Nuk ka Çmim Nobel për Letërsinë këtë vit

Akademia Suedeze ka vendosur të shtyjë dhënien e Çmimit Nobel për Letërsinë këtë vit, me shpresën që ceremonia të zhvillohet vitin e ardhshëm. Vendimmarrësit cituan si shkak krizën, në të cilën është përfshirë Akademia, pas skandalit seksual që ka detyruar largimin e disa anëtarëve të bordit.

Sidoqoftë, vendimmarrësit shprehën besimin e tyre se ceremonia do të zhvillohet vitin e ardhshëm dhe fituesi i 2018 do të shpallet së bashku me fituesin e vitit 2019. Skandali seksual që ka përfshirë Akademinë Suedeze është më i madhi që prej zanafillës së këtij çmimi në vitin 1901. Kriza filloi nëntorin e vitit të kaluar kur fotografi francez Jean-Claude Arnault, i cili drejtonte një projekt kulturor me financim nga Akademia Suedeze, u akuzua nga 18 gra për abuzim seksual.

Arnault ka mohuar akuzat, ndërkohë që organizata votoi që abashkëshortja e tij, poetja dhe shkrimtarja Katarina Frostenson të hiqej nga komiteti.

Akademia është përfshirë gjithashtu edhe nga një tjetër skandal, ai i publikimit të emrave të fituesve përpara ceremonisë zyrtare të dhënies së çmimit. Në marrjen e vendimit për shtyrjen e Çmimit Nobel këtë vit, disa nga anëtarët e akademisë argumentuan se ceremonia duhet të vijojë për të ruajtur traditën, por të tjerë deklaruan se institucioni nuk ishte në gjendje për të prezantuar çmimin. Përveç 6 viteve përgjatë luftërave botërore, ka patur vetëm një vit kur çmimi për letërsinë nuk është dhënë, pikërisht në 1935, kur nuk u gjet një fitues i denjë.

SHKARKO APP