Një vlerësim i merituar!
Kultura E Shtunë, 11 Shtator 2021 04:51
Nga Klara Matja –
Nëpërmjet shtypit shqiptar, mësova lajmin se në Tiranë, Presidenti i Shqipërisë Z. Ilir Meta dekoroi nje gazetare dhe aktiviste të të drejtave të njeriut. Ndala dhe pashë me kujdes fotot në internet, ishte mikja ime Moza Dajçi. U gëzova shumë kur pashë që ajo po mbante në duar dekoratën që Presidenti Meta i akordoi asaj në një ceremoni në Tiranë. Moment vërtetë emocionues. Duke njohur nga afër angazhimin e saj pranë shtresës ish të persekutuar politike në Shqipëri si gazetare dhe aktiviste e të drejtave të njeriut dhe kontributin e saj të spikatur për demokracinë në vend, si bijë e një patrioti që me vitalitetin e dinjitetin e tij në burgjet politike shqiptare sfidoi diktaturën komuniste, them se kjo medalje ishte mëse e merituar për Mimozën. U dekorua për “Merita të veçanta civile”. Moza edhe në SHBA, s’e ka ndalur kurrë penën e saj, e sakrificat e saj për gratë e fëmijët në nevojë, për të drejtat e mohuara të gruas ish të persekutuar politike të Shqipërisë dhe motrave tona në Kosovë malltrajtuar nga makineria serbe.
Njëherësh në Tiranë, asaj nga miq e të afërm ju promovua edhe libri me titull “E bukura nën pranga”. Urime mikja jonë! Suksese të mëtejshme të urojmë, në krijimtari e veprimtari shoqërore. Klara Matja, ish e persekutuar politike nga rregjimi komunist në Shqipëri