Përkujtohet 45 vjetori i revoltës së Spaçit
Sot eshte shenuar 45 vjetori i revoltes se te burgosurve te Spacit. Ne aktivitetin e organizuar ne kete rast ishin te pranisehm kreu i shtetit, presidenti Ilir Meta, kryetari i Bashkise Mirdite, Ndrec Deda, deputeti i Partise Demokratike, Enkelejd Alibeaj ambasadorja e BE ne vendin tone, roama Vlahutin, perfaqesus te klerit, vuajtes se burgut famekeq, te cilet sollen kujtimet e tyre, dhe pasardhesve te viktimave te ketij burgu qe sollen. Ne fjalen e tij kreu i shtetit tha se rrenojat e ketij burgu jane nje kujtese e gjalle qe duhet te na kujtoje te gjitheve te keqen e kaluar, por te sherbeje edhe si vetedije qe ajo te mos perseritet me. “Përballja me të shkuarën dhe çlirimi i shoqërisë nga makthi i krimeve të diktaturës ngelet prioritet serioz për të gjithë politikën dhe shoqërinë tonë. Përvoja botërore na mëson se tragjeditë e së kaluarës, nëse harrohen, janë të destinuara të rikthehen në një formë apo mënyrë tjetër. Kështu zbehja e kujtesës historike krijon premisa jo vetëm për tendenca të totalitarizmit, por edhe të ksenofobisë, racizmit, ekstremizmit, krimit dhe përjashtimit” tha Meta.
Kryetari i Bashkise Mirdite Ndrec Deda duket se eshte edhe socialisti i pare me pushtet i cili ka bere diten e sotme nje shkeputje nga e kaluara komuniste e Partise Socialiste. Ne fjalen e tij Deda tha se “Ky eshte vendi ku flamurit shqiptar iu hoq ylli, ku lindi shpresa dhe endrra qe ne fatkeqesisht vijojme ta kemi edhe sot, anetaresimi ne BE. Mirdita kurre nuk e ka merituar kete burg. Shqiperia kurre nuk e ka merituar regjimin hoxhist, nje nder me te egrit ne Bote. Ketu lindi per here te pare thirrja E DUAM SHQIPERINE SI EUROPEN” tha nder te tjera kryebashkiaku Deda.
Deputeti i Partise Demokratrike, Enkelejd Alibeaj ne fjalen e tij megjithese tha se “Nuk jam kete takim si perfaqesuesit i parlamentit dhe si depotet por si nje njeri qe i njeh vuajtjet e atij regjimi” kerkoi falje per cka nuk eshte bere deri me sot per ish te perndjekurit nga ata qe kane pasur ne dore te bejne dicka. Alibeaj ne fjalen e tij iu referua aktualitetit ku u shpreh se “Ky burg eshte nje e kaluar e dhimbshme, por ne duhet te jemi te vemendshem edhe ndaj asaj qe ndodh sot. Sot po shfaqen serish metastazat e atij regjimi” tha Alibeaj.
Ipeshkvi i Rreshenit Dom Gjergj Meta ne gjalen e tij dha nje mesazh per paqen mes njerezve. “Eshte koha te gjejme rrugen e paqes dhe drejtesise dhe te hedhim veshtrimin tone drejt se ardhmes pa harruar se cfare ka ndodhur, por pa u ndalur ne rrugen tone drejt ndertimit te se ardhmes” tha Dom Gjergj Meta.
Romana Vlahutin, ambasadoja e BE ne vendin tone, kujtoi denimet absurde te kohes komuniste te cilat per jane krejtesisht te paimagjinueshme. ” Është e vështirë, thuajse e pamundur të mendosh që në Evropën e cila ka shkuar në hënë, ka shpikur internetin, ka biometrinë, zemrën artificiale, 4 dekada më parë një djalosh i ri mund të dënohej vetëm sepse i kishte rënë kitarës për të kënduar këngët e Adriano Celentanos. Shqiptarët u persekutuan sepse donin të ishin poetë, mendimtarë, piktorë dhe studiues, donin të ishin si pjesa tjetër e Europës.
Është e vështirë të mendohet që tragjeditë që kanë ndodhur në Spaç apo në mbarë Shqipërinë është një tragjedi që ta tregojmë si histori dhe ta shërojmë. Jam e përuluar para detyrave që kemi për të respektuar të shkuarën dhe e ardhmja të jetë më e ndershme. Për të ruajtur Spaçin si një vend kujtese në mënyrë që fëmijët tanë t’i mësojnë fëmijëve të tyre për atë se çfarë ka ndodhur këtu.
BE ka nisur një projekt që është identifikimi i ADN të personave të vrarë. Kemi nisur në zonën e Dajtit dhe kjo do të bëhet në mënyrë që që familjet të fillojnë të identifikojnë të dashurit e tyre sa më shpejt të jetë e mundur.” tha ambasadorja Vlahutin.
Si u zhvillua revolta e Spacit në pak fjalë
Kushtet në birucë ishin shumë të këqija sepse zgjidheshin vendet më të këqija të kampeve apo burgjeve. Të izoluarve u jepej natën vetëm një batanije, e cila iu hiqej në mëngjes.në orën 5.00, në kohën kur nënoficeri do t’i hiqte batanijen, Pal Zefi mundi t’i ikë nga duart e të bashkohet me të dënuarit e tjerë, të cilët nuk i lejuan rojet ta marrin atë. Pikërisht kështu nisi revolta e Spaçit.
Infermieri 31 vjeçar Pal Gjergj Zefi, kishte më pak se dy vjet që vuante dënimin në kampin e Spaçit. Me vendimin nr.133, datë 28.10.1971, Gjykata e Rrethit Durrës e kishte deklaruar fajtor për agjitacion e propagandë duke e dënuar me 10 vjet heqje lirie së bashku me një shtetas tjetër. Nga zhvillimi i gjyqit dilte se kishte thënë se partia më tepër kujdesej për stallat e lopëve sesa për njerëzit. Kundër të pandehurve ishin vënë 32 fletërrufe para se të dënoheshin.
Pal Zefi ishte dënuar nga komanda e kampit të Spaçit me një muaj izolim biruce. Kjo masë jepej nga komanda në raste e shkeljeve disiplinore. Kushtet në birucë ishin shumë të këqija sepse zgjidheshin vendet më të këqija të kampeve apo burgjeve. Të izoluarve u jepej natën vetëm një batanije, e cila iu hiqej në mëngjes. Pikërisht në orën 5.00, në kohën kur nënoficeri do t’i hiqte batanijen, Pal Zefi mundi t’i ikë nga duart e të bashkohet me të dënuarit e tjerë, të cilët nuk i lejuan rojet ta marrin atë. Pikërisht kështu nisi revolta e Spaçit.
Revolta në kampin e Spaçit
Më 21 maj 1973 nisi revolta e Spaçit, si solidaritet i të burgosurve ndaj shokut të tyre Pal Zefi. Në vijim do gjeni dëshminë në hetuesi të Zefit në lidhje me këtë ngjarje. Po ashtu për ilustrim, mund të shihni vendin ku punonin të burgosurit, galerinë e minierës, vendin aq pak të njohur për publikun vendas apo të huaj, sepse vëmendja në të shumtën e rasteve përqendrohet te fjetinat e jo te galeritë famëkeqe të Spaçit.
Pjesë nga hetuesia e datës 22 maj 1973 ndaj Pal Zefit
Pyetje: Akuzoheni se duke marrë pjesë në një organizatë kundër pushtetit keni kryer krimin e sabotimit, të agjitacionit e propagandës për kundër pushtetit popullor dhe se keni goditur personat zyrtarë përfaqësues të pushtetit në kryerjen e detyrës. Na jepni shpjegime për akuzat që ju bëhen.
Përgjigje: Akuzat që më bëhen, i kuptova, por nga këto akuza pranoj vetëm akuzën e goditjes së personave të pushtetit se kam goditur dy nënoficerë dhe oficerin operativ të repartit nr.303 Spaç të cilëve emrat nuk ua di. Gjithashtu pranoj se kam agjituar e propaganduar për kundër pushtetit popullor vazhdimisht në kamp, në mes të të dënuarve. Kështu unë kam folur vazhdimisht në kampin e Spaçit me të madhe si në kapanon e jashtë në prani të dhjetëra të dënuarve përkundër pushtetit, për arsye se unë këtë pushtet nuk e dua. Këtë pushtet nuk e dua se ai më ka dënuar në mënyrë të padrejtë e më mban në burg, më ka dënuar me privim të lirisë dhe nuk më ka futur në regjim burgu, por më ka çuar në kamp duke bërë punë të detyruar. Për këtë arsye, unë kam refuzuar vazhdimisht me dalë në punë për të punuar në minierë. Në muajin janar kam ardhur në Spaç dhe këtu gjeta edhe vëllanë tim Gjokë Zefi, i cili është dënuar bashkë me mua me 8 vjet heqje lirie. Si erdha këtu më futën në punë në minierë minator dhe në muajin shkurt unë bashkë me vëllanë vendosëm mos me punue dhe kërkuam të na dërgojnë në burgun e Burrelit, por komanda nuk na dërgoi në Burrel. Kemi qëndruar 3 muaj pa punë dhe më 20 mars vëllanë e hoqën nga Spaçi dhe e dërguan në Ballsh duke na ndarë nga njëri-tjetri, gjë që ishte një provokim i madh i komandës. Më 20 prill, komanda, duke përdorur forcën më ka futur në birucë e më ka izoluar një muaj kohë. Gjatë kësaj kohe më kanë torturuar duke më dhënë ushqim me mungesa dhe të helmuar me doza të vogla me qëllim për të më dobësuar organizmin, gjë e cila më revoltonte më shumë ndaj pushtetit. Si mbarova dënimin disiplinisht, më 20 maj i kërkova rojës së brendshme të më nxirrte nga biruca. Mirëpo roja më tha që nuk do më nxirrnin e aty kisha për të vdekur. Të nesërmen të mëngjes, roja i brendshëm kur erdhi të më heqë batanijet si zakonisht, harroi hapur derën e birucës, nuk e mbylli me kyç, duke e lënë vetëm me shul nga jashtë. Unë nëpërmjet hekurave dola nga biruca rreth orës 5.30 të datës 21.5.1973, gjeta një shufër hekuri dhe hipa mbi tarracën e banjave. Roja i brendshëm më pa dhe më tha të hyja në birucë. Unë i thashë se gjallë nuk hyja në birucë. Pas pak kohe, në kamp hyri oficeri operativ me 5-6 policë. Më bëri thirrje të hyja në birucë.
I thashë të mos afroheshin se do i godisja. Në këtë moment më është afruar i dënuari Mehdi Noku për të më kapur, por e godita me shufër në krah. Më është afruar edhe një polic, por edhe këtë e kam goditur në krah. Më kanë kapur policët e tjerë dhe më shtrinë në tokë. Në këtë moment disa të dënuar të tjerë që ndodheshin 10 metra larg tarracës të cilët po përgatiteshin të shkonin në punë, sulmuan policët duke më dalë në mbrojtje duke më hequr nga krahët e policëve. Si jam çuar në këmbë, kam goditur operativin e kampit me një shpullë në fytyrë dhe pastaj jemi shpërndarë. Unë kam shkuar në kapanon dhe s’kam shkuar në birucë.
Historia e plotë
“Diçka kishte për të ndodhur, por konkretisht se çfarë, askush nuk mund ta dinte. Gjithkush prej nesh kishte filluar të kishte një parandjenjë të keqe, një farë ankthi që dukej sikur kishte filluar të rrinte pezull mbi të gjithë ne të burgosurit e burgut të Spaçit. Po na dukjes sikur hija e vdekjes po na kalonte pranë gjithnjë e më shpesh, prekte me bërryl secilin nga ne dhe largohej. Kjo ndjesi filloi të ndihej ndoshta që dy javë më parë se të shpërthente revolta e Spaçit. Po, po, më kujtohet si sot, na rrëfen Ylber Merdani, banor i qytetit të Korçës, ish i dënuar në burgun e Spaçit, dëshmitar i ditëve të revoltës. Dy javë para fillimit të revoltës, thotë ai, u duk një tufë e madhe korbash, pis të zeza, që kaluan sipër kokave tona. Ato fluturuan mbi kampin tonë me një fëshfëritje të fortë, ashtu siç ndodh kur plumbat fërkohen me ajrin dhe bënë drejt kodrave që ndodheshin përtej përroit, përballë me kampin tonë. Në atë kodër prej kohësh qëndronte e shkruar me gurë një parullë e madhe: “Popull – Parti – Enver”. Sorrat e zeza, që deri atë ditë nuk i kishim parë kurrë të shfaqeshin, u ulën mbi çdo gur të parullës së madhe. Parulla u bë krejt e zezë, ashtu si vetë korbat. Krakaritjet e tyre nisën të dëgjoheshin çdo ditë. Fillimisht askush nuk u kushtoi ndonjë rëndësi të veçantë mbërritjes së korbave, as krakaritjeve të tyre dhe as vendqëndrimit të tyre mbi gurët e parullës. Atij që iu duk e pazakonte prania e sorrave, ishte qeni ynë, i të burgosurve, që ne e thërrisnin “Tarti”. Që nga çasti i parë, kur ai ndjeu praninë e tyre, ngriti kokën përpjetë dhe nisi të angulliste me një zë të përvajshëm që të ngjallte frikë. Dukej sikur ishte paralajmërimi i vdekjeve që kishin për të ndodhur në kampin tonë. Fillimisht nuk deshëm t’u besonim as angullitjeve të Tartit, por thellë-thellë, parandjenja e keqe se diçka do të ndodhte, kishte filluar të zinte vend edhe në shpirtin tonë. Po ndodhte kështu, ndoshta nga që njerëzit e komandës së kampit po shndërroheshin gjithnjë e më shumë në katilë të vërtetë ndaj nesh, ndoshta nga që edhe zemërimi i të burgosurve po bëhej edhe më i madh. Mes njerëzve të komandës së burgut dhe të burgosurve hendeku ishte thelluar shumë. Një det i madh zemërimi qëndronte mes nesh. Të gjitha këto të bënin të besoje te parandjenja se së shpejti diçka do të ndodhte. Tashmë edhe prania e korbave që fluturonin çdo ditë mbi kokat tona dhe ndaleshin në kodrën ku ishte parulla, kishin filluar t’i jepnin kuptim parandjenjës tonë. Edhe angullimat e Tartit nuk ishin gjë tjetër veçse një dëshmi e tij, si për të na treguar se edhe ai i ishte bashkuar shqetësimit tonë”.
Tentativa për arrestimin e Pal Zefit
“Nënoficer Tuci nuk donte të tërhiqej, ishte detyrë e tij të kapte këtë të burgosur dhe ta detyronte atë të hynte përsëri në dhomat e izolimit, por Zefi vazhdonte me paralajmërimin e tij: “Askush të mos afrohet!”. Tuci kishte mbetur në një mëdyshje pothuajse të plotë, nuk ishte i sigurtë nëse duhej t’i afrohej Pal Zefit ose jo. Të burgosurit vështronin herë nga nënoficeri, herë nga kolegu i tyre. Ankthi ishte i madh. Zefi vazhdonte të shtrëngonte hekurin që mbante në dorë. Nëse ai do të rezistonte, kjo do të ishte një fitore e madhe për çdo të burgosur, por edhe e kundërta, dorëzimi pa kushte i tij do të ishte një humbje po kaq e madhe për ta. Njeriu i komandës së burgut ende vijonte të qëndronte i stepur. Për të, gjithçka po bëhej edhe më e qartë; nëse do të guxonte të afrohej, atëherë ai edhe mund të mbetej i vdekur, i goditur nga shufra e hekurit. Zemërimi i Palit ishte i madh, paparashikueshëm, i frikshëm. Hekuri në duartë e tij ishte shndërruar në një armë vdekjeprurëse për gjithkënd që do të vepronte kundër vullnetit të tij. Prisnin çdo të ndodhte. Atë çast vunë re se nënoficeri hoqi dorë nga vendosmëria e tij për të detyruar Zefin të kthehej në dhomën e izolimit. Tuci kishte vendosur të kërkonte ndihmën e komandës. I vetëm do ta kishte të pamundur të ndërmerrte ndonjë hap që të rezultonte i suksesshëm. Vështrimet e të burgosurve të tjerë po bëheshin më të ashpra. Nuk ishte çudi që ata të hidheshin në sulm, madje dukeshin sikur po hidheshin… Pikërisht në këtë kohë, kur Tuci vendosi të kërkonte ndihmën e komandës, Pal Zefi, braktisi barakën ku kishte zënë vend dhe u ngjit mbi tarracën e ndërtesës, aty ku gjendeshin edhe të burgosurit e tjerë që do të niseshin për në punë. Mes të burgosurve u ndje më mirë. Çuditërisht të gjithë panë se si edhe Tarti shkoi pranë Pal Zefit duke e vështruar çuditshëm, si për t’i thënë: “E kuptoj, asgjë nuk ka për të përfunduar me kaq”. Tarti, ky qen i çuditshëm, përcillte të burgosurit për në punë çdo mëngjes. Ai nisej me të burgosurit e turnit të parë, i çonte ata në minierë, ose më saktë deri te vendi që quhej “kthesa” dhe kthehej përsëri në kamp me ata që kishin përfunduar turnin e tretë. Më pas çonte në punë turnin e dytë dhe sillte në kamp ata që kishin përfunduar turnin e parë. Çuditërisht, ai qen ishte gjithnjë i vëmendshëm. Edhe tani që diçka ishte duke ndodhur, ai dukej sikur përpiqej të kuptonte diçka më shumë. Tarti ishte një krijesë mjaft intelegjente; sa herë që në kamp sillnin të burgosur nga rrethet, ai u afrohej pranë dhe sillej miqësisht me ta sikur t’i kishte njohur prej kohësh, kur ndodhte që në kamp të hynin njerëz të Prokurorisë apo nga Ministria e Brendshme, atëherë ulërima e tij ishte një piskamë e vërtetë, ashtu siç kishte filluar të bënte që prej dy javësh, që nga dita e parë kur pa se mbi kamp po fluturonte një tufë e zezë korbash. Megjithatë, sido që të ndodhte, Tarti e kishte zgjedhur pozicion e vet, ai do të qëndronte si gjithnjë me të burgosurit”.
Alarmimi i komandës
“Situata ishte bërë edhe më e nderë, vazhdon të tregojë tre ditët e tmerrit të revoltës së Spaçit, Ylber Merdani. Nënoficer Tuci sapo kishte vënë në dijeni oficerin e rojës së repartit Fejzi Liçon. Ai bënte detyrën e punëtorit operativ të Sigurimit të Shtetit. Edhe ky i fundit, që me sa duket kishte mbetur i tronditur nga lajmi që sapo kishte mësuar, kishte vënë në dijeni pa asnjë vonesë oficer Sulejman Manokun, kryetarin e degës së zbatim vendimeve penale. (Gjithçka mbi veprimet e komandës do të mësohej më vonë). Drejtuesit e kampit kishin mbetur të befasuar; si ishte e mundur që një i burgosur të mos i bindej asnjë urdhëri. Komanda doli me një vendim të prerë: Pal Zefi duhej të kthehej në dhomën e izolimit një çast e më parë. E kundërta nuk duhej të ndodhte. Që nga momenti i daljes së Pal Zefit nga dhoma e izolimit e deri më tani, kur ishte dhënë urdhëri i prerë i komandës, kishte kaluar më shumë se një orë Pal Zefi vazhdonte të qëndronte në taracë mes të burgosurve. Edhe të burgosurit prisnin të përballeshin me veprime të tjera. Befas të gjithë panë se njeru i sigurimit të shtetit, Fejzi Liço, i shoqëruar nga Mark Tuci dhe dy persona të tjerë, pasi u gjend afër me Pal Zefin, por jo aq pranë sa hekuri të arrinte mbi kokën e ndonjërit prej tyre, i kërkuan të burgosurit rebel që të kthehej në dhomën e izolimit. Ndërkaq, si për të treguar se ishin miqësorë me të burgosurin, pavarësisht se ai kishte thyer rregullat, tentuan të hedhin edhe një hap tjetër përpara, por hekuri që Zefi mbante në dorë u ngrit përpjetë. Nëse do të ndodhte që punonjësit e komandës të bënin hapin fatal, atëherë dikush prej tyre do të gjente vdekjen e sigurtë. Oficerët dhe nënoficerët u shtangën. Kuptuan se nuk mund të bënin dot asgjë. Vështruan nga të burgosurit. Edhe sytë e tyre ishin errësuar edhe më shumë, vështrimet ishin bërë edhe më të ftohta dhe më të frikshme. Të gjithë dukeshin sikur thoshin: “Largohuni që këtej, Pal Zefi është i pafajshëm, ai nuk mund të kthehet më në dhomën e izolimit, ai nuk dëshiron të punojë dhe për këtë askush nuk mund ta detyrojë”. Pal Zefi po ndjente mbështetjen e kolegëve”
Luftë nervash
“Megjithatë edhe njerëzit e komandës nuk mund të tërhiqeshin. Tërheqja e tyre do të dukej mposhtje, shenjë frike, do të vlerësohej si një humbje dhe fitore e të burgosurve. Të burgosurve nuk u duhej lënë asnjë shkak që të besonin se ata ishin më të fortë, se ata mund të fitonin, se atyre mund t’u plotësoheshin qoftë edhe një herë të vetme dëshirat e tyre. Kjo nuk mund të ndodhte. Ndërkohë në sheshin e burgut u duken punonjës të tjerë të kampit që po vinin në ndihmë të Fejzi Liços. Ky i fundit hodhi mbi të burgosurit një vështrim triumfator. Tashmë mund të thuhej se njerëzit e komandës ishin të mjaftueshëm për t’u hedhur në sulm për arrestimin e Pal Zefit. Pasi i kërkuan edhe një herë që të dorëzohej, vendosën të bënin përpara. Në ndihmë të punonjësve të komandës erdhi edhe Medi Noku, kryetar i zyrës teknike ( një i burgosur). Gjatë këtyre sekondave, hekuri në duartë e Pal Zefit kishte bërë një hark duke u ngjitur lart dhe pas kësaj, po ashtu si një shkreptimë, ishte ulur me shpejtësi mbi kokën e Nokut, por ky i fundit që kishte pikasur se çdo të ndodhte me të, i ktheu kurrizin duke dashur tashmë të largohej, por shufra e hekurit kishte zbritur mbi kurrizin e Nokut., i cili atë çast u gjend i shtrirë për tokë”.
Kishin ikur të gjithë
Në ambientet e jashtme të burgut të Spaçit nuk shihje askënd tjetër, veçse të burgosur dhe rojet që nuk dinin se çfarë duhej të bënin. Thuhej se gjithë njerëzit e komandës ishin mbledhur në një nga zyrat e tyre dhe debatonin mes panikut dhe frikës se si mund të dilnin nga kjo gjendje në të cilën e shihnin veten të mbërthyer. Komisari i repartit Shahin Skura dhe Sulejman Manoku tentuan të bisedonin me të burgosurit, që këta të fundit të zbatonin rregullat dhe ligjet, por askush prej të dënuarve nuk iu bind. Të burgosurit u përfaqësuan nga Syrja Lame dhe Njazi Bylykbashi. (Të dy u ridënuan pas revoltës) Drejtuesit e komandës ishin larguar përsëri të pafuqishëm. Tashmë askush prej tyre nuk po dukej në shesh. Një zjarr i madh ishte ndezur në shpirtat e të burgosurve. E kishin pritur këtë çast. Kishin gati dy javë që përcilleshin nga një parandjenjë se në kampin e tyre diçka kishte për të ndodhur. Paralajmërimi fillimisht kishte ardhur nga tufa e korbave pis të zeza që fluturonin mbi kamp dhe uleshin mbi gurët e parullës, “Popull – Parti – Enver”, por edhe nga Tarti që angullinte përvajshëm e bëhej më i shqetësuar në çdo ditë që kalonte. Situata vazhdonte të ishte alarmante. Ende nuk po gjendej një zgjidhje. Ndërhyrja me forcë, nga ana e komandës shihej si e pamundur. Koha kalonte. Njerëzit e komandës ishin duke pritur edhe mbërritjen e grupit operativ të degës së punëve të brendshme të Rrëshenit. Ata mbërritën rreth orës 16.00. U mblodhën përsëri në një nga zyrat e komandës dhe nisën të marrin në shqyrtim situatën. Kaloi një orë dhe askush nuk kishte mundur të dilte me një vendim. Kaloi edhe një orë tjetër dhe përsëri heshtje. Të burgosurit ishin në ankth. Çfarë do të ndodhte vallë? Nuk ishin të sigurtë nëse komanda kishte nisur të ndihej e pafuqishme apo ndonjë e papritur tjetër po përgatitej nga ana e tyre. Të burgosurit vazhdonin të hidhnin parulla të tilla, si “E duam Shqipërinë të lirë!”. “Roftë liria!”, “Rroftë Evropa e lirë!”, “Jemi të pafajshëm!” etj. Unë, rrëfen, Ylber Merdani, së bashku me Ulsi Pashollarin, nisëm të ngjisnim me marmalatë nëpër mure parulla të tilla, ku kërkonim ngritjen e një komisioni amerikan për verifikimin e dosjeve”.
“Kali i Trojës”
“Megjithatë rreth orës 18.00, policë dhe njerëz të sigurimit të shetit, nisën të vinin në zbatim planin e “Kalit të Trojës”. Ata u dërgonin lajm të burgosurve se dikush i kërkonte dhe pasi arrinin t’i shkëpusnin duke i nxjerrë deri në anën e pasme të kuzhinës, i arrestonin, sepse ai vend ishte i pakapshëm nga syri i të burgosurve të tjerë. Me të njëjtin plan arrestuan edhe Pal Zefin. Të burgosurit e panë arrestimin e tij në çastet e fundit. Po atë çast u dëgjua zëri i fuqishëm i Dervish Bejkos. “Mos e arrestoni mor të poshtër!” Edhe të burgosurit e tjerë u hodhën në përleshje, por tashmë Zefi u kishte ikur nga duartë. Fill pas arrestimit e kishin nisur me urgjencë drejt degës së punëve të brendshme të Rrëshenit. Të njëjtën skemë kishin përdorur edhe me Syrja Lamen. Tashmë ishte çasti kur po tentonin të arrestonin dhe Pavllo Popën, por ndërkaq turma e të burgosurve e kishte kuptuar se çfarë po ndodhte me njerëzit e vet. Instinktivisht nisën të grumbullohen e të rrinë bashkë, pranë njëri- tjetrit. Një pjesë e të burgosurve kishte zënë vend mbi tarracën e dushit dhe pjesa tjetër në oborrin e kampit. I dënuari Pope po u thoshte oficerëve se ishte i gatshëm të vinte vetë pa u lidhur, por ndërsa po ecte i shoqëruar nga nënoficerët, turma lëvizi si një përbindësh. Thërritjet ishin të forta dhe të fuqishme. Lëvizjet e tyre kishin vetëm një kumt: “Mos shko vëlla, ktheu këtu tek ne, nëse shkon me ta, nuk ke për t’u kthyer më kurrë!”. Pope bëri edhe dy hapa para dhe pastaj qëndroi në mes të rrugës si një gur që nuk mund të rrokulliset më tej dhe tha: “Po shkoj te shokët”. Dyluftimi ishte i heshtur. Ata nuk mund të përdornin as dhunë, as forcë, sepse turma mund të shndërrohej në një përnbindësh. “Mirë,- i thanë,- shko, por dije se ne do të të marrim, ti nuk mund të shkosh dot asgjëkundi tjetër” . Pope u la i lirë. Ishte një fitore tjetër e të burgosurve. Tashmë duhet të ishin ata që të hidheshin në ofensivë. Ishte çasti kur guximi i komandës ishte në rënie, turma po fitonte. Atë çast morën vesh se njëri prej hetuesve dhe prokurori ndodhej në infermieri. Kjo u nxiti dëshirën që t’i merrnin peng dhe pas kësaj të ishin ata që të diktonin kushtet e tyre, por ata kishin mundur ta pikasinin atë çka po thurrej prej të burgosurve. Rojet e brendshme të kampit arritën t’i nxjerrin nga infermieria duke shfrytëzuar një dalje tjetër. Edhe te radhët e hetuesve dhe prokurorëve kishte hyrë paniku. Çdonjëri prej tyre, edhe pse duhej të tregohej trim, ndjente frikën e vdekjes për shkak të ndonjë sulmi të papritur nga njerëzit e rebeluar. Sipas tyre, bisha ishte bërë e rrezikshme. Numri i të burgosurve që po ktheheshin në protagonistë po bëhej gjithnjë e më i madh. Ata që hidhin parulla kundër pushtetit popullor po bëheshin gjithnjë e më të shumtë. Befas kishte nisur përleshja e radhës. U gjakosën shumë veta. Së fundi njerëzit e komandës ishin larguar përsëri. Pas kësaj u duk sikur gjithçka u qetësua. Ata kërkonin të krijonin përshtypjen se ai që e kishte fajin, Pal Zefi, u arrestua, me të tjerët nuk kemi asgjë. Gjithkush duhet t’u bindet rregullave dhe ligjeve në fuqi dhe asnjë masë nuk do të merret. Kishte qenë vetëm një heshtje e rremë”.
Përballë me rojet
Turma po bëhej e papërmbajtshme, na thotë Ylber Merdani. Të burgosurit kishin mbetur ballë për ballë vetëm me rojet e brendshme të burgut. Njerëzit e komandës vazhdonin të mbeteshin të mbërthyer nga paniku. Erdhi një çast kur të burgosurit deshën të sulmonin rojet me gjithçka mundeshin. Nëse do të ndodhte kjo gjë, sigurisht që kasaphana e vërtetë do të ndodhte në anën e të burgosurve. Por edhe drejtuesit e komandës ndoshta nuk e donin një tragjedi të tillë. Nuk dihej se çfarë mund të ndodhte pas kësaj, nëse në këto ambiente, prej trupave të të burgosurve do të derdhej një lumë gjaku. Ata ishin të moshave të ndryshme, nga krahina të ndryshme, shumë prej tyre i kishin futur në burg vetëm pse kishin influencë të madhe në krahinat dhe zonat ku jetonin. Turma e të burgosurve bëri përpara. Dy forcat kundërshtare u vunë përballë njëra-tjetrës. Të burgosurit bënin një hap para, rojet një hap prapa. Qëndronin një çast, matnin me sy forcat e njëri-tjetrit, kuptonin kush ishte në avantazh dhe pastaj hidhej edhe një hap tjetër, rojet sërish bënin prapa. Kështu ndodhi deri sa njerëzit e armatosur u tërhoqën nga zonat e brendshme dhe dolën në zonën e ndaluar. Vetëm aty nuk mund të shkonin të burgosurit. Dalja në zonën e ndaluar do të thoshte vdekje e sigurtë. Nëse ndodhte kështu, ushtarët do të ishin të detyruar të qëllonin. U shpresua që edhe turma të ndalej, sepse nuk mund të përballej me vdekjen, por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Turma e të burgosurve kishte vendosur të shkonte e gjitha drejt vdekjes së sigurtë. Ishte pikërisht ky çast, kur u dha një urdhër tjetër, ushtarët duhet të dilnin jashtë zonës së rrethimit”.
Të burgosurit
“Tashmë gjithçka ishte në dorë të të burgosurve. Komanda nuk kishte asnjë mundësi që të vendoste rregullin e mëparshëm. Sikur të mos mjaftonte dueli që kishin fituar me rojet e burgut, kur të burgosurit panë se gjithçka kishte mbetur në dorë të tyre, u drejtuan nga dhomat e izolimit dhe nxorën që andej shokët e tyre të izoluar. Ishte një fitore që po shijohej nga të gjithë. Turma ishte kthyer në një çmenduri të vërtetë. Nuk dihej se çfarë do të ndodhte më tej, ndoshta të burgosurit do të tentonin të merrnin edhe zonën e ndaluar. Frika, se mund të ndodhte edhe kështu, detyroi ushtarët që të qëllonin me breshëri automatiku nga të gjitha drejtimet, mbi kokat e të bugosurve, por kësaj radhe askush nuk po e ndjente frikën. Për ta, ajo që po ndodhte atë çast, ajo breshëri plumbash, ishte vetëm një shpërthim fishekzjarresh. Shumë prej të burgosurve nisën të hidhin parulla të tilla si: “Ushtria është me ne”, “Populli është me ne dhe kundër jush”, “Shokë ushtarë, dorëzoni armët!” Në të gjitha ambientet e burgut gjeje të burgosurit grupe- grupe. Skënder Daja, Dervish Bejko dhe Bashkim Fishta filluan të mbajnë fjalime, të recitojnë poezi me përmbajtje kundër pushtetit popullor e të bënin thirrje për kryengritje etj. Ekzistonte vetëm një frikë, të burgosurit mund ta shpërthenin kampin. Ata tashmë ishin shndërruar në një tmerr të vërtetë”.
Nata e parë e revoltës
Dita e parë e revoltës kishte shënuar fundin e vet dhe nata kishte filluar të binte. Nuk kishte asnjë dyshim se për drejtuesit e komandës së kampit do të ishte një natë ferri. Gjithë strategjia e tyre ishte ta shtynte këtë natë të frikshme pa ndonjë provokim ndaj të burgosurve, pasi në të kundërt e keqja mund të përhapej shumë shpejt dhe askush nuk do të ishte në gjendje të parashikonte se kush do të ishte fundi i saj. Ata mund të dilnin nga burgu dhe të përhapeshin në të gjithë Shqipërinë. Kur ende mëngjesi nuk ishte zbardhur mirë, drejtuesit e komandës kishin marrë nga rojet njoftimin se në katin e tretë të ndërtesë së tyre, të burgosurit kishin ngritur flamurin shqiptar me shqiponjën dykrenare. Mbi bezen e jorganit të Neim Pashait, matjani Mersin Vlashi pikturoi shqiponjën. Ndrec Çoku gjet një shkop dhe e përdori atë në vend të shtizës së flamurit. Ne e pagëzuam Ndrecën me emrin e ri, “Ndrec Flamuri”. Megjithatë, ndërsa flamuri ngrihej mbi ndërtesë, ushtarët nisën të qëllonin me breshëri, por fatmirësisht nuk pati të vrarë. Sigurisht, të qëlloje në ato çaste mbi trupin e të burgosurve do të thoshte t’i hyje një aventure pa krye. Gjithë kampi ishte në duart e të burgosurve. Dëshpërimi dhe urrejtja e tyre i ngjante një deti të pafundmë. Mëngjesin e asaj dite, në kampin e Spaçit mbërriti edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme. Pasi u njoh me situatën, ai mori përsipër t’u drejtohej të burgosurve e të na kërkonte që ne t’i ktheheshim rregullit dhe zbatimit të ligjit. Zëvendësministri foli relativisht gjatë, duke u përpjekur të na tregonte forcën e shtetit, ndëshkimin që do të binte mbi të gjithë ata që kishin marrë përsipër të thyenin ligjin, dhe vdekjen që do të merrte gjithkush që kishte guxuar të dilte kundër pushtetit popullor. Qëllimi i vetëm i tij ishte përhapja e panikut mes të burgosurve, që këta të fundit të kuptonin se hakmarrja ndaj tyre do të ishte e madhe dhe e pamëshirshme. Vetëm dorëzimi pa kushte mund të shpëtonte jetët e tyre.
Pritja
Pas fjalës së gjatë të zëvendësministrit, pritej që të burgosurit të shpallnin dorëzimin e tyre, por çuditërisht, askush prej të burgosurve nuk iu bind thirrjeve të tilla, edhe pse gjithkush e dinte se disa prej tyre do të dënoheshin me vdekje. Korbat pis të zeza vazhdonin të kalonin mbi kampin e tyre për t’u ndalur më pas në kodrën përballë ku shkruhej me gurë një parullë e madhe. Ndryshe nga sa shpresonte zëvendësministri të burgosurit në vend të përgjigjes i nisën një të burgosur, që t’i çonte atij një zarf ku të dënuarit i kishin renditur të gjitha kërkesat e tyre. Veprimi i të burgosurve ishte një shpërfillje ndaj forcës që kishte treguar shteti përmes një zëvendësministri. Këtë gjë nuk mund ta pranonte kurrsesi njeriu i dërguar nga qeveria, do të ishte një përulje e pashembullt para armikut të klasës. Korrieri i të burgosurve u kthye mbrapsht. Megjithatë, në emër të të dënuarve Paulin Vata, Hajri Pasho dhe Nuri Stepa, jo vetëm që nuk e përfillën këtë thirrje, por iu kundërvunë me këto kërkesa: Të mos shpallet asnjë fajtor, të mos punojë askush në minierë, veçse në ndërtim etj, të kishte amnisti, sepse që nga koha e prishjes me BS, nuk kishte patur, të shqyrtohej çështja jonë, e të liroheshim sepse ishim të dënuar pa faj etj. Publikimi i kërkesave të tyre, ngrohu zemrat e gjithë të dënuarve. Po, ata kishin patur kurajon, t’ua thoshin njerëzve të qeverisë në sy dhe ballëpërballë gjithçka që ndjenin, ashtu sikurse nuk kishin pasur asnjëherë frikë të tregonin hapur urejtjen ndaj pushtetit popullor dhe udhëheqjes së partisë. Ata kishin qenë gjithnjë njerëz të lirë. Ditët e revoltës së Spaçit po përjetoheshin edhe si një ditë feste të madhe. Dikush thërriste “Rroftë Shqipëria e lirë”, “Ne jemi me Evropën e lirë”, “Poshtë komunizmi, etj. Askush prej tyre nuk dëshironte t’i shamngej kësaj përballje të madhe që me siguri nuk do të harrohej asnjëherë.
Përmbyllja
Kur kishte filluar të binte mbrëmja, u mësua lajmi se gjithë kampi ishte pushtuar nga tre rrethime ushtarësh. Për të treguar se sa të shumtë ishin ata në numër, gjatë gjithë natës ndezën zjarre përgjatë kodrave, madje edhe aty ku shkruhej me gurë parulla “Popull – Parti – Enver” dhe uleshin korbat e zeza. Vazhdimisht rreth kampit dëgjoheshin zhurma makinash, manovrime tankesh, lëvizje armatimesh, mbushje dhe shkrehje armësh. Sipas lajmeve që mbërrinin kohë pas kohe, korpusi i Burelit kishte mbërritur i gjithi aty, kishin mbërritur edhe sambistët të pajisur me armë dhe shkopinjë druri. U tha gjithashtu se pushtetarët e asaj kohë kishin vendosur të vinin në përdorim edhe lëndët kimike. Pas kësaj, gjithë të burgosurit ta gjenin veten në gjendje të fikti, ndërsa ushtria do të bënte arrestimin e menjëhershëm të tyre. Në rast nevoje as plumbi nuk do të kursehej. U pre edhe furnizimi me ujë. Për momentin ne mundëm të përdornim vetëm ujin që kishte mbetur në skaltabanjat e dusheve. Përballja do të ishte një tmerr i vërtetë. Dhe ashu ndodhi ata që kundërshtuan, i rrihnin me bishtat e lopatës dhe i sillnin aty me barela, si” Dashnor Kazazi, Gëzim Medolli, Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko, Demir Pojani etj. Ata ishin shumë dhe të gjithë të armatosur…Dikush erdhi me listën e arrestimeve, u lexuan rreth 100 emra të burgosurish. Do të ishin lexuar edhe emra të tjerë nëse Feçor Shehu nuk do të ngrinte dorën për të thënë boll. Në lishte kishte njerëz të moshuar që kishin bërë nga 20-30-vjet burg, por që dihej se këta persona kishin qenë me influencë në krahinat e tyre si Sami Dangëllia, Hodo Sokoli etj, ndaj dhe ndëshkimi për ta do të ishte i pamshirshëm Që të mos dëgjoheshin rrënkimet e njerëzve që torturoheshin, policët këndonin: “Ne përpara po marshojmë, me Enverin fitimtar”.
4 prej tyre u dënuan me pushkatim: Skëndër Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajri Pasha. Askush prej tyre nuk kërkoi mëshirë, ndërsa 8 të tjerë u dënuan më 25 vjet burg. Këto dënime u dhanë brenda ditës. Ndërsa në ditët të vijim kampi do të vihej në gjendje hetuesie. Në brendësi të kampit u hapën 7 qendra hetimi, ku do të pyeteshin të gjithë, pa përjashtim, gjithë të burgosurit. Për 6 muaj me radhë u ndalua krejtësisht dërgimi apo marrja e letrave dhe pakove, u ndaluan takimet me të afërmit dhe gjithçka tjetër. Askush nuk dinte se çfarë po ndodhte me të burgosurit. Një pjesë i çuan në burgun e Tiranës, një pjesë tjetër në atë të Rëshenit, dikush lirohej, ishin të shumtë ata që ridënoheshin Megjithatë të gjithë kujtonin fjalët e Skënder Dajës, të cilit edhe kur i than: “i pandehur kërko falje dhe ne do të të falim”, ai u përgjigj: “Edhe sikur të kisha patur dhjetë jetë, dhjetë herë të njëjtën gjë do të bëja. Do të luftoja të isha i lirë”. Me këto fjalë i dha fund rrëfimit të tij, Ylber Merdani, të cilit gjithnjë i kujtohen gjithashtu edhe korbat e zeza që ishin shfaqur mbi kampin e tyre, por edhe qeni i të burgosurve, Tarti që gjithnjë dinte të ishte në krah të të burgosurve. A thua se kuptonte më shumë se njerëzit!
Rreth burgut të Spaçit
Informacione | |
---|---|
Emri: | Burgu i Spaçit |
Vendndodhja: | Spaç, Mirditë |
Viti i Ndërtimit: | 1968 |
Viti i Mbylljes: | 1990 |
Burgu | |
Pune e Detyruar: | Po |
Gjinia: | Burra |
Lloji: | I Sigurise se Larte |
Kapaciteti: | 504 Persona |
Në pranverën e vitit 1968, Reparti nr. 303, pasi kishte “shëtitur” duke ndërtuar veprat më të mëdha të socializmit, u ndal në stacionin e fundit të tij, në Spaç. Qëllimi i vendosjes këtu ishte nxjerrja e mineralit në Spaç, si dhe përpunimi i tij në Reps, një vend ku ishte ndërtuar fabrika e pasurimit të bakrit.
Më 28 prill 1968 u bë zhvendosja e fundit e të dënuarve nga Elbasani në Spaç të Mirditës. Ish-i dënuari Kristo Mema thotë që data e mbërritjes së tij është 20 prilli 1968. Ish-komandanti Haxhi Gora shkruan në një letër të datës 18.9.1980 se zhvendosja e të dënuarve ka vijuar përgjatë gjithë muajit prill. Nisur nga dëshmia e Robert Vullkanit, rezulton se të burgosurit kanë mbërritur në tre grupe në Spaç.
Tanush Kaso ishte njëri prej personave që u zhvendos nga Elbasani në Spaç. Të dënuarit kanë qenë ata që janë vendosur në 7 baraka të mëdha llamarine e dërrase, mbuluar me katroma. Në një barangë rrinin gati 100 të dënuar. Disa të burgosur kanë qenë: Ali Hoxha (muzikant), Osman Kazazi, Haki Slatina, Astrit Delvina, Robert Vullkani, Ernest Troshani, Vangjel Lezho etj. Më vonë erdhën të dënuar si At Zef Pllumi etj. Komanda ishte vendosur jashtë rrethimit të kampit. Sapo të burgosurit erdhën, filloi një protestë, pasi nuk donin të punonin në minierë. Nga kjo, i burgosuri ish-ushtarak Dilaver Radeshi bëri një grevë të gjatë urie, të cilën e ndërpreu vetëm nga ardhja e nënës së tij në burg. Në Spaç nxirrej pirit dhe bakër. Miniera ishte tejet primitive, e pajisur vetëm me ndonjë armaturë druri. Uji ishte jo i shëndetshëm, i pajisur me mineralet e shumta që nxirrte toka e Spaçit. Prej ujit të keq shumë të dënuar ngelën shpejt pa dhëmbë në gojë.
Sipas skemës së sigurimit të repartit, Spaçi ishte një kamp i rrethuar në një terren të vështirë. Ishin 30 vendroje me ushtarë. Shërbenin për sigurimin e repartit 4 toga ushtarake. Nxirrej mineral në 4 zona të tilla.
I dënuari në Spaç kishte sende personale 2 palë rroba, 1 pagure alumini ose plastmasi, 1 furçë dhëmbësh, 1 fletore, 1 tas, 1 lugë gjelle alumini, 1 dyshek, (nuk thuhej sa) batanije, 1 çarçaf.
Sipas rregullores së brendshme të kampit, të dënuarit duhej t’i bindeshin për gjithçka komandës, duhej të realizonin normën e punës etj. Lejoheshin të merrnin nga familjet 15 kg sende (këtu nuk hynin frutat, perimet), të takonin familjarët 2 herë në muaj nga 15 minuta, të dërgonin 2 letra në muaj te familjarët (gjithmonë brenda vendit), të abonoheshin në organet e shtypit etj. Telegramet dhe kartolinat lejoheshin pa kufizim. Po ashtu i dënuari mund t’i shkruante letra KQ të PPSH-së, Presidiumit të Kuvendit Popullor, Këshillit të Ministrave, Gjykatës së Lartë, MPB-së, organeve vendore etj.
Më 17 qershor 1968, të dënuarit u orvatën të ndërtonin një tunel për t’u arratisur, por nuk mundën dot. Gjatë vitit 1969 ishin orvatur për t’u arratisur 15 persona, prej të cilëve 6 ishin kapur ose asgjësuar dhe 9 të tjerë ishin kapur në 1-8 ditë. Nga studimi i rasteve dilte se në 61% të tyre kishin zgjedhur kohën e keqe, me mjegull, shi, borë, pasi kishin studiuar më parë kushtet e rojeve. Arratisjet vinin gjatë ndërrimit të turneve apo nga galeritë e minierës.
Barakat gradualisht i zëvendësuan me pallatet e banimit. Rreth vitit 1971 u ndërtua një prej pallateve për strehimin e të burgosurve. Në vitin 1973 nisi puna për ndërtimin e pallatit të dytë, ngjitas me të parin. Në rast gjendje lufte reparti zhvendosej në Berat.
Reparti e organizonte punën sipas një plani ditor. Pikat më kryesore të këtij plani janë sipas orarit:
530 zgjimi
600 – 630 mëngjesi
700 – 1500 puna në minierë
1700 – 1710 apeli
1710 – 1930 leximi i shtypit dhe i materialeve të PPSH-së
2000 – 2030 dreka
2100 – 530 gjumi
Gjatë vitit 1973 kishte pasur 65 kundërshtime për të dalë në punë. Pas marrjes së masave represive të këtij viti, një vit më vonë, shifra zvogëlohet në 7 të tilla.
Plani deri në nëntor 1973 kishte qenë për të realizuar 59.600 tonë bakër. Ishin bërë 59.702 tonë. Për piritin ishin realizuar 32.858 tonë, ose 1,8 mijë mbi planin.
Plani i vitit 1974 kishte qenë për të realizuar 65.000 tonë bakër. Ishin bërë 76.000. për piritin ishin realizuar 43.000 tonë ose 3 mijë mbi planin.
Për vitin 1975 në repart punonin rreth 517 persona, ndërsa ishin mbyllur në birucë 152 të dënuar.
Në vitin 1975 në repartin e Spaçit ishin në gjendje 356 armë zjarri, kryesisht automatikë.
Në një raport të vitit 1976, komanda e repartit raportonte:
“Në repartin 303 Spaç qysh prej 4 vjetësh nuk kanë ndodhur largime të të dënuarve. Dy që tentuan në vitin 1975 u asgjësuan pa dalë nga rrethimi. Në Spaç vuajnë dënimin armiq të Partisë e të popullit, me rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Për sigurimin e tyre në repart e frontet e punës, kuadri dhe gjithë efektivi ka vështirësi, për vetë kushtet e terrenit ku është dislokuar ky repart”, – thuhej në raportin vjetor të burgjeve.
Në vitin 1976 nga 90.000 tonë që ishte plani ishin marrë 96.513 tonë bakër. Po të njëjtin vit, nga 36.000 tonë që kishte qenë plani, ishin nxjerrë 36.057 tonë pirit.
Në vitin 1976 në repartin 303 punonin 633 të dënuar, prej të cilëve vetëm 67 ishin ordinerë. Personeli i burgut për ruajtjen e tyre në këtë kohë përbëhej nga 152 persona.
Arratisjet nga kampi mund të bëheshin vetëm në çaste pune, nëpërmjet galerive të shkurtra. Kështu, më 9.12.1977, të dënuarit Stavro Guxo dhe Aleko Qirici realizuan një arratisje pa asnjë lëndim, duke ia hedhur në erë gjithë vigjilencën rojeve të kampit.
E dhëna e datës 26.12.1977 e komandës së kampit na bën të ditur se kapaciteti i dy godinave ishte për 762 të burgosur, ndërsa atë çast ishin 73 më shumë duke përbërë një shumë të përgjithshme prej 835 të burgosurish.
Në fund të janarit 1977 në kamp ishin 725 të dënuar politikë dhe 28 ordinerë. Në fund të dhjetorit 1977 kjo shumë ishte 877 të dënuar politikë dhe 48 ordinerë.
Në fund të janarit 1978 në repart ishin 877 të dënuar politikë dhe 48 ordinerë. Në fund të nëntorit 1978 në repart ishin 905 të dënuar politikë dhe 37 ordinerë.
Në një informacion të datës 14.10.1978 thuhej se të dënuarit Vasil Ziu, Frederik Shestani, Refik Beqo, Ushtar Çobo, Ilir Agaraj, Nikolla Shyti dhe Gaspënuarit Vasil Ziu, Frederik Shestani, Refik Beqo, Ushtar Çobo, Ilir Agaraj, Nikolla Shyti dhe Gasp Gaspri nuk kishin pranuar të dilnin në punë duke thënë se ishin të sëmurë. Për këtë veprim ata ishin dënuar duke u futur në birucë.
Nëse do shikojmë statistikat do të vërejmë për shembull se vetëm në janar-korrik 1979 të burgosurit kishin nxjerrë:
– 89.459 tonë bakër.
– 3.275 tonë pirit.
– 2.547 metra linearë punime.
Cilësia e mineralit ishte 0,93.
Të gjitha punimet ishin kryer me tejkalim plani.
Lartësitë që punonin të dënuarit ishin midis 698-700 metra mbi nivelin e detit. Kishte dalje jashtë rrethimit të kampit pothuaj në të gjitha galeritë. Por që të dilje atje, duhej t’i njihje këto. Galeritë e dyshuara për arratisje u bllokuan. Megjithatë maksimalisht ato nuk mund të mbylleshin. Sipas një informacioni të datës 24.8.1978 kampi i Spaçit kishte 3 postblloqe. Kjo shpjegohej me kushtet e sigurimit maksimal të të dënuarve.
Më 11.6.1979 ishte vrarë i dënuari Refik Beqo. Asgjësimi i tij ishte bërë duke u qëlluar nga 5 vendroje, numrat e të cilave ishin midis shifrave 13-17 (ishin 30 vendroje gjithsej). Komanda pasi nxirrte anët e mira të goditjes pa mëshirë të “elementit armik”, kritikonte harxhimin e kotë të municionit nga 5 drejtime.
Në fund të janarit 1979 në kamp ishin 920 të dënuar politikë dhe 31 ordinerë. Nën tokë punonin 530 të dënuar. Në fund të shtatorit 1979 në kamp ishin 919 të dënuar politikë dhe 25 ordinerë.
Në Spaç, ushqimi jepej i cilësisë së dobët, krejt jashtë çdo standardi apo cilësie. Në fund të fundit kur edhe për repartet ushtarake, restorantet apo popullatën ishte copë-copë, nuk pritej që në Spaç të ishte mrekullia. Por ajo që është edhe me gjenocidiste madje është mënyra sistematike e helmimit që është përdorur ndaj të burgosurve. Jo më kot, i dënuari Pal Gjergj Zefi (prej të cilit filloi revolta e Spaçit e 21 majit 1973), i pushkatuar, thotë në hetuesi se ushqimi që ai kishte konsumuar ishte helmim që çonte në dobësim e më pas në vdekje të ngadalshme. Dhe të mendosh që kjo bëhej paralelisht me punën e rëndë që të dënuarit kryenin, me dhunën e përditshme që merrnin, si dhe me izolimet e shumta, është vërtet e dhimbshme.
Në një raport të datës 27 gusht 1979, pranohej nga komanda e burgut se ishin ankuar për toksikime 150 të burgosur. Për të dalë të palagur, komanda ia vinte fajin “gabimeve” të të burgosurve, si dhe mjekut të dënuar Jetulla Gashi, a thua se ky duhej të përgjigjej për cilësinë e dobët të ushqimit dhe atë që bënin drejtuesit e kampit. Dhembje barku e të vjella shoqëronin jetën e përditshme të të burgosurve. Sipas të njëjtit raport, në verën e vitit 1979 kishin paraqitur shqetësime 150 të burgosur.
Më 2.10.1979 komanda e kampit nxirrte se kishin nevojë për shtrim në spital 32 të dënuar, një numër relativisht i lartë, po të kemi parasysh se shifra ka qenë e përzgjedhur me një tjetre më të madhe. Gjatë vitit 1979, 5 të dënuar kishin refuzuar ushqimin. Ndërsa i dënuari Filip Rexha ishte orvatur të vriste veten duke u hedhur.
Në vitin 1980 ishin realizuar mbi planin 3.483 tonë bakër, 1.400 tonë pirit dhe ishin hapur 128 metra linearë galeri. Puna në minierë konsiderohej e rrezikshme në raportet e drejtuesve të MPB-së dhe se punohej pa kasketa mbrojtëse në kokë. Vetëm në vitin 1980 ishin aksidentuar 365 të burgosur, prej të cilëve 1 kishte vdekur dhe 12 ishin plagosur rëndë.
Në fund të qershorit 1980 në repart ishin 980 të dënuar politikë dhe 20 ordinerë. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 1980 kishin kaluar në birucë 118 të dënuar.
Sipas informacionit që jepte mjeku i repartit, më 31.5.1980 në Spaç punonin nën tokë 531 të burgosur. Mbi tokë punonin 295 e të tjerët nuk punonin për shkaqe sëmundshmërie. Kishin nevojë për shtrim në spital 128 të burgosur. Vetë kampi kishte një infermieri të përbërë me 8 shtretër. Një WC shërbente për 60 të burgosur. Në një dush, nëse punonte, duhej të laheshin 60 të burgosur. Kur dilnin jashtë dhomës ku flinin, një i burgosur kishte 1 m2 vend për ajrosje.
Në vitin 1981, mesatarisht ishte krijuar një trupë të burgosurish prej 1.056 veta (e dhëna e muajit maj, 1.023 politikë dhe 33 ordinerë). Kapaciteti i godinave ishte 504 veta. Pra, ishin grumbulluar më shumë se dyfishi. Për muajt mars-prill 1981 raportoheshin në Spaç 18 të vdekur. Në qershor shuma shkon në 1.064 të burgosur (vetëm 26 ordinerë).
Gjatë vitit 1981 ishin nxjerrë 83.623 tonë bakër (ose 3 mijë mbi planin) dhe 35.650 tonë pirit (650 mbi planin). Po ashtu, ishin realizuar 3.184 metra linearë punime minerale me tejkalim plani.
Sipas informacionit të datës 20.9.1981, efektivi i repartit përveç ushtarëve përbëhej nga 1 oficer, 7 nënoficerë, 29 policë. Këta në origjinë vinin 42% nga klasa punëtore, 33% nga fshatarësia kooperativiste, 25% nga policia etj. Ushtarët që vinin nga shërbimi i detyrueshëm, ruanin vetëm sistemin e jashtëm të repartit.
Më 16.10.1982 ushtarët vranë në përpjekje për t’u arratisur të dënuarin Hysen Merdani (i dënuar për arratisje) dhe tri ditë më vonë Rexhep Goçin (i dënuar për agjitacion). Komanda propozonte që ata të merrnin fletëlavdërimi nga MPB-ja.
Në raportin e komandës të datës 20.4.1982, të dënuarit Visar Zhiti, Muharrem Protoduari, Ibrahim Çuni, Zyber Selimi, Rexhep Gojani, Mysli Çelhyseni, Marash Kumbulla, akuzoheshin se bënin “sabotim” në nxjerrjen e mineralit.
“Faktet e tanishme flasin për atë që kjo kategori të dënuarish qëndrojnë në pozitat e veta klasore të kundërta me materialet e partisë dhe mësimet e shokut Enver, me interesat e shoqërisë socialiste e të familjes së tyre. Prandaj komanda u ka dhënë masa ndëshkimore, sepse kanë kryer shkelje e faje për moszbatimin e rregullave të brendshme, mbajtjen e sendeve të ndaluara…”, – pohohej në raport.
Një prej të burgosurve që u lirua në Spaç ishte Hafiz Sabri Koçi. Ai vuajti 20 vjet dhe në Spaç vuajti shumë vite. Në repartin e Spaçit ai punonte në sistemin e ujit të pijshëm duke bërë punën e hidraulikut.
Në vitin 1983 nga kampi i Spaçit silleshin 5 raportime për të burgosurit Xhevat Alibali, Dhimitër Nani, Sandër Sokoli (ekzekutuar një vit më pas për revoltën e Qafë-Barit), Murat Gjonzeneli dhe Petro Lekushi. Raporti i datës 2.3.1983 kishte në qendër komentet e tyre rreth librit “Titistët”. Për të dënuarit, Enver Hoxha konsiderohej si nxënës i Titos, ndërsa ato që kishte shkruar, të pabesueshme.
Në vitin 1985, harta e repartit 303, tregon se të dënuarit politikë dhe ordinerë janë të ndarë nga njëri-tjetri. Jashtë rrethimit ndodhen zyrat e minierës. Sapo hyn në kamp, në krah të majtë ishin të rrethuar veçan të dënuarit ordinerë në një kompleks prej 8 godinash. Duke ecur në rrugën kryesore të kampit kalohen 5 godina të artizanalit. Poshtë tyre vërehen 11 godina (2 prej të cilave të banimit) të të burgosurve politikë.
Në vitin 1985 në repartin e Spaçit ishin 470 të dënuar politikë dhe 850 ordinerë.
Në janar 1987 e dhëna flet se në repartin 303 kishte kapacitet prej 970 shtretërish. Në repart kishte 316 të dënuar politikë (kapacitet ishte 400 shtretër) dhe 521 të dënuar ordinerë (kapaciteti ishte 570 shtretër).
Në repartin 303/1 Gurth Spaç kishte 271 të dënuar ordinerë (kapaciteti 300 shtretër). Këta ishin të dënuar ordinerë të moshës 19-25 vjeç.
Në vitin 1987 komanda kishte pasur një plan nxjerrje minerali prej 13 mijë tonë bakër, ndërsa kjo normë ishte realizuar 95%.
Në vitin 1990 ulet ndjeshëm numri i të burgosurve. Kanë ndikuar këtu zhvillimet e këtij viti. Të burgosurit refuzonin të punonin. Nisur nga kjo gjendje, më 5.6.1990 zëvendëskryeministri dhe ministër i Industrisë Minerare Besnik Bekteshi, ishkruan ministrit Simon Stefani mbi dëmet që ishin shkaktuar nga mosplotësimi i planit nga të dënuarit politikë. Për këtë arsye ai kërkon boshatisjen e vendit ku kishin mbetur rreth 160 të dënuar politikë në Spaç, sepse do të merrnin njerëz me pagesë nga banorët e zonës.
– Më 13.6.1990 janë larguar në drejtim të repartit 311 Qafë-Bari, 60 të dënuar.
– Më 14.6.1990 janë larguar në drejtim të repartit 313 Tiranë, 30 të dënuar.
– Më 19.6.1990 janë larguar në drejtim të repartit 305 Sarandë dhe 327 Gjirokastër, 70 të dënuar.
Spaçi funksionoi për të dënuarit politikë midis datave 20.4.1968 deri më 19.6.1990. Në kushtet e reja të krijuara në vend pas vitit 1990, me një urdhër të përbashkët të ministrave të Punëve të Brendshme Gramoz Ruçi, Industrisë dhe Energjetikës Drini Mezini dhe të Bujqësisë Ahmet Osja, më 13.4.1991 reparti 303 i kaloi në dispozicion ndërmarrjes përkatëse të nxjerrjes së mineralit. Ai u përdor edhe pak vite si vend ku vuanin dënimin të burgosurit ordinerë, derisa u mbyll. Prej mbylljes e deri sot, kohë pas kohe, reparti ka kaluar në gjendje shkatërrimi të pandalshëm.
Komandantët e komisarët e repartit 303 kanë qenë të profesioneve: bujq, punëtorë, xhandarë, çobanë, agronomë. Për pjesën më të madhe të viteve arsimi i tyre ka qenë ai fillor. Në vitet e fundit të regjimit arsimi i tyre është i mesëm. Cnn.al