“Pati shumë të burgosur e internuar, vetëm pse ndaloi mbreti Zog 4 orë”, regjisori Pëllumb Kulla rrëfen tmerret e komunizmit në familjen e tij

Regjisori i njohur, Pëlumb Kulla, rrëfen në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, të shkuarën e tij të vështirë, përgjatë viteve të komunizmit.

Kulla tregoi se kishte mbaruar me rezultate të mira gjimnazin, por nuk kishte filluar dot shkollën, për shkak të elementeve jo të përshtatshëm në jetëshkrimin e njeriut që kishte.

Më tej, regjisori u ndal dhe te historitë e errëta të famijarëve të tij, vetëm se ishin kundër komunizmit. “Të jesh kundër komunizmit në demokraci është gjë normale, por jo në Shqipërinë e asaj kohe. Kështu që fakti që në atë shtëpi, ndaloi për 4 orë mbreti Zog, kjo u pagua shtrenjtë dhe kjo shkaktoi më pas shumë të burgosur, shumë të internuar”, tha regjisori.

Pjesë nga intervista:

Si u ndjetë në atë mbrëmje të organizuar për 80-vjetorin tuaj?

U ndjeva mjaft mirë. Isha në qendër të vëmendjes dhe njeriut i vjen mirë kur është në qendër të vëmendjes në një lloj shoë, dhe i ndërtuar bukur me kujdes e dashuri, nga dy artistë të mëdhenj të skenës, e të televizionit si Leonard Bombaj dhe Petrit Ruka.

Këto 8 dekada u shpalosën përmes këtij spektakli me grimca të krijimtarisë tuaj, u ndjetë nostalgjikë në ato momente?
Të them të drejtën, si përfundim që nxjerr njeriu nga një përvojë e gjatë si kjo, i uroj kujtdo që të punojë në një vend që e dashuron punën. Puna e dashuruar nuk të lodh kurrë. Të gjithë detyrat që kam kryer kanë pasur dashurinë time, punoja me kënaqësi dhe nuk lodhesha. Kështu që, edhe vetë kënaqesha edhe kur dilnin rezultatet e mira, ishte korrja më e mirë.

Dua ta nisim nga ai djali i lindur në Zëmblak të Korçës..
Kujtesa ime është shumë potente në atë pikë. Mendoj se në fëmijëri, shtresimi i gjërave për t’u kujtuar bëhet më me kujdes. Tani si një tabaku e mbushur, shumë gjëra më bien po ato që kanë zënë vend kanë zënë dhe e kujtoj me shumë nostalgji dhe shumë mall periudhën e fëmijërisë, paçka se jo fort e bukur dhe jo fort e qetë, por mendoj se ishte një vend i bukur, me ujë të kthjellët dhe ishte një fëmijëri e shëndetshme. Kam jetuar në fshat deri në 10 vjeç, kam ndërmend hyrjen në klasën e parë, nga mësuesja e parë Thomaidha Gjika, e cila banonte në shtëpinë tonë. Ajo më mori që 5 vjeç e gjysmë, tha ‘ky mund të fillojë që tani’ edhe unë fillova cik para kohe shkollën por shkoi mirë. Kam patur të tjerë pedagogë të mrekullueshëm, që i jam mirënjohës për formimin tim. Nuk bëra gjimnaz, bëra një shkollë teknike ka qenë ‘Politeknikumi 7 nëntor’ sot është shkolla ‘Harry Fultz’, në degën mekanike. Dola mirë, po nuk vijova dot për shkak të elementeve jo të përshtatshëm në jetëshkrimin e njeriut siç e kisha unë.

Është ajo periudhë e errët për ju, që e kujtoni me fund të lumtur.. pse me ‘njollë në biografi’?
Unë kam botuar një libër me titull ‘ Jo gjithë të vdekurit prehen në paqe’, ishte një detyrim ndaj fisit tim, familjes së madhe Kulla. Dhe duke e ditur sa të rrezikshme janë jetëshkrimet familjare, mu desh të studioja shumë edhe ata elementë që i zuri ingrazhi i ndëshkimeve, nga pushkatimet, dhe janë rreth 5 të pushkatuar dhe një i varur që ishin po nga fisi jonë dhe mu desh që të shikoj dhe pata rast të ve re, se asnjë nuk akuzohet për vrasje apo për vjedhje, akuzohej vetëm se ka qenë kundër komunizmit. Të jesh kundër komunizmit në demokraci është gjë normale, por jo në Shqipërinë e asaj kohe. Kështu që fakti që atë shtëpi, ndaloi për 4 orë mbreti Zog, kjo u pagua shtrenjtë dhe kjo shkaktoi më pas shumë të burgosur, shumë të internuar. Por jeta shkoi nëpër disa trase jo tipike. Nëse të tjerët vuajtën, unë nuk vuajta, pasi pata një fat të madh.

SHKARKO APP