Pëllumb Kulla mesazh prekës pas vdekjes së Koço Devoles: I shtrenjti im, po qaj si asnjëherë tjetër

Regjisori edhe autori Pëllumb Kulla ka kujtuar me fjalë zemre aktorin e njohur të humorit Koço Devole i cili mëngjesin e sotëm mbylli sytë përgjithmonë. Me anë të një statusi në rrjetet sociale ai tregon si e mori vesh lajmin e trishto, ndërsa shton se sot po qan si asnjëherë tjetër.

“Lamtumirë o i shtrenjti im. Lamtumirë Koço, o buzagazi im. Më iek o artist i mrekullueshëm, o pjesë e jetës sonë, o pus i pashterur i humorit, o fantazi-bukuri i pamatë. Të mori edhe ty kjo kosë e mallkuar e këtyre kohërave. Këtu ku jam nuk është gdhirë ende kur Xhuljeta më shkundi dhe më goditi me kobin tënd. Tërë këto ditë na ke mbajtur ndezur shqetësimet tona.

Bisedat e fundit me ty në spital, pastaj kur ti heshte bisedat me Agron Llakajn Fllipin. Mitron. Bert Mingën, Mevlanin, Petrit Rukën, Bombajn. Po qaj si asnjëherë. Na kanë ikur si ike ti sot, me dhjetëra e dhjetëra, shokë, artistë me vlera të skenës dhe ekranit, jam pikëlluar shumë edhe për ta, por lotët e nxehta për ty mbase në një unitet me të qeshurat që më ke ndjellë, qenkan më të kollajtë e më të paprerë.

Ky është reagimi im i parë o i bukuri im se unë pas pakë që sot do të nis të qesh përsëri se kështu duhen përcjellë artistët e vërtetë të humorit, ata, që si ti lindin njëherë në 100 vjet dhe lenë aq kujtime sa nuk harrohen kurrë dhe sillen ndërmend në biseda dyshe e në grupe, me fytyrat e ndritura nga diell yt. Si për ironi të fatit, erdhe dhe ike në data që të dhanë aq shumë lëndë dhe frymëzim. Erdhe e ike në nëntor. Së pari më 28 dhe së dyti më 8 të këtij muaji. Rrugë të mbarë, rrugë të ndritur në kujtimet tona o Koço Devole”, shkruan Kulla.

SHKARKO APP