Pashk Përvathi ekspozon 21 nudo

Alma Mile

Kur sheh të kuqen e vjeshtës në tablotë e tij, reflekset e së bardhës mbi dëborë, të gjelbrën e fushave dhe blunë e detit, natyrshëm të vjen ta përkufizosh si një “poet i ngjyrës”.

Pashk Përvathi tashmë e ka skalitur portretin e tij prej peizazhisti, ndër më të mirët në Shqipëri dhe ndër më të preferuarit, për të gjithë ata që tashmë e kanë kuptuar se muret e shtëpisë nuk mund të mbushen më me piktura kineze. I ka pikturuar të gjitha stinët, të gjitha viset e Shqipërisë, nga Jugu në Veri, nga Korça në Vlorë, në Lezhë, Valbonë… dhe e vështirë të thuash se cila stinë është më e bukur se tjetra apo cili vend më piktoresk se tjetri.

Por, pasi numëron 40 ekspozita, Pashk Përvathi ka vendosur të vijë ndryshe. Kështu e ka titulluar edhe ekspozitën e tij të 41-të. “Ndryshe”, sepse këtë herë nuk do të udhëtojmë mes një shpërthimi ngjyrash vjeshtake, por një galerie imazhesh. Janë 46 vepra në gjininë e portretit, kompozimit figural dhe 21 nudo, të realizuara përgjatë dy viteve të fundit.

Ndonëse vijon të ruajë të njëjtin stil të pikturuari, Përvathi lë disi mënjanë meditimin poetik mbi natyrën dhe shkon mes njerëzve. Shumica e modeleve vijnë prej komunitetit rom. Autori gjithnjë ka pasur një lloj tërheqjeje karshi këtij komuniteti, për jetën e çlirët, pa komplekse, për mënyrën e të shijuarit të jetës, qasja karshi natyrës, por edhe për koloret e veshjeve të grave.

Çdonjëri prej personazheve ka një histori më vete. Ai i ka takuar, ka shkuar atje ku jetojnë, ka biseduar me ta, ka gjerbur një gotë raki me burrat me vija të thella rrudhash në fytyrë.. Një ndër portretet më ekspresive është ai i Islam Shabanit. Me pamjen e një njeriu të regjur nga sqotat e jetës, i shpenguar, si të kishte një jetë që pozonte, ai nuk ka nguruar të pranojë propozimin e piktorit. Ndërsa të mbeten sytë te vajza që pret e ulur në karrige, një të gjelbre shprese, që të kujton paksa tablotë magjike të Gustav Klimt.

Por, një pjesë të mirë të ekspozitës zënë dhe nudot femërore. Janë 21 trupa femërorë të zhveshur ose gjysmë të zhveshur, pikturuar në studion e artistit apo përshtatur ambientit ku ato jetojnë. Trupa të zhdërvjellët, të zeshkët, me vështrime të fshehura, të hedhura diku tej apo pak të përgjumur.

Synimi i piktorit nuk është thjesht të hedhë në tablo bukurinë fizike të vajzave të komunitetit rom. Ai përpiqet të hyjë në botën e tyre. T’i shtojë tablosë elementë që i identifikojnë. Një shami koke me ngjyrë portokalli të ndezur, një çarçaf bojë rozë apo një nënkresë ngjyrë e verdhë, ndërsa tej dritares zverdhin gjethet e vjeshtës.

Me shumë gjasë, modelet e vërteta nuk do të vijnë ta shohin ekspozitën, duke vazhduar ritualin në anonimatin e jetës së përditshme, megjithatë ato tashmë janë bërë pjesë e krijimtarisë artistike të piktorit, por edhe duke renditur mes atyre ekspozitave të pakta të frymëzuara nga jeta e komunitetit rom. Ekspozita “Ndryshe”, me kurator Oltsen Gripshin, hapet në datën 11 tetor, në Muzeun Historik Kombëtar dhe do të qëndrojë e hapur deri më 20 tetor. /Panorama/

SHKARKO APP