhe zgjidhjet shkencore për të ardhmen.
5. Cili është misioni i veprës? Pikë së pari, Fjalori etimologjik, përmes gjetjes së etimonit të fjalëve, synon t’i japë shqipes ç’i takon shqipes; të tregojë se cilat janë njësitë, fjalë a forma fjalësh, që shqipja ka trashëguar nga nëna e vet ilirishtja dhe cilat janë ato që ajo ka krijuar në rrjedhë të shekujve; të tregojë lashtësinë e shqipes e të shqiptarëve, autoktonë në këto troje, por të tregojë shkencërisht edhe rrugën historike të gjuhës sonë, që shfaqet së shumti në huazime; të tregojë rrugën e mbijetesën së shqipes në rrjedhat e kohës. Fjalori synon të tregojë indoevropianësinë e shqipes, si gjuhë pa lidhje të ngushta me asnjërën prej gjuhëve të tjera, të tregojë dhe “marrëdhëniet e saj më të ngushta me gjuhë të tjera indoevropiane në periudha të hershme parahistorike, lidhjet me gjuhët e lashta që janë folur në rajonin e pellgut të Mesdheut, përkimet shumënduarshme me gjuhët e Gadishullit Ballkanik nga kontaktet e fqinjësisë gjeografike, si edhe raportet e huazimit me gjuhët e popujve që erdhën si pushtues në trevat e banuara nga shqiptarë. Te Fjalori, – sipas K. Topallit, – mund të dallohen shtresat e ndryshme të huazimeve historike, si edhe të ndiqen rrugët e hyrjes së tyre në gjuhën shqipe, me një fjalë, shtegtimet e fjalëve, që mund të jenë të drejtpërdrejta ose të tërthorta, nëpërmjet një gjuhe tjetër. Fjalori, më mirë se çdo studim tjetër, është në gjendje të analizojë edhe raportin e leksikut vetjak, të trashëguar që nga periudha të stërlashta, ndaj pjesës së huazuar, të marrë në periudhën historike.”
6. Ku qëndrojnë vlerat e Fjalorit etimologjik?
a. Vepra vjen të zërë vendin që i takon në fondin e veprave parësore në gjuhësinë shqiptare e në kulturën tonë kombëtare. Fjalori i mëshon peshës specifike të brumit vetjak të shqipes. Ai, sipas projektit të miratuar në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, do të jetë në 4 vëllime. Vëllimi i parë, së bashku me Parathënien, me strukturën. bibliografinë dhe burimet e lëndës leksikografike, pasi u miratua në Këshillin Shkencor të këtij Instituti, është në proces botimi. Akademik K. Topalli, të cilit nuk i mungon asnjë cilësi e virtyt, por vetëm kohë për të punuar e për të mbaruar 3 vëllimet e tjera, pranon se “pas botimit të gjithë vëllimeve, do të jetë i nevojshëm një botim integral, ku të përfshihen, krahas lëndës së botuar, të gjitha shtesat, plotësimet e ndreqjet që do të bëhen duke kaluar nga njëri vëllim në tjetrin”.
b. Fjalorët, të çfarëdo lloji qofshin, vlerësohen, së pari, nga makrostruktura, nga lënda leksikografike që pasqyrojnë. Përgjithësisht fjalorët etimologjikë, nga vetë emërtimi, merren me etimonin e fjalëve të parme, në gjendjen e sotme, të pamotivueshme a të pazbërthyeshme, as semantikisht, as morfematikisht. Por vepra që ka në duar akademik K. Topalli, është shumë më e plotë, më e gjerë, se fondi i fjalëve të tilla. Ai pohon, se fjalori, për sasinë e fjalëve që përfshin, është i tipit të mesëm, e lidhur kjo edhe me fjalorët shpjegues të shqipes që janë në përdorim sot, tek të cilët është mbështetur dhe që vetë janë të tipit të mesëm. Në pajtim me karakterin e Fjalorit, është marrë në analizë një pjesë e madhe e pasurisë leksikore të shqipes, vjelë jo vetëm nga fjalorët e botuar, por edhe nga materialet folklorike e dialektore apo nga shkrimet e autorëve të vjetër. Prej këtyre të fundit janë marrë edhe disa fjalë të vjetra të shqipes, të cilat, megjithëse mund të kenë dalë nga përdorimi në gjuhën e sotme, janë ruajtur në fjalët e formuara prej tyre ose në toponimi. Fjalori përqendrohet në pjesën aktive të gjuhës së gjallë, në fjalët me shtrirje mbarëgjuhësore, por është i kursyer në fjalët krahinore dhe në krijimet e reja të shkrimtarëve, ende të parrënjosura. Aty zë vend edhe një lëndë onomastike, që përfshin toponimet e hidronimet, antroponimet e patronimet, emrat e popujve e të fiseve etj., që nuk jepen si zëra të veçantë, meqenëse kjo fushë ka specifikën e saj të studimit dhe ligje të veçanta gjuhësore. Por në analizën e fjalëve janë shpjeguar disa toponime që kanë për bazë një apelativ.
Në Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe të K. Topallit zënë vend edhe huazimet librore të rrënjosura e me përdorim të gjerë në gjuhë në ditët e sotme, si akt, dokument, normë etj., si edhe huazimet që dalin si tema prodhuese aktive në fjalëformimin e shqipes, si: absolut (absolutësi, absolutisht, absolutizoj) etj. Zënë vend, kështu, ndërkombëtarizmat, por jo termat shkencorë me përdorim të kufizuar, që njihen vetëm nga specialistët e fushave të veçanta. Por janë lënë jashtë variantet e shumta nëndialektore dhe kuptimet që kanë marrë fjalët në krahina e kontekste të ndryshme, duke marrë vetëm kuptimet e format e nevojshme për të hetuar burimin e fjalës. Jashtë fjalorit janë lënë edhe shprehjet frazeologjike që nuk ndihmojnë për hulumtimin e burimit të fjalës.
c. Interesante është mikrostruktura e zërave në Fjalor. Ajo është realizuar në mënyrë të atillë që, krahas analizës etimologjike, mundëson edhe analizën e të dhënave me karakter semantik, fonetik, gramatikor e fjalëformues, të domosdoshme për të arritur tek etimoni i fjalës, domethënë te kuptimi i saj në zanafillë. Për fjalët e trashëguara dhe huazimet e vjetra, me një jetë të gjatë në gjuhën shqipe, janë dhënë informacione shkencore shumë të plota, që ndihmojnë dukshëm përdorimin e fjalorit, por që janë tepër të dobishme dhe për plotësimin, sistemimin, saktësimin dhe ndreqjen e informacionit shkencor për këdo përdorues të veprës, si: forma themelore e fjalës; kategoria leksiko-gramatikore; kuptimi kryesor; përhapja e saj në shqipe (përkatësia shtresore: fjalë e përgjithshme, dialektore a krahinore); format dhe kuptimet e veçanta nëpër dialekte, që ndihmojnë hetimin e burimit të saj; mosha e fjalës në shqipe, koha kur shfaqet së pari; format e veçanta gramatikore që kanë nevojë për shpjegim; prodhimtaria e saj (fjalë të prejardhura me parashtesa a prapashtesa, kompozitat, fjalët e përngjitura etj.); burimi i fjalës, afritë gjenetike dhe rruga e hyrjes së saj në gjuhën tonë, shtegtimi i saj prej shqipes në gjuhët fqinje; bibliografia e përzgjedhur, informacione, këto që janë më të rrudhura për huazimet e reja, për formimet e brendshme dhe huazimet librore.
7. Kujt i adresohet Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe? Fjalorët, në përgjithësi, janë vepra të pazëvendësueshme, sidomos në ditët e sotme, kur komunikimi gjuhësor është rritur si kurrë ndonjëherë. Edhe fjalori etimologjik, megjithëse i një lloji të veçantë, është tepër i nevojshëm, ai nuk vjen për të qëndruar në bibliotekat akademike apo në tavolinat e shkencëtarëve. Duke rimarrë fjalët e prof. Kolec Topallit, ai vjen për t’u përdorur, sepse “u duhet në radhë të parë albanologëve që merren me studimin e shqipes, indoevropianistëve, ballkanologëve, helenistëve, romanistëve e sllavistëve; u nevojitet dijetarëve të shkencave të tjera jogjuhësore, ashtu si u shërben edhe intelektualëve të tjerë të çfarëdo fushe e deri studentëve e nxënësve të shkollave, që kanë dëshirë të njohin origjinën e fjalës shqipe. Fjalori u drejtohet jo vetëm shkencëtarëve e dijetarëve të gjuhës, por edhe mësuesve, studentëve e profesionistëve të ndryshëm, që kanë dëshirë të njohin burimet dhe historinë e fjalëve të shqipes. Ai u drejtohet edhe shtresave të gjera, madje edhe pa një arsim universitar të mirëfilltë. Vepra shkon kështu në dorë të çdo shqiptari, që jeton në territoret shqipfolëse por edhe në diasporë e emigracion. Çdokush prej nesh, me fjalorin ka edhe një mjet e më shumë mundësi të identifikohet si vendës në trojet e veta, sepse proceset globalizuese sot janë tepër trysnuese. Madje marrëdhëniet ndëretnike në Ballkanin e shumëtrazuar gjithmonë shtrojnë më shumë se asnjëherë nevojën për vepra të tilla.
8. Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe, i hartuar nga K. Topalli, plotëson zbrazëtinë e së shkuarës, është i domosdoshëm për të tashmen dhe do të jetë po kaq i domosdoshëm dhe pikë referimi për të ardhmen. Një vepër e tillë, për vështirësitë e mëdha që ka kjo fushë dhe për mangësitë e tjera që paraqet studimi i shqipes, nuk mund të quhet asnjëherë e përfunduar, aq më pak e përkryer. Ajo përbën vetëm një piketë të re në udhën e gjatë të studimeve etimologjike për gjuhën shqipe, e cila do të pasohet nga shumë të tjera në të ardhmen, me studime më të thelluara, me mbledhje më të plota të materialit gjuhësor, me metoda më të përparuara dhe me teknika më të përsosura për përpunimin e lëndës. Besojmë se edhe puna e autorit të Fjalorit nuk do të ndërpritet këtu, me përfundimin e veprës. Përkundrazi.
Si përfundim, Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe, vjen si një vepër madhore me karakter informativ e sintetizues, me lëndë të përzgjedhur shkencërisht, të argumentuar e të mbështetur në të dhënat e gjuhës shqipe e të shumë gjuhëve të tjera, vjen si vepër e dinjitetshme, i hartuar nga njëri prej autoriteteve më në zë në studimet gjuhësore shqiptare, nga akademik K. Topalli. Personalisht, më vjen mirë që paraqitjen e parë vepra e bën këtu, në Universitetin e Gjirokastrës, në Universitetin me emrin e akademikut Eqrem Çabej, ndaj, duke i uruar akademikut suksese në përfundimin e krejt veprës, përfitoj të uroj njëkohësisht dhe stafin akademik e studentët e këtij universiteti që, jo vetëm ta mirëseardhin veprën, por ta kenë libër të pandashëm në punën e tyre.