Përfundon procesi i deklasifikimit të 600 mijë dokumenteve sekrete në Drejtorinë e Arkivave
Në Drejtorinë e Përgjithshme e Arkivave ka përfunduar tërësisht procesi masiv i deklasifikimit të dokumenteve që kanë qenë sekret deri më sot, për të cilin kanë punuar gjatë vitit të kaluar një staf prej 8 arkivistëve më të mirë të vendit.
Prej ditës së sotme do të mundet të aksesohen lirisht më shumë se 48 mijë dosje dhe 600 mijë dokumente nga viti 1945-1993, nga fondet e Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryeministrisë, fondet personale të Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos. Fondet e ish-arkivit të partisë, fondet e ministrive, të Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykatës së Lartë dhe të organeve të tjera qendrore.
Procedura e deklasifikimit e ndjekur me rigorozitet siguron që dokumentet që kishin mbetur të deklasifikuara prej kohësh pa asnjë arsye reale, por vetëm sepse nuk ishte ndjekur procedura e nevojshme burokratike, do të jenë të aksesueshme për të gjithë studiuesit e vendit.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave siguron edhe njëherë studiuesit se do të gjejnë një shërbim të shpejtë e cilësor në sallën e re të studimit në AQSH.