Njiheni Hysni Milloshin, lexojini poezitë e tij!

Më 23 prill 2020, në Ditën Botërore të Librit dhe 8-vjetorit të ndarjes nga jeta, Shtëpia Botuese “Emal” në Tiranë boton vëllimin me poezi të zgjedhura “Zemra ime, Shqipëri” i poeti të njohur matjan, Hysni Milloshi.

Përzgjedhje e poezive gjatë dyzet viteve të krijimtarisë shtrihet në shtatë vëllimet e autorit: “Dëshira të një skënderbegasi”, “Te postblloku pret një vajzë”, “Vatra e kuqe”, “Kasollja e Galigatit”, “Me dëborën mbi supe”, “Djaloshi nga Dropulli”, “Atdheu” dhe “Fjalët e dlira” nëpër organet e shtypit letrar të kohës. Redaktori Hamdi Hysuka është mbështetur në kriterin kronologjik, duke u ndalur te krijimtaria më e spikatur ndër vite, për të sjellë para lexuesit dhe studiuesëve njëkohësisht pjesën artistikisht më të arrirë.

Gjuha e tërë poezive të zgjedhura është specifike, sepse të tilla janë mendimet dhe ndjenjat që poeti i shpreh nëpërmjet vargjeve, me bukuri figurash stilistike, thënë lirshëm si frymëmarrje shpirti.

*     *     *

Hysni Milloshi është poet i njohur. Ka punuar gazetar dhe drejtues në organet e shtypit ushtarak. Që në moshën 22-vjeçare është pranuar anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Kur ishte 20 vjeç botoi librin e parë me poezi “Dëshira të një skënderbegasi”. Më 1972 doli para lexuesve me librin e dytë “Te postblloku pret një vajzë”. Vijoi me vëllimet “Vatra e kuqe”, “Kasollja e Galigatit”, “Me dëborën mbi supe”, poemën për fëmijë “Djaloshi nga Dropulli” dhe vëllimin me vjersha e poema “Atdheu”. Ka shkruar dhe drama, të cilat janë vënë në skenë nga teatrot profesioniste. Për veprimtari të shquar në fushën e artit e të gazetarisë është dekoruar me urdhëra e medalje. Realisht vepra më e rëndësishme e tij është vëllimi me vjersha e poema të zgjedhura “Atdheu”, botuar më 2007. Pas vitit 1991 Hysni Milloshi iu kushtua edhe jetës politike. Në moshën 64-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë, më 25 prill 2012 ndërroi jetë.

Në të 64 poezitë dhe poemat e përzgjedhura poeti shpalos natyrën dhe profilin më të realizuar krijues të tij, veprën me peshë të veçantë në poezinë e sotme mbarëshqiptare. Hysni Milloshi është nga poetët më të mirë shqiptar, me frymë lirike, figuracion të plotë dhe ide të thella. Vëllimi i tij “Zemra ime, Shqipëri” është jetëshkrim poetik. Kudo që ka shërbyer, vendlindja dhe njerëzit e saj kanë qënë bashkudhëtarë të poetit. Këtë e vërteton poema “Biri i Macukullit”, mjaft e bukur, antologji ndjenjash që të mbeten në mendje dhe bëhen pasuri kujtese. Bukur shumë flasin vargjet: “Shqipëria, me shpatë, rrebesheve / kokat e regjimeve si kunguj coptoi, / kini dëgjuar për “Shkallën e Deshëve”, / ku Macukulli serbët shpartalloi?”

Unë jam ushtari i madh popull / në truallin mijëravjeçar, / dhe veç njëherë në gjunjë bie, / kur puth flamurin kombëtar.Vlera e këtij pohimi, e këtij përkushtimi, sa vjen e rritet në kombin tonë. Shqiptarët e të gjithë botës pikërisht ky flamur po i mbledh rreth vetes.

*     *     *

Një parathënie e shkrimtarit Gjokë Dabaj dhe vlerësime ndaj krijimtarisë së Hysniut, nga poetët e njohur Agim Doçi, Lirim Deda dhe studiuesi Ilmi Qazimi, i paraprijnë vëllimit.

“Njiheni Hysni Milloshin, lexojini poezitë e tij”, shkruan shkrimtari e studiuesi Gjokë Dabaj. Sipas tij, bota poetike e Hysni Milloshit është e mdhe. Sado që krijuesit më të mirë të këtij kombi u kanë thurur vjersha e poema madhore gjuhës shqipe dhe atdheut të shqiptarëve, himn më madhështor se ky poet, deri më sot, askush s’ka arritur të krijojë. “Dhe tani nuk di a jam dyzet vjeç a katërmijë, / turrem si korrier i kombit ku flamuri të më prijë, thotë poeti në vargjet e tij, për të vazhduar:

Ti atdhe je busull jete, ti atdhe je komisari, / ti atdhe je kryefjala, ti je buka, ti je ajri, / ti je drita, ti je kënga, ti je gjiri brenda gjirit, / ti je malli, ti je brenga, ti je syri brenda syrit.

S‘ka dyshim, s’ka enigma, atdhe, i madhi im, atdhe, / shqip së pari u këndua një Iliadë, një Odise, / shqip ka folur Prometeu ballëpërballë Zeus tiranit, / shqip ka folur Skënderbeu, ballëpërballë satrap Sulltanit. Janë vetëm disa nga vargjet dhe strofat e poemës së madhe “Atdheu”, e cila realisht mund të bëhet pronë e shqiptarëve nga brezi në brez, sepse është një histori e thënë me nerv shumë të fuqishëm, që shqiptarët duhet ta njohin dhe ta përjetojnë.

Poeti Agim Doçi, “Mjeshtër i Madh”, poetin skënderbegas Hysni Milloshi, këtë matjan të madh, e quan të thellë sa oqeani, të madh sa qielli, madje dhe poet të poetëve. “Te vepra e këtij njeriu fisnik, që jeton në përjetësi me vargun e tij, i cili mban brenda frymën dhe shpirtin e të pavdekshmëve, -thekson ai, –kushdo mund të ndjej at Gjergj Fishtën, Migjenin, Lasgushin, Naimin, Çajupin, Driteroin e pse jo gjithë plejadën e poetëve të kombit. Vargjet e Hysniut janë frymëzim dhe cak për t’i kënduar Atdheut”. Në vazhdim i kushton këto vargje: Ti ishe yll i vargut në mbretërinë e këngës, / ti mbete caku i pragut, ti bir fisnik i Nënës  / i nënës Shqipëri, ushtar që kurrë s’u lodhe / poeti për liri, me palcë e gjak Kosove”.

Në elegjinë kushtuar Hysni Milloshit, nga miku i ngushtë i tij, poeti i madh Arben Duka, thuhet:

Para tij skuqej vetë ndershmëria, / kokën madhështore ulte dituria,

kryehymn i tij ishte veç liria, / ndërsa kryekënga ishte dashuria!

 

Rrallë të tillë njerëz vijnë në këtë tokë, / kush e njihte nga afër e donte me kokë,

jo gjithkush ia dinte atij të vërtetën, / për mikun dhe shokun ai falte jetën!

 

Unë s’njoh e s’do njoh më të madh krenar, / vetëm edhe vetëm se qe shqiptar,

të thjeshtë si ai më s’lindin te ne, / aq sa ç’ish i thjeshtë qe dhe korifé!

Studiuesi Ilmi Qazimi shprehet se “e ndjejmë mungesën e tij fizike, fjalën, por ndjejmë shpirtin e tij të madh, fisnikërinë e tij, thjeshtësinë, mençurinë dhe dashurinë njerëzore, që ai rrezatonte. I jashtëzakonshëm për nga vlerat që kishte dhe transmetonte, i matur, guximtar, fjalëpak e mendjehollë, që dinte të rrinte kudo dhe ishte i aftë t’i jepte përgjigje cilitdo, i çdo moshe qoftë, sepse ai fliste këmbëkryq me njerëzit, fliste gjuhën e tyre. Ai ishte simbol i njeriut të mirë, që tretej çdo ditë nga pak në vetvete për t’u dhënë të tjerëve qetësi e shpresë për të ardhmen”.

Rrallë kush si Hysni Milloshi i shkroi atdheut të vet me aq dashuri e dhimbje në 50 vitet e fundit:

“Me një zemër majë shpatës, këmbëzbathur mbi flori,

ngriheshe mbi mal legjendash e qefinin mu në gji,

sa kish deti ujë e valë, yje qielli i paanë,

mëmëzote, lokemadhe ti ke patur kapedanë.”

 “Ai ishte i tëri poezi dhe muzikë, lirikat e tij ishin të mrekullueshme, poemat e tij për Shkollën “Skënderbej”, nënat, heronjtë, ushtarët dhe oficerët ishin plot patos e ndjenja njerëzore”, -shprehet poeti Lirim Deda. Edhe tekstet e tij të këngëve ishin të jashtëzakonshme dhe inspiruan atë muzikë që nuk përsëritet më. Veç “Valsit të lumturisë”, nga këngët e Avni Mulës vetëm ato me tekste të Hysni Milloshit i rezistojnë kohës.

Libri mbyllet me intervistën “Mati, Jeruzalemi im” marrë me shkurtime nga gazeta “Mati”, e muajit tetor 2009. Për poetin Hysni Milloshi, Mati është Zemra e Diellit ku marr energjitë, dekorata në gjoksin e Atdheut, prej së cilës krenohem e frymëzohem, Jeruzalemi i shenjtë ku mund të shtrij rrënjët e jetës e të gjelbëroj, flamuri shpirtëror para të cilit bie në gjunjë. Sepse, siç është shprehur shkrimtari i popullit Dritëro Agolli, kombi ynë fillon nga Mati”.

Lidhur me intelektualët matjanë, të të gjitha fushave, poeti dëshiron që me kujdesin e bashkisë të hartohet, së pari, lista e tyre brenda Matit, jashtë Matit dhe jashtë Atdheut, që nga Parisi në Amerikë, për të organizuar një Kuvend në Mat me slloganin “Intelektualët e Matit për Matin”. Mbi të gjitha të diskutohet se çfarë mund të kontribuojë për Matin kjo brigadë intelektualësh.

*     *     *

Nga teoria e letërsisë dhe kritika letrare dimë se poezia është e bukur kur pasqyron jetën e njeriut, të vendit dhe të popullit, në kuptimin më të gjerë të fjalës; kur mbart dhe shpreh mesazhe, ndjenja e shqetësime. Atyre që e lexojnë dhe e kuptojnë, ajo ju hap sytë, ju ndez shpirtin. Hysni Milloshi mbetet gazetar dhe poet lirik i talentuar, autor i spikatur i teksteve të këngëve në festivalet e Radio Televizionit shqiptar. Në mendje i mbaj vargjevet që kam shkruara pas ndërrimit të jetës së tij:

“Në Macukull as pranvera nuk po vjen si herë të tjera, / për ty shok dhe mik i zemrës ndalen dhe vargjet e këngës, / më kot pres, ashtu pa zë, nga Tirana nuk vjen më / s’të flet buza, vargu flet ushtarak edhe poet / dhe pse ndarja qe disfatë, ti sërish je jetëgjatë”.

Kush thotë se Hysni Milloshi nuk jeton më?! Vërtet ka ndërruar jetë, por nuk ka ikur nga fondi i artë i poezisë shqipe. Ja ku e kemi, nëpër faqet e vëllimit “Zemra ime, Shqipëri”. Njiheni Hysni Milloshin, lexojini poezitë e tij!

Ismail Metaj,

Hamdi Hysuka

 

 

 

 

SHKARKO APP