Panairi “Harmonia e Kulturave” me studentë të huaj që frekuentojnë universitetet shqiptare
Në një nga sallat e Hotel Tirana Internacional, fondacioni arsimor, kulturor dhe humanitar Alternativa e së Ardhmes (ALSAR), departamenti i i Arsimit, ditën e mërkurë, datë 23 maj 2018, organizoi panairin “Harmonia e Kulturave” me studentë të huaj që frekuentojnë kolegjet dhe universitetet shqiptare.
Në këtë aktivitet merrnin pjesë të rinj studentë nga vende të ndryshme të rajonit dhe të botës, si nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Presheva, Mali i Zi, Italia, Greqia, Egjipti, Kanadaja, SHBA-ja, Irlanda, Polonia, Holanda, Kuvajti, Turqia, Palestina, Spanja etj. që studiojnë në Shqipëri si dhe të ftuar nga institucione arsimore dhe kulturore të kryeqytetit, aktivistë dhe vullnetarë të fondacionit etj. Panairi “Harmonia e Kulturave” pati karakter njohës dhe prezantues të kulturave të popujve dhe shteteve të ndryshme nga vijnë studentët; në të u evidentuan vlera të diversitetit, ndryshimeve dhe dallimeve kulturore nga njëra anë dhe të jetuarit së bashku, të unifikuarit dhe harmonizimit të këtyre vlerave, nga ana tjetër.
Pjesëmarrësit në fillim të kësaj veprimtarie i përshëndeti kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, i cili uroi që panairi të arrijë synimin që nëpërmjet formave të ndryshme, shkëmbimit të mendimeve, të bisedave me njëri-tjetrin dhe veçanërisht me stendat promovuese studentët të prezantojnë kulturat e vendeve të tyre, duke krijuar marrëdhënie dhe lidhje të reja ndërkulturore.
“Kjo veprimtari, e përgatitur nga Departamenti i Arsimit i Fondacionit “ALSAR”, tha më tej zotni Mehdi Gurra, është në vitin e tretë të saj. Me nxitjen të marrë fillimisht nga institucionet përkatëse turke, veprimtaria ka patur më tutje një rrugëtim të mëvetësishëm, e po kaq të suksesshëm. Përpjekje të ngjashme nga organizata të tjera në vend kanë dështuar të plotësojnë më së paku një element kyç të një veprimtarie të tillë, atë të sjelljes dhe të bërjes bashkë në të të këtyre studentëve që studiojnë në Shqipëri. Pa ta, aktiviteti mbetet i mangët, pa ta, aktiviteti nuk mund ta përçojë mesazhin e harmonisë kulturore. Në këtë pikëpamje, dua të them modestisht se Fondacioni “ALSAR” është përpjekur gjatë këtyre viteve të bëjë më të mirën e mundshme. Dhe besoj se ia ka dalë në këtë përpjekje të mëvetësishme, përfundoi fjalën Gurra”.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe këshilltari pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Sinan Cem Baş, i cili ka shprehur kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë aktivitet. “Shtetet e ndryshme prezantojnë kulturën e tyre dhe për ne ka një kuptim të madh ky panair. Jepet një mesazh i rëndësishme për ne, për diversitetin e kulturave, na shpjegojnë çfarë do të thotë paqja dhe vëllazëria. Të gjithë jemi në dijeni në çfarë gjendje është bota sot dhe ka nevoje për një mesazh të tillë. Këtë kohë moderne mund ta përdorim për të mirën tonë. Në Turqi ka studentë nga 150 shtete. Shqipëria është shembulli më i mire i harmonisë kulturore dhe fetare në gjithë botën”, u shpreh Bas.
Në fund u organizuan vizita, biseda dhe diskutime para stendave të ekspozuara nga secili grup përfaqësues i vendeve pjesëmarrës. Në stendat e tyre studentët prezantojnë vendet historike të shteteve të tyre, monumentet historike, kulturën, artin dhe veshjet. Gjithashtu gjatë aktivitetit prezantues të panairit u shfaq edhe dokumentari ”Harmonia e Kulturave”, ku u prezantua kultura e vendeve pjesëmarrëse në këtë panair.
Panairi “Harmonia e kulturave” do të qëndrojë i hapur gjatë ditës së sotme deri në orën 18:00. Studentët prezantojnë vendet historike, kulturën, artin, veshjet tradicionale dhe monumentet historike, të shteteve që përfaqësojnë.