“Parisi i vogël” mirëpret komedinë “Boeing Boeing”

Një komedi e bujshme, në venat e së cilës rrjedh gjak si ai i komedive të Shekspirit dhe që sjell një mesazh njerëzor do shoqërojë për tre mbrëmje me radhë artëdashësit korçarë. Skena e teatrit  të Korçës “Andon Zako Çajupi” do mirëpresë publikun në datë 21 dhjetor për shijuar komedinë “Boeing Boeing” të autorit francez Marc Camoletti me regji nga Kiço Londo.

Kjo komedi vjen si një sukses botëror për publikun shqiptar dhe është një shfaqje që është mirëpritur dhe në skenat teatrore të qyteteve Durrës, Elbasan, Fier, Shkodër dhe tani i erdhi radha qytetit të Korçës për ta shijuar këtë komedi në këtë muaj festash.

Regjisori Kiço Londo është shprehur se ,“kjo është komedi e mençur, që pavarësisht nga keqkuptimet dhe aventurat e shumta, kur aventurat që na kushtojnë përfundojnë mirë, çdo gjë është mirë”.

“Boeing Boeing” paraqet aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe. Tri stjuardesa njëra më e bukur se tjetra, një franceze një gjermane dhe një amerikane, secila duke besuar se është e fejuara e Bernardit. Më parë Bernardi ka ditur t’i dal me këto gra, falë zotërimit të orarit të detajuar të fluturimeve të tyre. Kur situata ndryshon dhe të tria gratë e tij mbërrijnë në apartament në të njëjtën ditë, Bernardi me ndihmën e shokut të tij Robert lufton me të gjitha mënyrat, që ato të mos e marrin vesh të vërtetën. Bernard e mban njërën në ajër, njërën në tokë dhe tjetrën të varur. Komedia fillon në momentin kur fati i sjell të gjithë personazhet në të njëjtin vend, pikërisht në shtëpinë e Bernardit. Ai arrin të dalë nga situata falë mikut të tij, Robert.

Kjo është një nga dhuratat për këtë prag festash për publikun korçar, ku një komedi franceze mbërrin pikërisht në “Parisin e Vogël ”.

SHKARKO APP