Objektet e kultit, destinacione turistike në Lezhë
Monumentet e kulturës dhe objektet e vjetra të kultit e bëjnë Lezhën një destinacion të kërkuar edhe për turizmin kulturor e fetar.
Ndër objektet e shumta të kultit që ndodhen në këtë zonë vlejnë për t’u përmendur për vlerat që mbartin, kisha e Shën Barbarës në Pllanë dhe Kisha e Shën Eufemisë në Kallmet.
Kisha e Shën Barbarës, Pllanë
Kisha ndodhet mbi një kodër në anën lindore të fshatit Pllanë. Njihet nga vendasit dhe me emrin e deformuar të shejtores si kisha e Shën Barbullës.
Dëshmitë më të hershme të dokumentacionit historik për kishën e Pllanës i përkasin vitit 1610.
Planimetria e kishës është e thjeshtë. Në përbërje të saj ka një ndërtesë në formë drejtkëndore si dhe një portik në anën perëndimore. Po ashtu, në anën lindore ka një absidë, e cila edhe sot ruhet mjaft mirë. Ana lindore e kishës përfaqësohet nga absida, e cila ka formë gjysmë rrethore të rregullt.
Ashtu si dhe në kishat e tjera përreth, edhe këtu janë vërejtur disa faza ndërtimi si dhe disa rindërtime, të cilat shfaqen në murin verior dhe në atë jugor.
Kisha e Shën Eufemisë në Kallmet
Kisha e Shën Eufemisë përmendet për herë të parë në një dokument të vitit 1343, ku Stefan Dushani e rendit në mes të kishave që i jepen Krujës. Po ashtu, në letrën që, Ppapa Innocenti VII, i drejton nga Roma, me 12 nëntor 1404, ipeshkvit të Lezhës, Andrea, i jep atij të drejtën të gëzojë edhe të ardhurat e kishës famullitare të Kallmetit, Shën Eufemisë.
Njëkohësisht ajo përmendet edhe në letrën e ipeshkvit të Sapës, Frang Bardhit, më 8 shkurt 1637 dhe rreth dy muaj me vonë, përsëri në një letër tjetër të po këtij ipeshkvi, me 28 maj 1637. Emri i kishës gjendet sot i shndërruar nga banorët në “Kisha e Shën Misë”.
Kisha Shën Eufemia ndodhet në fshatin Kallmet, në një lartësi prej 373 metrash, në anën perëndimore të një shkëmbi natyror, me përbërje gëlqerore. Nga vendndodhja e kishës mund të vështrohet e gjithë fusha e Drinit të Lezhës deri në Malin e Zefjanës, në Bushat, mali i Taraboshit, Kalaja dhe qyteti i Shkodrës.
Pranë kishës, nga shkëmbi gëlqeror rrjedh një burim uji i bollshëm, i cili është futur në brendësine dhe në oborrin e kishës pasi shihet si ujë pastrues dhe bekues nga besimtarët.
Kisha nuk ka absidë, por në vend të saj, një shkëmb i gjallë është përfshirë në brendësinë e kishës, në të cilin është gdhendur skulptura e Shën Eufemisë nga skulptori Tonin Prendi.
/m.m/ – ATSH/