Origjina shqiptare e familjes mbretërore serbe
Gjyshi nga babai i Karagjorgj Petroviqit, udhëheqësi i kryengritjes së parë serbe, ishte një Gjin Marash Klimenti, thuhet në librin “Karagjorgjeviqët – historia e fshehur”. Autorë të librit janë Milorad Boshnjak, gazetar, dhe Sllobodan Jakovleviq, inxhinier i mekanikës, i cili është pasardhës i drejtpërdrejtë i Jakov Obrenoviçit, gjysmë-vëlla i princit serb Milosh Obrenoviq.
Botues i librit është shtëpia botuese “Lio” nga Gornji Milanovaci, ndërsa autorët kanë publikuar dokumente të ndryshime, dorëshkrime dhe korrespondenca që tregojnë se Karagjorgjët e kanë prejardhjen nga fisi Kelmendi i rrethinës së Shkodrës, shkruan Sandzak Vijesti, duke rikthyer në debat temën që trajton kjo vepër e botuar para disa vitesh, transmeton Telegrafi.
Autorët e librit thirren “Zhurnalit të Muzeut Kombëtar të Bosnjës dhe Hercegovinës”, të vitit 1910, Nr. 22, ku thuhet se një pjesë e fisit Kelmendi arriti rreth vitit 1737 në rrethinën e Rudnikut, gjatë tërheqjes së ushtrisë austriake nga Pazari i Ri, transmeton Telegrafi.
Shtohet se në atë kohë kanë arritur rreth 500 familje shqiptare të cilët mezi flisnin shqip, ndërsa merreshin me blegtori dhe kishin karakter të fortë. Boshnjak dhe Jakovleviq për këtë bazohen edhe në veprën e Andrija Luburiqit, të botuar në vitin 1937.
Ata pohojnë se mbreti Petar I (1844-1921), i ashtuquajturi “Çlirimtari”, që sundoi nga viti 1903 e dinte se është shqiptar.
Telegrafi ju kujton se Petar I, që ka kryer krime mizore ndaj shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, në shtypin beogradas të kohës së ardhjes së tij në pushtet citohet të ketë thënë se ka prejardhjen nga fisi i njohur shqiptar Kelmendi. Po ashtu, thuhet se Kelmendët e kanë mbrojtur atë gjatë tërheqjes së Ushtrisë serbe nëpër Shqipëri më 1915, ku kryhen po ashtu krime të mëdha, ngase e konsideronin trashëgimtar të tyre.
Se Karagjorgjët kanë origjinë shqiptare, ju kujtojtojmë veprën “Serbia dhe Shqipëria”, të botuar më 1914 ku përmendet pikërisht ky fakt. Të njëjtën e ka thënë edhe profesori i njohur serb, Jovan Tomiq.
Akademiku dhe shkrimtari malazez, Jevrem Bërkoviq, që është nga malazezët e rrallë që pranon se ka origjinë shqiptare, thotë se Millosh Obiliqi dhe Karagjorgjët janë shqiptarë.
“Milloshi ishte shqiptar në shërbimin e mbretit serb Lazarit. Babai i Karagjorgjit ishte shqiptar nga veriu i Shqipërisë, e nëna nga fisi i Vasojeviqëve”, thotë ai. Ndërsa, po ashtu dihet se edhe Vasojeviqët, një fis antishqiptar, po ashtu janë me origjinë shqiptare. /Telegrafi/