Panairi i Librit, botuesit: Nuk po lexohet më
Ditën e sotme është mbajtur konferenca për shtyp e Botuesve Shqiptarë, në prag të çeljes së edicionit të 21 të Panairit të Librit. Tema e edicionit të 21-të të Panairit të Librit do të jetë: leximi. Shoqata e botuesve është përpjekur të tërheqë vëmendjen tek ky shqetësim, ndaj dhe e ka përzgjedhur pikërisht leximin si temë të shumë aktiviteteve që lidhen me të.
Gjatë ditëve të Panairit (14-18 nëntor) do të ketë shumë aktivitete të secilës Shtëpi Botuese, por edhe të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, mbi 60 aktivitete, në stendat e shtëpive botuese, takime të autorëve, përkthyesve, botuesve me lexuesit. Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë njoftoi se tema e këtij edicioni të 21 të Panairit të Librit është leximi.
“Ndoshta edhe të shtyrë nga diskutimet e shumta që janë bërë pas anketimeve të INSTAT dhe Shoqatës së Botuesve Shqiptarë për rënien drastike të leximit. Ju e dini konkluzionin e Instat se rreth 1 milion shqiptarë nuk kanë lexuar asnjë libër në kuadër të një viti. Edhe për këtë, por edhe për shumë arsye të tjera, sepse ky rezultat i anketimit të INSTAT ka shkuar pak a shumë në të njëjtën vijë edhe me rezultatet e anketimeve që kemi bërë ne, leximi ka rënë dhe arsyet janë të shumta, sociale, ekonomike, psikologjike apo arsimore. Prandaj kemi zgjedhur këtë temë dhe në valën e kësaj teme ka edhe shumë aktivitete që lidhen me leximin. Një prej tyre, më i rëndësishmi, organizohet nga Shoqata e Botuesve, për leximin, prirjet e tij, aktivitet i cili do të zhvillohet më datë 15 nëntor, në Sallën Ovale të Pallatit të Kongreseve, ku do të ketë studiues, botues, autorë, përkthyes, pedagogë, mësues etj, për të diskutuar problemet e leximit dhe si mund ta përmirësojmë këtë gjendje. Kjo nuk është një situatë që ka ardhur as për disa muaj, as për disa vjet. Kjo është një situatë e krijuar prej më shumë se dy dekada, gati pothuajse tri dekada. Rënia e interesimit të shoqërisë, të institucioneve për leximin, dhe vijmë në këtë gjendje”, është shprehur kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri.