Panairi i Librit 2019 sjell një libër të veçantë: Illyricum Sacrum – Iliria Kishtare (e shenjtë)

Në panairin e librit 2019 do te gjeni librin ILLYRICUM SACRUM tek Stenda GENIZAH i cili konsiderohet nga autori si guri themeltar i historiografisë moderne kishtare shqiptare,

Nga Pater Mikel Pllumaj

NJË PARAQITJE E VEPRËS MONUMENTALE ILIRIKU KISHTAR (1751-1819)

Me rastin e 200 vjetorit të publikimit të veprës monumentale prej tetë vëllimesh Illyricum Sacrum – Iliriku Kishtar, vepër themelore për historinë e Krishterimit në Shqipëri dhe pothuajse të gjithë krahinës jug-perëndimore të Europës, në përputhje më këtë përkujtim, për herë të parë na vijnë në gjuhën shqipe, pjesë të vëllimit VII, që është guri themeltar i historiografisë moderne kishtare shqiptare, sepse paraqet kontributin shkencor më të rëndësishëm për historinë e Kishës (por edhe të vetë Shqipërisë), qysh prej kohëve apostolike, deri tek dhjetëvjeçarët e parë të shek. XIX. Në përgjithësi kolana madhështore Iliriku Kishtar, përshkruan Provincat kishtare të Ilirisë. Pothuajse brenda çdo vëllimi gjejmë informacione të vyera edhe për historinë e krishterimit në trojet Arbnore, pavarësisht se brenda vëllimit VII renditen Provincat më me rëndësi, siç është ajo e Dioklesë-Tivarit dhe ajo e Durrësit.

I të njëjtit mendim ishte edhe i ndjeri Imz. Frano Illia (1918-1997)1, i cili në gjysmën e dytë të shek. XX, filloi përkthimin e këtij vëllimi në shqip. Ai ia mbërriti të përkthente një pjesë të konsiderueshme të këtij vëllimi.2

Mbasi e pat përfunduar përkthimin e pothuajse krejt atyre pjesëve që i takonin hapësirës gjeografike të Shqipërisë, Illia e dorëzoi tekstin, duke kërkuar që të botohej. Pjesët e përkthyera në shqip nga i ndjeri Illia, janë ato që i përkasin dy Provincave kishtare, asaj të Durrësit dhe të Tivarit3. Pra për Provincën kishtare të Dioklesë dheTivarit, janë përkthyer vetëm shtatë nga dymbëdhjetë sufraganet e saj; ndërsa nga Kisha e Durrësit janë përkthyer katërmbëdhjetë nga pesëmbëdhjetë sufraganet e saj. Në muajin nëntor të vitit 2016 pata fatin të kem një kopje të plotë të këtij përkthimi që e nxora nga Arkivi i shtetit, dhe vendosa të merrem me daktilografimin dhe përgatitjen e tij për botim. Fillimisht më dukej një punë vërtet e paarritshme për arsye të ndryshme… Por, falë Zotit dhe bashkëpunëtorëve gjithçka u bë gati me shumë pasion, edhe pse një punë e tillë kërkon shumë mund dhe sakrificë. Në fakt çfarëdo sakrifice për një vepër si kjo as që mund të merret në konsideratë, sepse vepra Iliriku Kishtar, konsiderohet edhe si burim i pashterrshëm njoftimesh fort të larmishme e të rralla edhe për historinë civile të krejt trojeve Arbnore.

Tomus Septimus (bleu VII) me titull: Illyrici Sacri Ecclesia Diocletana, Antibarensis, Dyrrhachensis, et Sirmensis, cum earum sufragaganeis – (Iliriku Kishtar, Kisha e Dioklesë, Tivarit, Durrësit, dhe sufraganet e tyre). Siç duket edhe prej titullit kjo vepër enciklopedike, është e përbërë prej tri pjesësh. Në pjesën e parë renditet Kisha e Dioklesë me Sufraganet e saj4 – në pjesën e dytë renditet Kisha e Durrësit me Sufraganet e saj – në pjesën e tretë Kisha e Sirmit dhe Sufraganet e saj. Pra, merr në konsideratë një hapësirë gjeografike shumë më të gjerë se kufijtë politikë të Shqipërisë së sotme, duke nisur nga Provinca kishtare e Dioklesë së lashtë dhe Tivarit (sot Mali i Zi), Provinca kishtare e Durrësit (sot Shqipëria)5, dhe Provinca kishtare e Sirmit (Sremit, sot Serbia).

Për gjithë hapësirën gjeografike të marrë në konsideratë gjendet një përshkrim historik, civil e kishtar, së pari i qyteteve e mandej i dioqezave përkatëse. Njoftimet i përkasin jetës së prelatëve dhe ngjarjeve që pasonin njëra-tjetrën gjatë shërbimeve të tyre. Në këtë vëllim, historia e Metropolive, arkidioqezave e dioqezave, është e ndërthurur mirë me të dhëna të çmueshme historiko-gjeografike, pa lënë mbas dore informacione të rëndësishme kulturore e social-ekonomike të popullsisë që banonte aty. Pra panorama që paraqitet në këtë vepër përshkruan shekuj të gjatë të Shqipërisë mesjetare.6

Në faqet e para të këtij vëllimi gjejmë se libri i dedikohet Papës Piut VII (1800-1823), – mandej libri vazhdon me pasqyrën e lëndës – me prezantimin e tri Provincave kishtare. Sikurse vumë në dukje më lart pjesa e parë, pra, trajton historinë e Kishës së Dioklesë e Tivarit (Ecclesia Diocletana et Antibarensis) me sufraganet e saj (fq. 2-334); pjesa e dytë trajton historinë e Kishës së Durrësit (Ecclesia Dyrrhachiensis)7 dhe të dioqezave të saj sufragane (fq. 335-448); pjesa e tretë trajton historinë e Kishës së Sirmit (fq. 449-612).

Në pjesën e parë të Ecclesia Diocletana et Antibarensis është bashkëngjitur edhe historia e kishave që gjenden në veri të Shqipërisë, e që qenë kështjella e Krishterimit në Ballkan: Arbanenses (Arbënia), Balleacenses (Baleci-Balleza), Buduenses (Budva), Dagnenses (Danja), Drivastenses (Drishti), Olcinienses (Ulqini), Pullatenses Majores (Pulti i Madh), Pullatenses Minores (Pulti i Vogël), Sardenses (Sarda), Sapatenses (Sapa), Suacinenses (Shasi), Scodrenses (Shkodra).

Në pjesën e dytë në të cilën përshkruhet historia e Ecclesia Dyrrhachiensis trajtohet edhe historia e pesëmbëdhjetë dioqezave sufragane: Lissenis ose Alexiensis (Lezha), Amantinus (Pojani), Apoloniensis (Apolonia), Aulonensis (Vlora), Bendensis (Benda), Priscensis (Priska), Stephanensis (Stefaniaka), Bullidensis (Bylisi), Canoviens

(Kunavia), Crojensis (Kruja), Lestronensis (Lestroni), Scampensis (Elbasani), Pulkeriopolis (Berati), Akrokeraunia dhe Crainensis (Kraja-Krajina)8.

Për secilën dioqezë e arkidioqezë të këtyre dy rajoneve kishtare është vënë përshkrimi historik i themelimit të qyteteve e të kishave që lindin. Mandej, pason biografia e prelatëve, duke mbajtur në konsideratë ngjarjet kishtare e civile në rend kronologjik. Përmbajta e Illyricum Sacrum është konsideruar unike për historinë e ardhjes së Krishterimit në Iliri, por edhe për zhvillimin e Krishterimit konstandinopolitan, të Krishterimit roman ose Lindja ortodokse e Perëndimi katolik, si dhe për pushtimin otoman, pra për tri kulturat kryesore fetare që edhe sot bashkëjetojnë në Shqipëri.

Është me rëndësi edhe që të mbahet parasysh se ky botim nuk është i plotë – nuk është i gjithë vëllimi VII, por vetëm pjesë e përkthyera nga Frano Illia, nga bleu VII i kolanës Iliriku Kishtar. Ndërkaq, sqaroj se në këtë vëllim gjendet edhe një kontribut i vetë përkthyesit për disa dioqeza, që ne e kemi vendosur me titullin Shtojcë e Frano Illisë, që është paraqitur brenda tekstit në italik.

Po ashtu mbas këtyre pak informacioneve mbi Ilirikun Kishtar, mendoj se është e rëndësishme edhe që të ndalemi sadopak t’i përshkruajmë shkrutimisht autorët e veprës, si dhe të shtatë vëllimet e tjera të kolanës Iliriku Kishtar në mënyrë që të kemi një ide sa më të qartë të vëllimit në fjalë e sadopak edhe të krejt kësaj vepre monumentale.

Në mbyllje të këtij paragrafi, më duket më se e arsyeshme të kujtoj se, nën përkujdesjen e Musa Ahmetit së bashku me një grup intelektualësh – shqiptarë e të huaj – dashamirës të kulturës shqiptare, në vitin 2004 në Prishtinë, u botua për herë të dytë (në një botim anastatik), vepra Illyricum Sacrum, pas jo më pak se 253 vitesh duke pasur parasysh vitin (1751) e botimit të vëllimit të parë të kësaj vepre.

Brenda vëllimit të parë gjejmë një parathënie në gjuhën angleze të botuesit Skënder Blakaj, brenda së cilës na paraqiten informacione me vlerë. Pas parathënies së botuesit, (po në gjuhën angleze), gjendet e renditur në XII kapituj të shkurtër një pasqyrë mjaft domethënëse, për këtë vepër të rallë, nga ai që u përkujdes për këtë botim të dytë Musa Ahmeti. Në këtë pasqyrë gjejmë informacione të vlefshme për veprën, po ashtu edhe të dhëna biografike mbi autorët e veprës F. Riceputi-n, D. Farlatin, J. Coleti-n. Ndërkaq, me shumë kujdes përshkruhet edhe mbështetja e pazëvendësueshme (për këtë
vepër) e papës Klementi XI (1649-1721)9, i cili tashmë me pasion të madh edhe nga Selia e Shën Pjetrit tregon përkujdesje të madhe për kishën në trojet Arbnore.

“Iliriku Kishtar”: Gur Themeli Për Historiografinë Kishtare Shqiptare

Më së pari kujtoj se për të rindërtuar gjenezën dhe zhvillimin e Krishterimit në tokën ilire, historia kishtare e Ilirisë mund të mburret, se përkon me fillimin e disiplinës së historisë si shkencë moderne, nëpërmjet veprës në tetë vëllime e titulluar Iliriku Kishtar që u publikua (prej Jezuitëve të provincës Venete) në harkun kohor që shkon nga 1751 deri në 1819.10

Ajo përqendrohet mbi historinë e Kishës që i përket territorit të gadishullit ballkanik dhe i takon zanafillës dhe jetës së Kishës ilire, sllave e bullgare ato vetë të dalluara simbas përkatsisë me Kishën e Lindjes e të Perëndimit. Kjo vepër e përbërë nga tetë vëllime në gjuhën latine përshkruan historinë kishtare, me referime esenciale ndaj asaj civile, të të gjitha rajoneve të Ilirisë së lashtë.

Edhe sot ajo mbetet një referim themelor për thellimin e njohjes historike të Krishterimit në tokat e Ilirisë. Iliriku Kishtar merr parasysh para së gjithash hapat e parë të ungjillëzimit në rajonin ballkanik. Analizon përhapjen, zhvillimin e bashkësive të para dhe organizimin kishtar në dioqeza, arkidioqeza e Metropoli.11 Gjithashtu jep njoftime të

bollshme mbi manastiret, abacitë dhe urdhrat rregulltarë. Merret edhe me sinodet, koncilet dhe me çështjet administrative kishtare. Praktikisht, kolana Illyricum Sacrum duhet konsideruar si një studim historiko-kishtar i territorit të gjerë të Ilirisë si provincë romake e shekullit të parë të krishterimit.

Në brendësi të kësaj vepre madhështore, gjejmë njoftime mbi personalitete kishtare e civile dhe mbi marrëdhëniet e tyre. Ajo sjell transkriptimin e bullave Papnore, diplomave, privilegjeve, akteve sinodale e dekreteve të koncileve lokale e universale. Të bollshme janë biografitë, korrespondencat, ditarët, letrat e udhëtimeve, kontratat, aktet noteriale, tregimet, pa përjashtuar, legjendat me sfond historik, citimet e kodikëve të lashtë si edhe harta gjeografike. Po ashtu gjejmë të ilustruara edhe zhvillimet dogmatike të koncileve ekumenike, si p.sh. çështjen e arianizmit dhe pasojat e tyre mbi kishat e rajoneve. Së bashku me historinë kishtare të Ilirisë vepra jep të dhëna të duhura edhe për historinë civile të qyteteve kryesore, të perandorëve, të mbretërve, të princave duke përmendur edhe dyndjet, pushtimet dhe kontekste historike që janë krijuar gjatë shekujve në gadishullin ballkanik. Vëllimi VII i kësaj vepre të çmueshme i është i dedikuar pothuajse krejtësisht hapësirës gjeografike të Shqipërisë së sotme.

Gjithashtu mëndoj edhe se duhet të mos harrojmë se tetë vëllimet e Ilirikut Kishtar janë fryt i punës së palodhshme të tre historianëve jezuitë që, gjatë 125 viteve ia dolën punës të përpilojnë këtë vepër të madhe dokumentare12 të mbështetur sigurisht edhe nga Papa Klementi XI i cili njihet si një ndër personazhet më të ndritura me origjinë shqiptare.

“Edhe biografi francez i Klementit XI, M. Reboule e ka theksuar këtë moment të përkujdesjes së shtuar të Papës për çështjen kombëtare, duke thënë se ‘Gjon Françesk Albani, që kishte origjinë shqiptare, u kujdesua posaçërisht për fatin e Kishës në vendin e paraardhësve të tij. Me iniciativën e tij u mblodh Kuvendi i ipeshkvijve katolikë të Ballkanit nën kryesinë e imzot Vinçenc Zmajeviqit. Kështu filloi rekrutimi i djelmoshave shqiptarë që mësuan për priftërinj në Kolegjin e Asizit. Kjo ishte një fitore e madhe për kombësinë dhe kulturën shqiptare, mbasi që klerikët katolikë ishin të parët që filluan të shkruanin në gjuhën amtare dhe të krijonin monumentet e para të letërsisë’”.13

I pari që vuri bazat e projektit të madh qe jezuiti Át Filippo Riceputi (1667-1742), i cili duke qenë si misionar në Dalmaci, kishte filluar me mbledhë materialet për historinë

kishtare të kësaj Province.14 Mbas kthimit të tij në Padovë, materiali i mbledhur u botua në një pasqyrë të gjerë të kësaj historie:

“Riceputi ishte ende shumë mbrapa me punën: në të njëjtin vit iu desh në fakt të ngarkonte priftin dalmat át Bicin, që e kishte shoqëruar në udhëtimet e mëparshme, për të kryer kërkime të tjera në Shibenik, Split dhe Zarë. Ai vetë me Farlatin shkoi në Udine për të shqyrtuar dokumentet përkatëse të patriarkatës së Aquileia-s”.15

Për sa tregon Át Daniele Farlati (1690-1773)16 në parathënien e vëllimit të parë të Illyricum Sacrum, Át Filippo Riceputi kishte mbledhur shumë dokumente për të shkruar historinë kishtare dhe civile të Ilirisë, duke përdorur burime të panumërta, deri në pikën që koleksioni i një materiali të tillë arrinte në një numër të konsiderueshëm vëllimesh17.

Át Riceputi sa qe gjallë, ia mbërriti të botonte vetëm Prospectus Illyrici Sacri (Padovë 1720) ndërsa një pasqyrë e dytë e më e gjerë u botua në Romë në vitin 1738. Nga ku kemi njoftimin që vepra ishte e përbërë nga tetëmbëdhjetë vëllime. Prospectus-i është sjellë në parathënie nga Farlati. Këtij Prospekti në botimin e dytë, nga ai që u përkujdes për këtë botim (nga studiuesi Musa Ahmeti), i kushtohet mjaft vëmendje në kapitullin e tretë.18

Në projektin e Riceputi-t katër vëllimet e para të Illyricum Sacrum duhej t’i ishin kushtuar historisë civile dhe asaj kishtare. Të parat duhej të mbulonin një hark kohor nga Noehi deri tek lindja e Jezu Krishtit, ndërsa të tjerat nga Jezu Krishti deri në shek. XVII. Katër vëllimet duhej të shërbenin si hyrje e gjithë historisë së Ilirisë. Këtyre u shtohej edhe Martirologu Ilirik. Ndarja e dymbëdhjetë vëllimeve të tjera ishte e programuar kështu: në katër vëllime të tjera duhej të përmblidheshin veprat e shenjtërve të të gjithë Ilirisë; pesë të tjerë duhej t’i përkisnin historisë së Kishës dhe ipeshkvijve të të gjithë Ilirisë; dy të tjerë i ishin kushtuar historisë së Koncileve, Legatëve papalë e Bullave apostolike; në të fundit duhej të përshkruheshin figura Murgjish të Urdhrave mashkullorë dhe të atyre femërorë.19 Me vdekjen e Riceputi-t (1742) materiali i kaloi Farlatit, i cili, që nga 1722 kishte qenë bashkëpunëtor i tij në këtë ndëmarrje.20

Farlati i dha veprës një tjetër formë konceptuale, megjithëse duke përdorur materialin deri atëherë të mbledhur, e megjithëse duke mbajtur linjën bazë të vendosur nga Riceputi, ai shtjelloi mbi të gjitha historinë e Kishave Ilirike e të ipeshkvijve të tyre. Ai qe i detyruar t’i drejtohej vazhdimisht me letra e pyetsorë dijetarëve e klerikëve që ishin në gjendje, në Dalmaci e tjetërkud, me i dhënë njoftime të dobishme. Ai në fakt, ndryshe nga parardhësi, nuk shkoi (nuk i vizitoi) kurrë personalisht në provincat për të cilat shkroi historinë fetare: aq sa ra në pasaktësi të shumta gjeografike, që deri më 1774 qenë vënë në dukje me keqdashje në Viaggio in Dalmacia të A. Fortis. Për këtë materiali i mbledhur qe ndarë sipas Provincave kishtare dhe dioqezave, ka mundësi sipas modelit të Italia Sacra të F. Ughelli (Ugeli)21, e botuar në Venecie mes viteve 1717-1722 nga e njëjta shtypshkronjë të cilës i ishte rezevuar shtypja e Illyricum-it22.

© Argumentum.

SHKARKO APP