Për herë të parë kërkime arkeologjike në Nivicë dhe Kurvelesh
Në Nivicë, Tepelenë dhe në krahinën e Kurveleshit, për herë të parë fillojnë kërkimet arkeologjike profesioniste, të cilat do të hedhin dritë mbi këtë zonë me histori të lashtë.
Një bashkëpunim i Universitetit të Bristolit, Bashkisë së Tepelenës, Institutit të Arkeologjisë dhe AKB-së për 5 vjet do të hapë një perspektivë të re për këtë krahinë me shumë histori, por shumë pak të studiuar, bën të ditur Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare.
“Universiteti i Bristolit një emër i njohur në arkeologjinë britanike do të ketë dy ekspedita në vit duke u fokusuar në zbulimin e vendbanimeve të reja si dhe gërmime në Kalanë e Nivicës për të kuptuar më mirë jetën e këtyre popullatave malore”, thekson Tare.
Sipas tij, banorët e këtyre vendeve prej shekujsh ishin të pranishëm në portet e mesdheut nëpërmjet porteve nga Butrinti e deri në Avlonën antike duke bërë të mundur jo vetëm shkëmbimin e mallrave, por edhe të kulturave dhe ideve të ndryshme.
Nivica kufizohet me 9 fshatra të rrethit të Tepelenës, për nga sipërfaqja ky fshat është rreth 105 km2 dhe ёshtё mё i madh se çdo fshat tjetёr i kёsaj krahine.
Banorët e kesaj qyteze kanë një prejardhje shumë të lashtë. Sipas Fransua Pouquevile (Pukevil) në librin e tij “Udhëtime në Greqi”, vëllimi i I-rë faqe 173 këtu ka banuar fisi ILIR i Amantëve. Në Nivicë Ilirët në shekujt e IV-II para erës së re ndërtuan një kala. Pra gjeneza e qytezes se Nivicës rezulton të jete rreth shek të IV-te p.erës së re. Kalaja është ndërtuar mbi një shkëmb ku është e pa mundur ti afrohesh, në një kryqëzim strategjik rrugësh. Këtu kalon rruga e Salarisë, Kuçit, Bënçës dhe e Vërmikut.
Pozicioni strategjik dhe kalaja që u ndërtua në atë kohë, bëri që ky vend-banim të ishte “Qendra e dytë e banimit me rëndësi e fisit Ilir të Amantëve“ – (Pouquevile). Kjo kala u rindërtua për herë të parë nga romakët rreth viteve 167 para erës së re.
Rënojat e kësaj kalaje ndodhen në një shkëmb të thepisur rrethuar nga humnera, me lartësi 80-100 m. /ATSH/