“Nuk i kemi mbajtur mëri shoku-shokut”/ Kur Agolli i rrëfente Ali Podrimjas miqësinë me Ismail Kadarenë
Janë dy prej emrave më të mëdhenj të letërsisë moderne shqipe, ndërsa shpeshherë është përfolur për armiqësi mes tyre.
Por shkrimet dhe kujtimet e Dritëro Agollit tregojnë se, shkrimtari nga Devolli dhe Ismail Kadare kanë qenë miq të mirë me njëri-tjetrin.
Këtë e tregon edhe një dialog i Agollit me poetin Ali Podrimja në 29 qershor 1996.
Dialog me poetin Ali Podrimja, për miqësinë Dritëro – Kadare …29 qershor 1996…
Podrimja: Në të njëjtën ndërtesë jetoni me Kadarenë , po udhët tuaja kanë kahje të ndryshme. Me siguri miqësinë nuk e keni lënduar?
Dritëro: Nuk jemi edhe aq të ndryshëm në pikëpamje me Ismail Kadarenë. Ne i kemi patur të afërta mendimet për letërsinë dhe artin, madje edhe për shoqërinë. Në jetën tonë asnjëherë nuk jemi zënë dhe nuk i kemi mbajtur mëri shoku-shokut. Në rrethana të vështira , jo për fajin tonë , kemi patur edhe ndonjë fërkim. Por e kemi kuptuar fare mirë njëri tjetrin. Kokë më kokë kemi diskutuar gjëra që në atë kohë të fusnin drithmën. Ndryshimi mes nesh është se ai nuk jeton si unë në Shqipëri. Dhe mund të ketë ndonjë mendim të kundërt nga unë për ecurinë e proceseve shoqërore. Këtu qëndron edhe bukuria e shoqërisë pluraliste. Le të ketë mendime të ndryshme. Mendimi duhet respektuar. Nuk është intelektual ai që nuk respekton mendimin e dytë apo të tretë. Unë e ruaj miqësinë me Ismail Kadarenë , pasi e çmoj si një vlerë kombëtare. Për mua nuk kanë rëndësi pikëpamjet qofshin edhe të kundërta në raportet miqësore me Ismail Kadarenë. Në këtë miqësi unë jam i qëndrueshëm , pasi nuk jam as ekzaltues dhe as euforik. Me atë sillem si me bukën. Para bukës njeriu nuk ekzaltohet dhe nuk mburret se ha bukë. Thjesht ha, pasi i hahet. Kështu duhet të jetë miqësia. Edhe ty Podrimja unë të dua si bukën, ndofta me nuanca më të ndezura , më të drejtëpërdrejta. Të dua si njeri dhe si poet , megjithëse shpesh mund të kemi pikëpamje të ndryshme për botën që na rrethon , ti mund t’i shohësh sendet në harmoni , kurse unë mund t’i shoh në kaos, pasi jetoj mes kaosit.