Perandorët ilirë të Bizantit
Pas ndarjes së Perandorisë Romake nga perandori romak Teodosi, në vitin 395, perandorët e Lindjes dhe të Perëndimit ishin të ndryshëm. Nuk ishte si më parë kur një perandor mund të qeveriste të gjithë Perandorinë.
Bizantin thuhet se e themeloi një shqiptar, Konstandini, që më 1453 e pushtoi po një shqiptar tjetër për llogari të Perandorisë që përfaqësonte, otomane.
Më 476 Perandoria Romake e Perëndimit u pushtua nga fiset gjermanike. Kjo shënoi fundin e perandorisë së Perëndimit. Pas kësaj, e vetmja perandori mbeti ajo e lindjes e Konstandinopolit, që ruante ende gjuhën, titujt dhe traditën latine në qeverisje. Por, kjo vetëm në shekujt e parë.
Nga të dhënat e autorëve të asaj kohe, përsëri dalin figura që janë ilirë në krye të shtetit të Bizantit, që arritën ta bëjnë një perandori të vërtetë.
Pas shekullit të shtatë, është e vështirë të flasësh për origjinën e saktë të perandorëve të Bizantit, se popullsia u trazua nga dyndjet barbare sllavë dhe në Gadishullin ilirik ndryshoi struktura etnike.
Pra, flasim për perandorët shqiptarë të perandorisë së Bizantit, deri aty sa kemi të dhëna historike. Shqiptarët arritën edhe këtu majat e pushtetit në sajë të aftësive të tyre ushtarake, sepse edhe këtu vazhdoi ajo traditë që filloi në Romë në shek. III-IV, që froni i takonte më të zotit, pra, kemi në marrjen e pushtetit meritokracinë, e cila për fat të keq nuk funksionon as sot.
Anastasi, 491-518
Historiani i Bizantit Joani Malala tregon se “Pas sundimit të Zenonit u bë perandor shumë i hyjnushmi Anastas Dikori nga Dyrrahu i Epirit të ri”. Pra, Anastasi ishte nga Durrësi. Para tij ishte në pushtet dinastia Izaure me të cilët luftoi shumë për fronin derisa i shkatërroi.
Gjatë kohës së qeverisjes së tij u ashpërsua lufta midis dy rrymave fetare. Këta ndaheshin në të gjelbërit, që përkraheshin nga Anastasi, dhe të kaltërit që predikonin ortodoksinë. Kjo luftë fetare, desh i kushtoi fronin Anastasit, megjithatë, arriti ta shmangte në sajë të aftësive të tij intelektuale dhe ushtarake. Anastasi, gjatë qeverisjes së tij, arriti t’i kthejë perandorisë disa territore që i kishin pushtuar persët. Ai bëri disa ndërtime të rëndësishme në qytetin e tij të lindjes, Durrës, dhe ndërtoi një mur 75 km të gjatë nga deti Marmara në detin e Zi, për të mbrojtur Konstandinopolin nga dyndjet barbare, dhe nga sulmet e shteteve të tjera, që më vonë do të ishte shumë i dobishëm. Ai ngriti një sistem ekonomik të fortë dhe ndërmori reforma monetare duke i lënë shtetit rezerva të mëdha ari në buxhet kur vdiq.
Justini I, 518-527
Justini ishte me origjinë ilire nga Dardania. Prokopi Cezares te “Historia e Fshehtë” na tregon origjinën e tij kur thotë se “Kur Leoni ishte perandor në Bizant, 3 fshatarë të rinj ilirë Zimarhu, Ditivisti dhe Justini nga Bedriana, mbasi luftuan për një kohë të gjatë në atdheun e tyre me vështirësitë e varfërisë, duke dashur të shpëtonin prej tyre, vendosën të hynin në shërbim ushtarak. Ata u drejtuan në këmbë dhe arritën në Bizant me torba në krahë në të cilat kishin futur nga shtëpia vetëm bukë thatë. Ata u pranuan në ushtri dhe perandori i zgjodhi për roje të oborrit se kishin një trup të mrekullueshëm”. Pasi u fut në ushtri, Justini u bë komandant i Gardës perandorake, dhe me zgjedhjen e ushtrisë e miratimin e popullit e Senatit u bë perandor. Kështu, nga një fshatar me një copë bukë thatë në torbë u bë perandor i fuqisë më të madhe ushtarake të botës së atëhershme. Justini nuk dinte shkrim e lexim, por u kujdes shumë që nipi i tij, Justiniani, të merrte të gjithë arsimimin e nevojshëm, dhe e afroi në pushtet sa qe vetë gjallë.
Justini uli tensionin midis kishës së lindjes dhe të perëndimit duke hyrë edhe vetë në negociata. Në përgjithësi ishte tolerant për çështjet e fesë, pavarësisht se në perandori kishte shpërthyer një konflikt i madh fetar.
Justiniani I – i Madhi
Justiniani ishte nip i Justinit të I dhe lindi në Bedriana në Dardani. Vendit të cilin e rriti ai ia shpërbleu si asnjë perandor Ilir më përpara. Kështu, ndërtoi qytetin e tij të lindjes dhe e rrethoi me mure të larta me qëllim që të mos prekej nga dyndjet barbare. Me shpenzimet e veta ndërtoi një ujësjellës madhështor në qytet që të kishte ujë në të gjitha stinët. Për atdheun nga vinte ndërtoi 157 kështjella që nga Danubi në Epir me qëllim që të siguronte këto territore nga dyndjet e popullsive të ndryshme që kishin filluar prej shekujsh. Është meritë e tij që një pjesë e madhe e territorit shqiptar shpëtoi nga dyndjet sllave.
Justiniani u martua me Teodorën, një femër e shthurur që kishte nisur jetën si artiste, por që kur njohu Justinianin, ktheu rrugë, pasi u dashurua me të dhe filloi t’i përkushtohej perandorit dhe Zotit. Gruaja ishte partneria e tij në politikë, dhe një nga këshilltaret më të zonja që do ta shpëtonte atë në disa raste, madje edhe kur rrezikoi fronin.
Ëndrra e Justinianit në politikën e jashtme ishte që të ribënte edhe njëherë Perandorinë Romake, dhe kësaj ëndrre i dedikoi pjesën më të madhe të jetës së tij. Ai kishte disa komandantë të zotë si Belisari dhe Naseri të cilët ndërmorën fushata ushtarake për të pushtuar territoret që kishte projektuar Justiniani. Kështu brenda një kohe të shkurtër ai pushtoi mbretërine vandalëve në Afrikën veriore, Siçilinë, Napolin, Ravenën. Në Itali luftoi kundër ostrogotëve dhe kapi mbretin e tyre rob, ashtu si edhe mbretin e vandalëve. Pushtoi pjesën jug-lindore të gadishullit Iberik duke shkatërruar dhe aty mbretërinë gjermane. Por ndërkohë që ai ndërmerte fushata ushtarake në perëndim, barbarët sllavë po shkelnin tokat më të mira të perandorisë ato të Ilirisë, dhe pasi bënë një shekull fushata grabitëse tashmë, donin që të vendoseshin në këtë vend patjetër.
Ai nuk i pranoi t’i vendoste në Iliri, por në shekullin e VII perandori Herakël i vendosi sllavët në territoret ilire, në Kroaci dhe Slloveninë e sotme, pasi fiset me origjinë turke të quajtura bullgare, kishin hyrë në pjesën lindore të Ilirisë me forcë, më vonë erdhën edhe serbët që u vendosën në Danub në veri të Dardanisë. Enciklopedia Ruse e vitit 1954 pasqyron kufijtë e mbretërisë së Serbisë në fillim të shekullit të XIX, të cilat shtriheshin në veri të Nishit vetëm në Beogradin e sotëm dhe po aty pasqyrohet zgjerimi i Serbisë në kurriz të tokave etnike shqiptare. Nga njerëz që mezi nxirrnin kokën nga pylli, dalëngadalë sllavët u bënë zotër të pjesës më të madhe të Ilirisë duke e futur vendin në një periudhë errësire mesjetare dhe varfërie.
Justiniani, për të mos pasur probleme me perandorinë perse, nënshkroi me të një marrëveshje paqeje për 50 vjet. Në vitin 532, ai shtypi kryengritjen e Nikes, që ishte një luftë midis të kaltërve e të gjelbërve për çështje fetare, që lidheshin me pikëpamjet që kishte njëra palë për Zotin dhe tjetra. Justiniani, nuk mbajti nga asnjëra palë, gjë që e çoi në konflikt me të dyja palët, të cilat u bashkuan kundër tij. Ata shpallën perandor një ilir tjetër, nipin e Anastasit, dhe Justiniani u bë gati të largohej nga froni, por nuk e la Teodora dhe kështu me ushtri e diplomaci arriti ta shtypë rebelimin, dhe të forcojë pushtetin e vet.
Ai ndaloi shitblerjen e posteve në administratë, dhe kreu një reformë administrative që e centralizonte pushtetin dhe e vinte nën kontrollin e tij. Në provinca ndau pushtetin civil nga ai ushtarak me qëllim që administratorët e tyre të mos kishin në dorë gjithçka dhe të bëheshin konkurentë për fronin perandorak me forcën e armëve. Rriti tregtinë duke hapur një rrugë të re për në Kinë që shmangte territoret e perandorisë perse, madje ai dërgoi agjentë në Kinë, të cilët e vodhën krimin e mëndafshit, pasi kinezët nuk ua jepnin, dhe ngriti një industri të madhe mëndafshi në Konstandinopojë dhe qytete të tjera.
Justianini ishte iniciatori i një kodifikimi të madh të së drejtës romake duke parë se ajo nuk po i përshtatej më marrëdhënieve të reja që ishin krijuar. Në fakt, e drejta romake ishte një e drejtë skllavopronare, por në kushtet e krishterimit skllevërit po liroheshin dhe filloi një lloj i ri skllavërimi që quhej kolonat e më pas feudalizëm. Kështu kur marrëdhëniet ekonomike kishin ndryshuar, duhej ndryshuar dhe ligji që rregullonte këto marrëdhënie. Në fakt, ishin bërë shumë ligje sepse çdo perandor nxirrte urdhëresat e tij, duke e bërë drejtësinë shumë konfuze, kështu që lindte nevoja e kryerjes së një seleksionimi të së drejtës për ta bërë atë sa më praktike. Për këtë ai ngarkoi një grup juristësh, të cilët kodifikuan të drejtën duke nxjerrë Corpus Juris Civilis, pra kodin e së drejtës civile. Pas një pune trivjeçare u bë një përmbledhje e çështjeve të së drejtës romake e quajtur Diageste, që ishte një përmbledhje e shkrimeve të juristëve të vjetër romakë. Për ta studiuar studentët këtë të drejtë në shkollë u krijuan Institucionet. Ligjet që nxori vetë Justiniani gjatë qeverisjes së tij u quajtën Novela dhe ishin të vetmet në gjuhën greke. Kështu e drejta Skllavopronare iu përshtat një shoqërire të re. Ky kodifikim u ndikua nga idetë e reja të barazisë para ligjit, megjithatë kjo e drejtë i shërbente klasës së lartë, dhe perandori kishte një pushtet të pakufizuar mbi shtetin dhe shtetasit e tij pra ai ishte mbi çdo gjë. Kjo do të ishte dhe filozofia e mbretërve feudalë të mëvonshëm.
Ai ishte armik i paganizmit grek, dhe në vitin 529 mbylli Akademinë e Athinës ku predikohej akoma feja pagane. Në fakt, me grekët, perandorët e Bizantit janë sjellë shumë keq, sepse ata qenë popullsia e fundit e perandorisë që u kristianizuan ngaqë kishin pasur një traditë të fortë pagane dhe një numër të madh perëndish që s’ishte e lehtë t’i shkulje nga mendjet e njerëzve. Ai e mbrojti kishën e krishterë dhe i dhuroi prona të shumta. Ndërtoi kisha e manastire, ku mbi të gjitha dallonte kisha e Shën Sofisë në Konstandinopol, një vepër arti e klasit të parë që u kthye në xhami, e sot është muze. Kjo kishë apo xhami është ndërtuar në kodër në një sipërfaqe të madhe përballë detit, dhe qëndron edhe sot madhështore si përpara 1400 vjetësh.
Edhe pse kisha kishte Patriarkanën, ai qëndronte në krye të saj duke marrë pjesë në çdo konsil dhe kështu lidhi pushtetin fetar me atë civil. Ai ishte autoriteti më i lartë i kishës së lindjes, dhe as para tij dhe as më pas nuk pati perandorë që ndikuan aq shumë te kisha. Që ta kishte mirë me Papatin ai duhet të dënonte të gjithë kundërshtarët fetarë të tij, që ishin rrymat fetare të lindjes, të cilat kundërshtonin doktrinën zyrtare të kishës si e pambështetur në Bibël, pra që mbështetej në fjalët e njerëzve të shenjtë, dhe jo në fjalët e Zotit. Megjithë masat që mori, ai kurrë nuk i mposhti dot këto rryma. Duke qenë se nuk ia dilte dot as me papën dhe as me rebelët fetarë në perandori, e mbante mirë herë me njërën palë e herë me tjetrën duke i kërcënuar kur ishte e nevojshme. Periudha e qeverisjes së Justinianit ishte periudha e fundit e lavdishme e Perandorisë Romake, se pas tij do të fillonte një periudhë e re në historinë e perandorisë. Ai ishte një nga perandorët më të mëdhenj të Bizantit, sepse i dha perandorisë edhe njëherë, për herë të fundit, territoret e perëndimit deri në Spanjë. Justiniani ishte iniciatori i kodifikimit të së drejtës romake, që sot është baza e kodeve civile e sistemit civil low në Europë dhe kudo në botë.
Justini II, 563-578
Pas vdekjes së Justinianit pushtetin e mori nipi i tij Justini, po ilir. Në kohën e qeverisjes së tij gjendja në vend u përkeqësua nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm. Kështu, ai prishi marrëveshjen që kishte bërë Justiniani me persët për 50 vjet dhe nuk pranoi t’u paguante tributin vjetor. Lufta midis tyre u zhvillua për Armeninë për të cilën kishin pretendime të dy palët.
Tiber Konstandini, 578-582
Gjatë qeverisjes së tij vazhdoi luftën me Persët për të ruajtur integritetin e perandorisë. Ai ishte një njeri shumë bujar dhe u kujdes për popullin e perandorisë. Kështu uli taksat dhe shpenzoi shuma të mëdha nga buxheti duke e shterur atë. Ai njihej si një perandor i mirë, dhe kur vdiq populli u hidhërua shumë.
Mauricio, 582-602
Maurici ishte një nga perandorët më të mëdhenj të Bizantit. Ai erdhi në fron pas vdekjes së Tiber Konstandinit dhe duhet të ketë qenë nga e njëjta dinasti ilire ose i afërm i tyre sepse nuk ka ndonjë reprezalje për të marrë pushtetin me forcë. Derisa perandorët filluan t’i linin trashëgimin djemve ose të afërmeve të tyre pa dyshim që ai ka qenë një nga të afërmit e perandorit paraardhës, sepse e mori pushtetin me qetësi të madhe, pasi kur ndërroheshin dinastitë perandorake bëheshin luftra disavjeçare, ashtu siç ndodhi me Mauricion më pas, që i rrëmbehet froni me luftë nga një gjeneral i quajtur Foka.
Gjatë sundimit të tij arriti të bënte paqe me Persinë dhe i shkëputi asaj një pjesë të Armenisë, e cila kishte një pozitë gjoegrafike të favorshme për rrugët tregtare në lindje.
Krijoi Egzarkatin e Ravenës në Itali, dhe të Kartagjenës, të cilat ishin pushtuar gjatë Justinianit. Ai uli taksat dhe kjo e afroi me popullsinë e vendit. Në testament i la njërit djalë Ravenën, dhe tjetrit Konstandinopolin, por në atë kohë, një gjeneral i ushtrisë së Danubit, gjysëm barbar, i quajtur Foka, organizoi një kryengritje kundër tij dhe e rrëzoi nga froni. Foka vrau të pesë djemtë në sy të Mauricios, dhe pastaj atë vetë, kështu mori fund dhe sundimi i kësaj dinastie ilire.
Perandorët ilir të Bizantit qeverisën që nga viti 491 deri në vitin 602, pra për 111 vjet. Ata u dalluan për aftësitë e tyre ushtarake dhe politike në drejtimin e shtetit, duke i rikthyer lavdinë Romës, dhe Bizantit. Me këta perandorë Bizanti arriti kulmin e zgjerimit të tij, sidomos me Justinianin. Përveçse burra të zotë, ata qenë dhe njerëz që kontribuan në qytetërimin botëror me veprat e artit që ndërtuan.
A ka pasur perandorë të tjerë Bizanti me origjinë ilire?
Me dyndjet barbare filloi një epokë e errët për gjithë historinë e gadishullit Ilirik pasi ai u kthye në fushë lufte dhe dyndjeje në masë të popullsive të stepave, të cilët dalëngadalë u bënë zotë të tokës së ilirëve. Kjo errësirë ishte e gjithanshme, si në jetën ekonomike dhe atë politike e kulturore, dhe nuk ka historianë që të kenë shkruar në këtë kohë për këtë rajon dhe për popujt e tij. Në fakt, duke qenë se pushteti në Bizant merrej me meritë, pra, ushtarakët më të zotë dilnin në drejtimin e perandorisë dhe deri në kohën kur flitet për gadishullin Ilirik, kemi pothuajse vetëm perandorë ilirë, patjetër që ka pasur perandorë të tjerë sepse elementi Ilir dhe klasa aristokrate ushtarake Ilire në Bizant, ishte tepër e fortë.
Dinastitë e Maqedonasve, Komnenëve, Dukasëve, Paleologëve dhe Katakuzhinëve
Meqë në Bizant gjuha greke ishte gjuhë zyrtare ashtu si latinishtja në perëndim, të cilat ishin gjuhë të kishave, disa studiues e quajnë Bizantin perandori greke. Kjo është e barabartë me atë, se meqë sot gjuha angleze është gjuhë ndërkombëtare, atëherë e gjithë bota ka qeveritarë anglezë dhe popujt e kulturës angleze. Pra, të thuash se Bizanti ishte perandori greke, është e njëjta gjë sikur të thuash se sot bota ka popuj dhe drejtues anglezë dhe është angleze.
Në revistën Monument të 2003 jepet një e dhënë tepër e rëndësishme. Në një mbishkrim të gjetur në Ravena që ka lidhje me peshkopin Felix, i cili i përkiste periudhës kur perandor ishte Filippicus 711-713 shkruhet: “Post mortem vero Justiniani levaverunt super se Pelasgi novum imperatorem (Felix-Ravenna, 1974, Bovini, p.212) që do të thotë se pas vdekjes së vërtetë të Justinianit (II) vendoset perandori i ri pellazg. Pra, autori e ka quajtur Filippicusin që qeverisi në 711-713 si pellazg, pra ilir që do të thotë se Bizanti vazhdon ende të qeveriset nga ilirët të cilët njihen nga romakët ende me emrin pellazgë, fakt që dëshmon edhe njëherë se ilirët ishin vetë pellazgët.
Në Bizant njihet një dinasti që quhet si dinastia maqedonase, e cila qeverisi nga viti 867 deri në shekullin XI. Këta maqedonas nuk quhen as sllavë e as grekë por thjesht me emrin Maqedonas. Çfarë etniciteti kanë pasur? Po të kihet parasysh se në vitin 1912, ¾ e Maqedonisë etnike pellazgo-ilire e Aleksandrit dhe e Filipit, ishte e banuar nga shqiptarët mundet që kjo dinasti të ketë qenë nga familje feudale shqiptare.
Në shekullin XI në pushtet erdhi një perandor Bizantin i quajtur Roman Argjir. Aristidh Kola te libri “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve” kur flet për disa familje shqiptare në shtetin grek, Argjirët i quan shqiptarë, por edhe po të shikosh edhe etimologjinë e mbiemrit është shqip Ar-gjiri. Kur flitet për Komnenët, Paleologët, thuhet se ata nuk ishin grekë, as sllavë por ishin të një kombësie tjetër. Cila ishte kjo kombësi tjetër kur dihet që ata kishin marrëdhënie të mira me shqiptarët?!
Në vitin 1056, në pushtet në Bizant vjen Isak Komneni nga aristokracia provinciale. Familjet feudale shqiptare kishin marrëdhënie me Komnenët dhe lidhje gjaku si Arianitët. Aristidh Kola jep disa fakte që qartësojnë disi origjinën e burrave të këtyre dinastive.
1 – Ai thotë se familja Vrionase ka pretenduar se është pasardhëse e Paleologëve sepse emri i tyre i vjetër ka qenë paleolog.
2 – Paleologët dhe Kataguzhinët me dekrete të posaçme thirrën shqiptarët që të vendosen në grupe prej mijëra vetësh në Peloponez. Çfarë i lidhte me shqiptarët që t’i merrnin me dekrete të posaçme dhe pse nuk e bënë për ndonjë etni tjetër?
3 – Konstandin Paleologu e çliroi Morenë me ushtri arbëreshe.
4 – Paleologët ishin perandorët që vendosën shqiponjën simbolin e shqiptarëve në flamurin e shtetit të tyre, dhe po të shikosh flamurin e Bizantit në atë kohë me flamurin e Skënderbeut nuk ka asnjë ndryshim. Pse do e vendosnin këtë simbol po qe se nuk do ta kishin në kulturën e traditën e tyre? Të njëjtën gjë bënë edhe perandorët ilirë të Romës të cilët, kur erdhën në pushtet, vendosën shqiponjën, të njëjtën gjë bëri Napolon Bonaparti kur erdhi në pushtet. Çfarë tregon kjo?
5 – Në 1358 prijësi shqiptar Karl Topia i ngriti arbëreshët në një kryengritje kundër Niqifor Angjelos, sepse ky ndau gruan që të martohej me të motrën e së vesë së Stefan Dushanit. Pse do ngriheshin në kryengritje pikërisht arbëreshët dhe jo grekët. Këtu nuk bëhej fjalë për fenë pasi të gjithë ishin ortodoksë, por bëhej fjalë për kombësinë sepse arbëreshëve nuk u ka pëlqyer që një arbëresh të lërë gruan arbëreshe për të marrë një sllave. Kjo do të thotë se në kundërshtim me çfarë thuhet te Shqiptarët, ka ekzistuar ndërgjegjja kombëtare, por shqiptarët e kanë përdorur për të tjerët.
6 – Kur ra Konstandinopoja dhe Paleologët po dorëzonin armët në Peloponez, arbëreshët, me Pjetër Bue Shpatën, u ngritën të ndalojnë këtë veprim të perandorit të tyre. Pse pikërisht arbëreshët dhe jo ndonjë komb tjetër? Sepse arbëreshët e kishin idenë e kombësisë më të zhvilluar se fqinjët, dhe ata i dolën në mbrojtje perandorit të etnisë së tyre. Shqiptarët duke qenë se i kanë qeverisur vetë perandoritë e mëdha, i kanë parë ato si shtete tërësisht të tyre.
7 – Në kohën që Konstandinopoli ra dhe paleologët po bëheshin gati që të dorëzoheshin, arvanitët shpallën perandor Manuil Kadakuzhinin njëlloj siç bënte ushtria ilire me shekuj, që shpallte vetë perandorët që qeverisën Romën. Pse peranor Kataguzhinin dhe jo ndonjë tjetër?
Si konkluzion:
Perandorët që qeverisën Bizantin nga shekulli IX deri në shekullin XV, ishin nga Ballkani dhe jo nga territore të tjera të perandorisë. Sipas burimeve historike nuk ishin as grek dhe as sllavë madje, ka të dhëna që ata i urrenin shumë sllavët. Atëherë, çfarë ishin nga etniciteti? Sigurisht që kanë qenë shqiptarë, se vetëm tokat e shqiptarëve mbetën nën perandorinë Bizantine nga tokat e Ballkanit dhe fisnikëria feudale shqiptare e bënte karrierën e saj politike-ushtarake natyrisht te shteti i asaj, që në këtë rast ishte perandoria Bizantine. Pra, fisnikëria feudale shqiptare e shikonte pushtetin Bizantin si pushtet të shtetit të saj, prandaj dhe shqiptarët u shkëputën vonë nga Bizanti dhe perandoria Osmane, se kjo fisnikëri i drejtonte dhe qeveriste vetë këto perandori.
Jan Klod Feveriali një njohës i mirë i historisë së mesjetës të Ballkanit tek libri “Historia më e vjetër e Shqipërisë” thotë gjithashtu se edhe mbreti i bullgarëve, Samueli ishte gjysëm shqiptar dhe gjysëm vlleh”. Pra, ka të dhëna që shqiptarët vazhdonin të qeverisnin Ballkanin, ashtu siç kishin bërë prej shekujsh. Megjithëse të dhënat për këtë periudhën historike janë të pakta, mendoj se në bibliotekat e Vatikanit dhe në ato mesjetare të Bizantit, ka të dhëna që mund të dalin në dritë më vonë. /GazetaVotra/