Paradoksi me kalanë e Durrësit: i rezistoi kohës, por jo tërmetit

Kalaja e Durrësit e shekullit V i rezistoi kohës, por jo lëkundjeve të forta të tërmetit.

Muret e saj janë shkatërruar tërësisht. Kalaja, një nga simbolet e qytetit të lashtë bregdetar të Durrësit, tashmë ka nevojë për ndërhyrje për t’i rikthyer identitetin.

Gjatë shekujve, ajo është prishur dhe rindërtuar disa herë. Nga tërmeti i 26 nëntorit, muri rrethues i kalasë është shembur thuajse në tërësinë e vet.

Muret rrethuese të Durrësit në pjesën e tyre kryesore i përkasin periudhës së Perandorit Anastas (491-518) me origjinë nga ky qytet dhe përbëhen nga dy pjesë kryesore: Akropoli ose Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme.

Në Kështjellën e sipërme kishin selinë e tyre Duka i Durrësit dhe më vonë, kur qyteti qeverisej nga feudalë shqiptarë (1368-1392), aty kishin vendqëndrimin e tyre Karl dhe Gjergj Topia. Ndërhyrjet e fundit restauruese në këtë kala janë kryer 5 vjet më parë.

Por paradoksi qëndron se deri më tani nuk është marrë asnjë masë për të pastruar inertet të cilat kanë përfunduar në rrugë, madje duke bllokuar edhe një aks të saj.

SHKARKO APP