Panairi i librit, “Tirana 2018” me 95 autorë

U hap sot panairi i librit “Tirana 2018”. Ky është edicioni i 21 i këtij eventi që ka nisur të mbahet prej vitit 1991. Në këtë edicion do të jenë 95 autorë dhe shtëpi botuese të huaja dhe shqiptarë. Një juri profesioniste do të përzgjedhë edhe veprat më të mira.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, shprehet se tirazhet edhe këtë vit vijnë të reduktuara. Ai thekson se rënia e leximit është një proces që ka ndodhur prej vitesh dhe sipas tij duhen gati dy dekada të tjera punë që të këtë ndryshim.

“Tema e këtij panairi është leximi. Ndoshta edhe të shtyrë nga diskutimet e shumta, që janë bërë pas anketimeve të INSTAT dhe Shoqatës së Botuesve Shqiptarë për rënien drastike të leximit. Ju e dini konkluzionin e INSTAT se rreth 1 milion shqiptarë nuk kanë lexuar asnjë libër në kuadër të një viti. Kjo nuk është një situatë që ka ardhur as për disa muaj, as për disa vjet. Kjo është një situatë e krijuar prej më shumë se dy dekada, gati pothuajse tri dekada. Rënia e interesimit të shoqërisë, të institucioneve për leximin, dhe vijmë në këtë gjendje. Për t’u përmirësuar gjendja, për të ardhur aty ku ishim duhen përsëri 15 ose 20 vite të tjera”, u shpreh Ymeri.

Ymeri tha se të shtunën do të mbahet një ceremoni ku do të jepen dy çmimet e Panairit për autorë, por do të ndahen edhe vlerësime të tjera.

“Edhe këtë vit do të jepen çmimet e Panairit. Ceremonia është ditën e shtunë, në orën 12:00. Do të japim dy çmime për autorë, dy çmime për përkthyes, çmimi inkurajues, ndoshta edhe çmim për letërsinë për fëmijë, por aty jemi pak dobët. Kemi edhe çmime të veçanta, çmime speciale, meqë edhe situata këtë vit është speciale, pasi është viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut”, tha ai.

SHKARKO APP