Pasqyrimi i një gjëndje kaotike të vendit
Nga Kujtim Hajdari
Duke lexuar romanin e shkrimtarit Ilir Levonja “ E KUQJA E BORËS” nuk ka si të mos vesh re bukurinë e një vepre të punuar me kujdes e me art. Është ndërtuar me një subjekt të rrjedhshëm pa shumë linja e ndërthurje të ndërlikuara, që e bën romanin të lexohet me ëndje e të ndiqen ngjarjet e personazhet e veprës me një kënaqësi gjatë gjithë faqeve të tij.
Të lë përshtypje të thellë zgjedhja e materialit jetësor të kohës dhe përshtatja e tij në këtë vepër letrare-artistike me një forcë të madhe përgjithësuese. Kjo mjeshtëri është skalitur tek autori nga përvoja e tij e gjatë në fushën e letërsise. Ai vjen në këtë roman pas disa vëllimeve poetike, pas disa vëllimeve me tregime, pas vëllimit me ese dhe pas dy romaneve të tjerë para këtij. Kjo sigurisht i ka dhënë aftësinë të punojë çdo skenë, çdo situatë, çdo ambient të romanit me daltë në dorë dhe me kujdesin e një artisti të afirmuar. Veç kësaj shumë ngjarje, ka shumë mundësi të jenë përjetuar nga vet autori i cili në atë kohë ka kaluar rininë e tij dhe ka qënë personazh aktiv i asaj shoqërie dhe kjo e ka bërë të qëmtojë nga jeta ato materiale të nevojsheme e të mjaftuesheme për të paraqitur sa më mirë problemet e asaj kohe e për të realizuar idetë dhe mesazhet e bukura që na ka dhënë në roman.
Të josh me bukurinë e saj në veper gjuha e zgjedhur, frazat e përpunuara me kujdes, ndërtimet e bukura sintaksore, përshkrimet me plot gjallëri të ambienteve të ndryshme, analiza psikologjike që u bën personazheve duke gdhendur figura që të mbesin në kujtesë. Përshkrimet janë të shumta, plot ngjyra e figuracion të bukur letrar. Dialogjet i gjen herë të shkurtër e herë të gjatë në roman, sipas situatave që ka dhënë, por gjithnjë janë shumë shprehës e me një leksik të zgjedhur e herë-herë të hijeshuar me zhargonin popullor që ja rrisin akoma më shumë vlerat veprës se e bëjnë atë më tërheqëse e më të këndshme për lexuesin
Në roman të mahnit ndërthurja e bukur dhe e natyrshme e linjave kryesore të tij: ajo e dashurisë midis të rinjve. Midis Markos dhe vajzat që ai dashuron, Andia, Lura dhe Genta me të cilën përfundon. Linjë që ndërthuret bukur me linjën tjetër atë të jetës së tij sociale dhe ekonomike të kohës, dy linja që shkojnë në harmoni e plotësojnë njëra –tjetrën.
Romani trajton një periudhë të vështirë të kohës, periudha e kaosit të madh politik pas viteve 90, sidomos jetën e viteve 96 – 97e cila u degradua ndër të tjera edhe nga krijimi e pastaj falimentimi i fondacioneve që praktikonin depozita me interesa të larta, lojëra që u krijuan nga qarqe politike në atë periudhë në fuqi për të mbledhur paranë e si pasojë çuan në rrënim akoma më tej të qytetarëve, një pjesë prej të cilëve mbeti pa shtëpi, pa një qindarkë, dhe herë –herë të mbytur në borxhe.
Në një arenë të tillë historike shpalosen me një bukuri dhe zhdërvjelltësi artistike ngjarjet e romanit. Në këtë mjedis lindin, lëvizin e krijohen nga një penë e stërvitur në vite personazhe të shumtë me nje individualitet të veçantë e të skalitur, duke shpalosur ngjarje, histori dhe gjithë jetën e asaj kohe me një realizëm aq të besueshëm saqë ne, që e kemi jetuar atë periudhe na duket sikur jemi kthyer prapa në histori e po jetojmë sërish ato vite të tmerrshme, kur nuk funksiononte më ligji i qeverisjes, nuk funksiononte shteti. Dhe siç ndodh gati në çdo histori në raste të tilla kaosi, në shoqëri fillon të veprojë ligji i xhunglës, ligji më i tmerrshëm, më denigrues i figurës së njeriut, ligji më çnjerëzor e më barbar në marrëdhëniet midis njerëzve.
Me ngjarjet e sidomos me kronikat që fut natyrshëm në subjektin e romanit, autori na argumenton qartë fenomenin shkak pasojë. Si rrjedhim i këtij kaosi krijohen banda të ndryshme terroriste që masakrojnë e terrorizojnë qytetin. Arrijne deri atje me mizorine e tyre sa të futen nëpër shtëpi. Të marrin vajzën e ta përdhunojnë në prani të familjarëve, për inate personale i marrin gruan me forcë e s’i dihet se ç’fat pati, vrasin në prani të fëmijëve e të gruas burrin, vrasin për zbavitje Ermirin e guguftuve e plot e plot krime të tjera që solli ajo kohë e ato banda.
Na përshkuan me një realizëm të dhimbshëm, therës vuajtjet e emigrantve për të mbrritur në Greqi nëpër male e në palcë të dimrit në këmbë. Do të shikojmë të rinj që ecin gjysëm të ngrirë e që mbajnë në krahë, si në legjenda makabre, shokët e vdekur nga ftohti e vështirësitë e rrugës.
Të bëjnë përshtypje e të lënë mbresa dy qendrimet e Greqisë me emigrantët tanë, nga njëra anë ushtarët e kufirit dhe policia që silleshin si barbar, si me Markon kur shkon te posta kufitare me shokun e tij Armandin e vdekur e të ngrirë në krahë. Jo vetëm e trajtojnë keq por e rrahin mizorisht saqë kur permendet në spital, në alluçinacionet e zgjimit nga agonia e humbjes së ndjenjave edhe bora i duket e kuqe në gjysëm ëndrrat e përmendjes, edhe ajo kishte marrë ngjyrën e gjakut që derdhën e lanë emigrantët fatkeq në ato rrugë shprese për një të ardhme më të mirë. Skena nga të cilat merr edhe titullin e bukur dhe intrigues romani.
Dhe nga ana tjetër populli i thjeshtë grek ku dukeshin shenjat e mirëkuptimit e të një ndjenje njerëzore që shpesh e shprehnin në marrëdhëniet me emigrantët.
Shkrimtari jep qartë në veprën e tij mungesën e një niveli të lartë, të qualifikuar politik të partive të vendit tonë, sëmundje që vazhdon akoma, e si pasojë sa herë fitonte një parti, në gjithë institucionet social-kulturore të vendit do të kishte shkarkime nga puna dhe vendosja e simpatizantëve të partisë që fitoi. Nuk shikohej kualifikimi dhe pregatitja e kuadrit nga ana profesionale, siç ndodh me personazhin kryesor të romanit, Markon.
Marko është bosht i gjithë romanit, një djalë i ri, intelektual, simpatizant i një partie që aktualisht është në fuqi deri nga fundi i romanit. Nëpërmjet figurës së Markos shkrimtari do t’na çojë në ambiente të ndryshme të atij qyteti ku zhvillohen ngjarjet dhe do t’na vëjë në kontakt me shumë personazhe të tjerë që përfaqesojnë shtresa dhe interesa të ndryshme të shoqërisë.
Marko përfaqëson ate shtresë të rinisë që ëndërronin dhe shpresonin se me ardhjen e demokracisë ngjarjet dhe gjithë jeta e vendit do të merrnin në drejtimin e duhur: të zhvillimit politik, ekonomik, të forcimit të rendit, të respektimit të dinjitetit të njeriut, të lirisë së tij. Është pikërisht ky brez me këto ëndrra që merr zhgënjimet e para. Shkrimtari shkallë-shkallë na jep deluzionin e të rinjve, që edhe pse kishin dëshirën edhe pse kërkonin t’i impononin vullnetin vetes për të bërë diçka të mirë, për t’i shërbyer mirë shoqërisë detyrohen, nga rrethanat e krijuara, të braktisin çdo gjë; vendin, prindërit e shumica të mërgojë jashtë.
Rreth Markos paraqiten një sërë personazhezh të tjerë si Leci, kolegu i tij i zyrës, simpatizant i së njëjtës parti por në ndryshim me Markon, Leci nuk lufton për ideale, por kërkon që situatat e krijuara dhe pozitën që ka arritur t’i shfrytëzojë për përfitime të ngushta personale. Arrin deri atje sa të shes disa herë, me qëllime përfitimi, pashaportën me vizë të Enjanit, kolegut të zyrës që kishte vdekur. Me Zaken, drejtorin e komunales rregullojnë preventiva të fryrë për punë të ndryshme, për të vjedhur dhe atje. Përfaqëson atë shtresë të re të korrupsionit që fillon të lind në anarshinë e krijuar.
Profesor Enjani dhe profesor Berzati dy figura me karaktere të kundërta; i pari i drejtë e i ndershëm dhe i dyti me sjellje që lënë për të dëshiruar.
Bandat e terrorit me perfaqësuesit e tyre janë një grup tjetër personazhezh negativ të krijuara nga të rinj me probleme nga e kaluara dhe të trembur nga kaosi apo të shtyrë dhe nga ndjenja për t’u hakmarrë si dhe të rinj me makutërinë për t’u pasuruar shpejt e shpejt duke vjedhur apo marrë me forcë të tjerëve, japin shenjat e para të një krimi që kërkon të organizohet, ndonëse edhe shpesh bien preh të rivalitetit me njëra –tjetrën.
Në roman do të gjejmë një galeri të tërë personazhezh që unë nuk po zgjatem, të cilët shkrimtari i ka dhënë me vitalitetin e penës së tij, të gjallë, jetësor e të prekshëm. Nuk ka asgjë ireale, të pakapshme të këtij romani; ata janë njerëzit e përditshëm. Janë kolegët e punës, shokët e lagjes, të afërmit, miqtë, kundërshtarët, ata me të cilët jemi rritur e kemi jetuar.
I bëj pergëzimet e mia të përzemërta shkrimtarit duke i uruar suksese në vepra të reja.