Papa Françesku: Profecia e kohëve tona

Nga Papa Françesku*

 Duke hyrë në këtë sallë për të folur për të rinjtë, ndihet që tani forca e pranisë së tyre që përhap pozitivitet dhe entuziazëm, të aftë që të mbushin dhe të gëzojnë jo vetëm këtë sallë, por gjithë Kishën dhe botën mbarë.

Ja përse nuk mund të filloj pa ju thënë faleminderit! Faleminderit juve që jeni të pranishëm, falë shumë personave që gjatë një ecjeje përgatitjeje prej dy vitesh ˗ këtu në Kishën e Romës dhe në të gjitha Kishat e botës ˗ kanë punuar me përkushtim dhe pasion që të na bëjnë të arrijmë në këtë moment! Faleminderit nga zemra Kardinalit Lorenzo Baldisseri, Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit, Presidentëve të Deleguar, Kardinalit Sérgio da Rocha, Relator i Përgjithshëm; Imzot Fabio Fabene, Nën˗Sekretar, Zyrtarëve të Sekretarisë së Përgjithshme dhe Asistentëve! Faleminderit të gjithë juve, Etër sinodalë, Dëgjues, Dëgjuese, ekspertë dhe konsultorë; Delegatëve vëllazërorë, përkthyesve, koristëve, gazetarëve! Faleminderit nga zemra të gjithëve për pjesëmarrjen tuaj aktive dhe të frytshme!

Një falënderim të ndier e meritojnë dy Sekretarët e Posaçëm, Atë Giacomo Costa, jezuit, dhe Don Rossano Sala, salezian, që kanë punuar bujarisht me angazhim dhe vetëmohim. Janë copëtuar për të bërë përgatitjen!

Dëshiroj të falënderoj fort edhe të rinjtë e lidhur me ne, në këtë moment, dhe të gjithë të rinjtë që në shumë mënyra kanë bërë të ndihet zëri i tyre. I falënderoj se kanë dashur të besojnë se ia vlen të ndihen pjesë e Kishës apo të hyjnë në dialog me të; ia vlen të kesh Kishën si nënë, si mësuese, si shtëpi, si familje, e aftë, pavarësisht dobësive njerëzore dhe vështirësive, të shkëlqejë dhe të transmetojë mesazhin që s’ka të perënduar të Krishtit; ia vlen të kapesh për barkën e Kishës që, edhe pse mes stuhive të pamëshirshme të botës vazhdon t’u ofrojë të gjithëve strehim dhe mikpritje; ia vlen të vihemi në dëgjim të njëri˗tjetrit; ia vlen të notojmë kundër rrymës e të lidhemi me vlerat e larta: me familjen, besnikërinë, dashurinë, fenë, sakrificën, shërbimin, jetën e amshuar. Përgjegjësia jonë këtu në Sinod është që të mos i përgënjeshtrojmë, madje, t’u tregojmë se kanë të drejtë: me të vërtetë ia vlen, me të vërtetë nuk është kohë e humbur!

Dhe falënderoj veçanërisht ju, të dashur të rinj të pranishëm! Ecja për përgatitjen e Sinodit na ka mësuar se universi rinor është kaq i larmishëm saqë nuk mund të paraqitet plotësisht, por ju sigurisht që jeni një shenjë e rëndësishme. Pjesëmarrja juaj na mbush me gëzim dhe shpresë.

Sinodi që jemi duke përjetuar është një moment bashkëndarjeje. Dëshiroj, pra, në fillim të rrugëtimit të Asamblesë sinodale, të ftoj të gjithë që të flasin me guxim dhe parrezia, domethënë, duke lidhur lirinë, të vërtetën dhe dashurinë. Vetëm dialogu mund të na bëjë të rritemi. Një kritikë e ndershme dhe transparente është ndërtuese dhe ndihmon, ndërsa nuk e bëjnë llafet e kota, thashethemet, supozimet apo paragjykimet.

Dhe guximit për të folur duhet t’i përgjigjet përvujtëria për të dëgjuar. Iu thosha të rinjve në Mbledhjen para˗sinodale: «Nëse flet një që nuk më pëlqen, duhet ta dëgjoj më shumë, sepse secili ka të drejtën të dëgjohet, ashtu sikurse secili ka të drejtën të flasë». Ky dëgjim i hapur kërkon guxim në marrjen e fjalës dhe në të bërit zë i shumë të rinjve të botës që nuk janë të pranishëm. Është ky dëgjim që krijon hapësirë për dialog. Sinodi duhet të jetë një ushtrim dialogu, kryesisht mes atyre që marrin pjesë. Dhe fryti i parë i këtij dialogu është që secili të hapet ndaj risisë, të modifikojë opnionin personal falë asaj që ka dëgjuar prej të tjerëve. Kjo është e rëndësishme për Sinodin. Shumë prej jush kanë përgatitur tashmë ndërhyrjen e tyre përpara se të vijnë ˗ dhe ju falënderoj për këtë punë ˗, por ju ftoj të ndiheni të lirë që ta konsideroni atë që keni përgatitur si një bocë të përkohshme të hapur ndaj plotësimeve të mundshme dhe modifikimeve që ecja sinodale do të mund të sugjeronte për secilin. Të ndihemi të lirë që të pranojmë dhe të kuptojmë të tjerët e, pra, të ndërrojmë bindjet dhe qëndrimet tona: është shenjë pjekurie të madhe njerëzore dhe shpirtërore.

Sinodi është një ushtrim kishtar shoshitjeje. Çiltërsi në të folur dhe hapje në të dëgjuar janë themelet në mënyrë që Sinodi të jetë një proces shoshitjeje. Shoshitja nuk është një slogan publicitar, nuk është një teknikë organizative, dhe as një modë e këtij pontifikati, por një qëndrim i brendshëm që i ka rrënjët në një akt besimi. Shoshitja është metoda dhe në të njëjtën kohë objektivi që ia propozojmë vetes: ajo themelohet mbi bindjen se Hyji vepron mbi historinë e botës, në ngjarjet e jetës, në personat që takoj dhe më flasin. Për këtë jemi të thirrur që të vihemi në dëgjim të asaj që Shpirti na sugjeron, me modalitete dhe në drejtime shpesh të paparashikueshme. Shoshitja ka nevojë për hapësira dhe kohë të ndryshme. Për këtë kam vendosur që gjatë punimeve, në asamblenë plenare dhe në grupe, për çdo 5 ndërhyrje të mbahet një moment heshtjeje ˗ rreth tre minuta ˗ për t’i lejuar secilit që t’u kushtojë vëmendje jehonave që gjërat e dëgjuara ngjallin në zemrën e vet, për të shkuar në thellësi e për të kapur atë që prek më shumë. Kjo vëmendje ndaj brendësisë është çelësi për të kryer ecjen e njohjes, interpretimit dhe të zgjedhjes.

Jemi shenjë e një Kishe në dëgjim e në ecje. Qëndrimi i dëgjimit nuk mund të kufizohet tek fjalët që do të shkëmbejmë në punimet sinodale. Ecja për përgatitjen e këtij momenti ka theksuar një Kishë “që ka borxh për të dëgjuar” edhe përballë të rinjve, që shpesh nga Kisha nuk ndihen të kuptuar në origjinalitetin e tyre e, domethënë, jo të pranuar për atë që me të vërtetë janë, e nganjëherë edhe të hedhur. Ky Sinod ka mundësinë, detyrën dhe i takon të jetë shenjë e Kishës që vihet me të vërtetë në dëgjim, që lejon të pyetet nga kërkesat e atyre që takon, që nuk ka gjithmonë një përgjigje të paketuar më përpara dhe tashmë të gatshme. Një Kishë që nuk dëgjon tregohet e mbyllur ndaj risisë, e mbyllur ndaj surprizave të Hyjit, dhe nuk do të mund të rezultojë e besueshme, në mënyrë të veçantë për të rinjtë, që në mënyrë të pashmangshme do të largohen në vend që të afrohen.

Të dalim nga paragjykimet dhe stereotipat. Një hap i parë në drejtimin e dëgjimit është të lirojmë mendjet tona dhe zemrat tona nga paragjykimet dhe stereotipat: kur mendojmë se e dimë më përpara se kush është tjetri dhe se çfarë do, atëherë e kemi me të vërtetë të vështirë që ta dëgjojmë seriozisht. Marrëdhëniet mes brezave janë një terren në të cilin paragjykimet dhe stereotipat lëshojnë rrënjë me një lehtësi proverbiale, aq sa shpesh as që e vëmë re. Të rinjtë janë të tunduar t’i konsiderojnë të rriturit si të vjetruar; të rriturit janë të tunduar t’i konsiderojnë të rinjtë si të papërvojë, të dinë se si janë dhe mbi të gjitha se si duhet të jenë e të sillen. E gjithë kjo mund të përbëjë një pengesë të fortë për dialogun dhe për takimin mes brezave. Pjesa më e madhe e të pranishmëve nuk i përket brezit të të rinjve, prandaj është e qartë se duhet të kemi kujdes mbi të gjitha lidhur me rrezikun që të flasim për të rinjtë duke filluar nga kategori dhe skema mendore tashmë të kaluara. Po të dinim të kalojmë këtë rrezik, atëherë do të kontribuojmë që ta bëjmë të mundshme një besëlidhje mes brezave. Të rriturit do të duhej të kapërcejnë tundimin për të nënvleftësuar aftësitë e të rinjve dhe për t’i gjykuar negativisht. Kisha lexuar një herë se përmendja e parë e këtij fakti i përket vitit 3000 para K. dhe është gjetur në një enë prej argjile të Babilonisë antike, ku është e shkruar se rinia është imorale dhe se të rinjtë nuk janë të aftë që të shpëtojnë kulturën e popullit. Është një traditë e vjetër e ne të vjetërve! Ndërsa të rinjtë do të duhej ta kapërcenin tundimin për të mos dëgjuar të rriturit e për të konsideruar të moshuarit “gjë e vjetër, e kaluar dhe e bezdisshme”, duke harruar se është prej budallai të dëshirosh të rifillosh gjithnjë nga zero thuajse jeta fillon vetëm me secilin prej tyre. Në realitet, të moshuarit, me gjithë brishtësinë e tyre fizike, mbesin gjithmonë përkujtimi i njerëzimit tone, rrënjët e shoqërisë sonë, “pulsi” i qytetërimit tonë. Të përçmohen, të hidhen, të mbyllen në vende të izoluara ose të shihen me indiferencë tregon një lëshim ndaj mendësisë së botës që është duke gllabëruar shtëpitë tona nga brenda. Të mos përfillet thesari i përvojave që çdo brez trashëgon dhe transmeton ndaj brezit tjetër është një vepër vetëshkatërrimi.

Nevojitet, pra, nga njëra anë, ta kapërcejmë me vendosmëri plagën e klerikalizmit. Në fakt, dëgjimi dhe dalja nga stereotipat janë edhe një ilaç i fuqishëm kundër rrezikut të klerikalizmit, ndaj të cilit një asamble si kjo është e ekspozuar në mënyrë të pashmangshme, pa marrë parasysh qëllimet e secilit prej nesh. Ai lind nga një vizion elitar dhe që përjashton thirrjen, që interpreton shërbesën e marrë si një pushtet për t’u ushtruar në vend që të jetë një shërbim falas dhe bujar për t’u ofruar; dhe kjo bën që të konsiderohet si një përkatësi ndaj një grupi që zotëron të gjitha përgjigjet dhe nuk ka më nevojë të dëgjojë dhe të mësojë asgjë, ose bën sikur dëgjon. Klerikalizmi është një perversion dhe është rrënjë e shumë të këqijave në Kishë: për to duhet të kërkojmë me përvujtëri falje dhe mbi të gjitha të krijojmë kushtet që të mos përsëriten.

Nevojitet, prandaj, të kurojmë virusin e vetëmjaftimit dhe të përfundimeve të nxituara të shumë të rinjve. Thotë një fjalë e urtë egjiptiane: “Nëse në shtëpinë tënde nuk ke plak, bleje, sepse do të të duhet!”. Të mohojmë dhe të hedhim gjithçka që na është transmetuar ndër shekuj na çon vetëm në humbjen e rrezikshme që për fat të keq është duke kërcënuar njerëzimin tonë; çon në një gjendje zhgënjimi që ka pushtuar zemrat e brezave të tërë. Grumbullimi i përvojave njerëzore, gjatë historisë, është thesari më i çmuar dhe i besueshëm që brezat ia trashëgojnë njëra˗tjetrës. Pa e harruar kurrë zbulesën hyjnore, që ndriçon dhe i jep kuptim historisë dhe ekzistencës sonë.

Vëllezër e motra! Sinodi i zgjoftë zemrat tona! Koha e tashme, edhe ajo e Kishës, paraqitet e ngarkuar me lodhje, probleme dhe pesha. Por besimi na thotë se ajo është edhe kairos (koha) në të cilën Zoti vjen për të na takuar që të na jape dashuri e të na thërrasë në plotësinë e jetës. E ardhmja nuk është një kërcënim për t’u pasur frikë, por është koha që Zoti na premton që të mund të bëjmë përvojë të bashkimit me Të, me vëllezërit dhe me gjithë krijimin. Kemi nevojë të rigjejmë arsyet e shpresës sonë dhe mbi të gjitha t’ua transmetojmë të rinjve, që për shpresë kanë etje; siç pohonte mirë Koncili II Vatikanas: «Me të drejtë mund të mendohet që e ardhmja e njerëzimit të jetë vënë në duart e atyre që janë të aftë t’u transmetojnë brezave të së nesërmes arsye jete dhe shprese» (Kushtetuta baritore Gaudium et spes, 31).

Takimi mes brezave mund të jetë jashtëzakonisht frytdhënës në lidhje me krijimin e shpresës. Na e mëson profeti Joel në atë që ˗ ua kujtoja edhe të rinjve në Mbledhjen para˗sinodale ˗ konsideroj të jetë profecia e kohëve tona: «… pleqtë tuaj ëndrra do të shohin, djelmoshat tuaj do të kenë vegime» (3, 1) dhe do të profetizojnë.

Nuk janë të nevojshme argumentimet e sofistikuara teologjike për të treguar detyrën tonë që të ndihmojmë botën bashkëkohore për të ecur drejt mbretërisë së Hyjit, pa shpresa të rreme dhe pa parë vetëm shkatërrime e mjerime. Në fakt, Shën Gjoni XXIII, duke folur për njerëzit që i vlerësojnë faktet pa objektivitet të mjaftueshëm e pa gjykim të mençur, pohoi: «Në kushtet aktuale të shoqërisë njerëzore ata nuk janë të aftë veçse të shohin shkatërrime dhe mjerime; rrinë duke thënë se kohët tona, nëse ballafaqohen me shekujt e kaluar, rezultojnë krejtësisht më të këqija; dhe arrijnë deri në atë pike saqë të sillen sikur të mos kishin asgjë për të mësuar nga historia, që është mësuese e jetës». (Ligjërata për hapjen kremtore të Koncilit II Vatikanas, 11 tetor 1962).

Mos të lejojmë, pra, të tundohemi nga “profecitë e fatkeqësisë”, mos të shpenzojmë energji për «të llogaritur falimentimet dhe për të plasur në fytyrë hidhërimet», por të mbajmë të ngulur shikimin mbi të mirën që «shpesh nuk bën zhurmë, nuk është temë blogjesh as nuk del në faqet e para», e të mos trembemi «përpara plagëve të trupit të Krishtit, gjithnjë të shkaktuara nga mëkati dhe jo rrallë herë nga bijtë e Kishës» (krhs. Ligjërata drejtuar Ipeshkvijve të sapoemëruar pjesëmarrës në kursin e promovuar nga Kongregata për Ipeshkvijtë dhe për Kishat Lindore, 13 shtator 2018).

Të angazhohemi, pra, në përpjekjen që “të frekuentojmë të ardhmen”, e të bëjmë që nga ky Sinod të dalin jo vetëm një dokument ˗ që në përgjithësi lexohet nga pak dhe kritikohet nga shumë ˗, por mbi të gjitha propozime baritore konkrete, të afta për të realizuar detyrën e vetë Sinodit, ose më mirë të bëjmë të lindin ëndrra, të ngjallim profeci dhe vegime, të bëjmë të lulëzojnë shpresa, të nxisim besim, të lidhim plagë, të ndërtojmë marrëdhënie, të ringjallim një agim shprese, të mësojmë nga njëri˗tjetri dhe të krijojmë një imagjinar pozitiv që të ndriçojë mendjet, të ngrohë zemrat, t’u japë forcë duarve dhe t’u frymëzojë të rinjve ˗ të gjithë të rinjve, pa përjashtim të asnjërit ˗ vizionin e një të ardhmeje plot me gëzimin e Ungjillit! Faleminderit!

*Ligjërata e atit të shenjtë Françeskut në fillim të sinodit kushtuar të rinjve. Salla e Sinodit ˗ E Mërkurë, më 3 tetor 2018.  Përktheu: Nikolin Sh. Lëmezhi

SHKARKO APP