Objektivi

Nga: Raymond Carver
Përktheu: Gazmend Krasniqi

Një burrë pa duar erdhi në derë për të më shitur një fotografi të shtëpisë sime. Po të përjashtosh grremçat prej materiali kromi, që i zëvendësonin duart, ai ishte një njeri i zakonshëm diku në të pesëdhjetat.

“Si i keni humbur duart?”, e pyeta pasi kishte thënë atë që donte.

“Është tjetër histori”, tha. “Ju e doni këtë foto, apo jo?”

“Eja brenda”, i thashë. “Sapo bëra një kafe”.

Sapo kisha bërë edhe pak puding, gjithashtu. Por, atij nuk ia përmenda.

“A mund të përdor tualetin?”, tha. Unë doja shumë të shihja se si do të mbante filxhanin.

E dija se si e mbante fotoaparatin, një Polaroid i vjetër, i madh dhe i zi. E mbante lidhur me rripat prej lëkure që, pasi i rrotulloheshin mbi supe, shkonin e lidheshin mbrapa, duke e ndihmuar ta mbështeste mirë te gjoksi. Do të qëndronte në trotuarin para shtëpisë, do ta fuste atë në fokus, do të shtynte levën me një grremç dhe do ta shkrepte. E kisha ndjekur nga dritarja, siç mund ta kuptoni.

“Ku thatë se ishte tualeti?”

“Andej, djathtas.”

Duke u përkulur, hoqi rripat. Vuri fotoaparatin në divan dhe drejtoi xhaketën.

“Mund t’ia hidhni një sy fotos, ndërkohë që nuk do të jem këtu.”

E pashë foton. Atje ishte drejtkëndëshi me bar i kopshtit, rrugina e hyrjes, garazhi, kalimet për këmbësorë, vetrata ballore dhe dritarja e kuzhinës nga po e vëzhgoja. Pse duhej të pëlqeja një foto të kësaj tragjedie?

Pashë pak më afër dhe pashë kokën time, kokën time, brenda dritares së kuzhinë. Rashë në mendime, duke parë veten ashtu. Ta dini, kjo e bën një njeri të mendojë. Dëgjova shkarkimin e ujit në tualet. Ai zbriti në korridor, duke vërshëllyer dhe duke qeshur, me njërin grremç që mbante rripin dhe tjetrin që fuste këmishën brenda.

“Si ju duket?”, tha. “Në rregull? Personalisht, mendoj se është bitisur mirë. Nuk e ditkam unë se çfarë bëj! Le ta themi, është një punë profesionale.”

Ai preku nën vete.

“Ja kafeja”, thashë.

Tha, “Ke ngelur vetëm, apo jo?” Shikoi në dhomën e ndenjes. Tundi kokën. “Është shumë e vështirë”, tha.

U ul pranë fotoaparatit, u përkul me një psherëtimë dhe buzëqeshi sikur dinte diçka që nuk donte të ma thoshte.

“Pije kafen”, thashë.

Po përpiqesha të mendoja për çfarë do të thosha. ”Erdhën tre fëmijë dhe më thanë se do ta shkruanin adresën time me bojë te bordura e trotuarit. Kërkonin një dollar. Ju nuk dini gjë për këtë, jo? ”

Nuk shihej ndonjë lidhje. Por po e ndiqja me të njëjtën vëmendje.

U përkul përpara, serioz, derisa filxhani zuri vend mirë midis grremçave. E vendosi atë në tavolinë.

“Unë punoj vetëm,” tha. “Gjithmonë kam bërë dhe gjithmonë do të bëj kështu. Çfarë donit të thoshit?”

“Po përpiqesha të bëja një lidhje,” i thashë. Kisha një dhimbje koke. E dija se kafeja nuk qe e mirë, por ndonjëherë pudingu të ndihmon pak.

Tregova foton. ”Qëllova në kuzhinë,” thashë. “Zakonisht jam nga ana tjetër.”

“Ndodh shpesh kështu”, tha ai.” Pra, ikën dhe ju lanë! Më shihni mua, unë punoj vetëm. Pra, çfarë po thoshit? Ju e doni foton? ”

“Do ta marr,” i thashë.

U ngrita dhe mora filxhanët. ”Sigurisht që do ta marrësh,” tha ai. “Unë kam një dhomë në qendër të qytetit. Është në rregull fare. Marr një autobus dhe pasi kam punuar nëpër lagjet, shkoj prapë në qendër të qytetit. E kuptoni çfarë po them? Kisha edhe unë fëmijë dikur. Ashtu si ju,” tha ai.

Prisja me filxhanë në dorë dhe e shihja atë duke u rregulluar me vështirësi mbi divan.

Tha, “Prej tyre i kam këto.”

Hodha një vështrim të gjatë te grremçat.

“Faleminderit për kafen dhe për përdorimin e tualetit. Dhe shpreh keqardhjen time për gjithçka.”

Ai ngriti dhe uli grremçat.

“Më trego,” i thashë. “Më trego më shumë. Bëj më shumë foto, mua dhe shtëpisë sime.”

“Nuk do të funksionojë,” tha. “Ata nuk do të kthehen.”

E ndihmova të rregullonte rripat. “Mund t’ju jap një çmim,” tha. “Tri foto, një dollar.” Tha,” Nëse e ul çmimin edhe më, nuk më del llogaria.”

Dolëm jashtë. Ai rregulloi objektivin. Më thoshte se ku do të qëndronim dhe shkonim atje. I ramë shtëpisë rrotull. Cep më cep. Ndonjëherë do ta hidhja shikimin anash. Ndonjëherë do ta hidhja shikimin drejt e te fotoaparati.

“Mirë”, do të thoshte ai. “Shumë mirë,” tha kur iu rrotulluam shtëpisë dhe u kthyem në anën e përparme.

“U bënë njëzet shkrepje. Janë mjaftueshëm.”

“Jo,” thashë. “Në çati”.

“Jezus,” tha ai. Ai e kontrolloi me sy gjithë pamjen.

“Mirë,” tha, “tani po.”

Unë thashë: “Më përlanë gjithçka. Morën gjithçka kisha. ”

“Shiko këtu!”, tha duke mbajtur përsëri grremçat lart.

Unë shkova brenda dhe mora një karrige. E vendosa në cep të garazhit. Por nuk bëri punë. Kështu që mora një arkë dhe e vura sipër karriges.

Ishte bukur lart në çati.

U ngrita dhe shikova përreth. Unë ia bëra me duar dhe ai ma ktheu me grremça.

Pikërisht atëherë pashë gurët. Ishte një si çerdhe gurësh mbi paretet e vrimës së oxhakut. Ju e dini se si janë fëmijët. E dini se si i hedhin ata, duke u përpjekur që ta fusin ndonjë brenda oxhakut.

“Gati?” i thirra, dhe mora një gur, por prita derisa ai më futi në fokus.

“Mirë!” thirri.

Shtriva krahun prapa dhe bërtita, “Tani!” E hodha atë dreq guri me sa pata fuqi.

“Nuk di,” e dëgjova duke bërtitur, “nuk di të bëj foto në lëvizje.”

“Shkrepe prapë!”, bërtita dhe mora një gur tjetër.

/Palimpsest/

SHKARKO APP