Pas 20 vjetësh, regjisori Londo risjell “Mbretëresha e Bukurisë nga Leenane”
“Mbretëresha e bukurisë nga Leenane”, komedia e zezë, një nga kryeveprat e shkrimtarit britaniko-irlandez Martin McDonagh, e vënë në skenë nga regjisori Kiço Londo vjen të shtunën premierë në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
E risjellë në skenë pas 20 vitesh, regjisori Londo i ka dhënë një atmosferë bashkëkohore veprës, sidomos në interpretimin e aktorëve të rinj; Laura Nezha, Engjëll Hoxha apo edhe atyre më me përvojë; Ermira Gjata dhe Genc Fuga.
Regjisori Kiço Londo tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “të gjithë krijuesit mendoj që janë në vorbullën e sfidës dhe sfida më e madhe është ajo që kanë me vetveten. Mendoj që kam bërë mirë që kam risjellë mbas 20 vitesh dhe që e kam vënë veten përsëri në një sfidë”.
“Së pari unë kam një ndjesi shumë të mirë nga kritika, kolegët edhe nga spektatori. Për shfaqjen e parë, para 20 vjetësh kam qenë me një ekip brilant me Drita Pelingun, Yllka Mujon, Ndriçim Xhepën, Arben Derhemin”, thekson Londo.
Janë edhe disa arsye të brendshme, vijon ai, që kanë të bëjnë me kohën, me faktin që njeriu ecën përpara, apo ndonjëherë kthen kokën mbrapa, ka dëshirë të shohë kujtimin, ka dëshirë të takojë vepra që i ka takuar më parë, autorë, dhe ka dëshirë edhe të provojë edhe me aktorët e kohës.
I pyetur nga ATSH-ja se cila është risia e kësaj shfaqjeje Londo thotë se “besoj që është një trajtim ndryshe, është më i mirë apo jo kjo është për t’u parë nga kritika, nga kolegët nga publiku”.
“Unë mendoj që është një shfaqje tjetër, me një kast aktorësh që kanë kohën e tyre për të thënë gjëra të mëdha, që i thotë “Mbretëresha e bukur nga Leenane”.
Komedia “Mbretëresha e Bukurisë nga Leenane”, është shkruar nga Martin McDonagh në vitin 1996. Kjo vepër ka rrokur shumë çmime si Tony Awards, Oliver Awards. Në vitin 1999 u vu në skenë në Akademinë e Arteve me një trupë aktorësh si Drita Pelingu, Yllka Mujo, Ndriçim Xhepa.
Në qendër të komedisë është fundi tragjik i Meg, një nëne 70-vjeçare, e cila jetonte me të bijën e pamartuar 40-vjeçare, Morin. Për të mos mbetur vetëm, nëna bllokon çdo rast të së bijës për t’u martuar. E kjo e fundit pas dhunës së herëpashershme fizike, edhe e vret atë.
/atsh/