Përtej ditës së një feste..

 -Vera Shkurti, mësuesja e fëmijëve shqiptarë në dy ishuj të Greqisë-    

Nga Duro Mustafai

Kur nisesh nga Tirana e gjendesh në qytetin tënd të lindjes, gjëja e parë që të vjen në mëndje janë prindërit, që të sollën në jetë dhe mësuesit që të përgatitën për jetën. Dhe, një ndjenjë e brendshme e fuqishme të thotë të takohesh së pari me ta, ti përqafosh e tu shprehish mirënjohjen këtyre mësueseve të parë në formimin tënd si njeri dhe qytetar. Por, për një 85 vjeçar, si puna ime, që e fillova punën si mësues dhe e mbylla si gazetar, çdo përpjekje është e kotë, se më të dashurit e tu, ka vite që janë ndarë nga jeta. E ty tani të mbetet të jetosh vetëm përmes kujtimeve të tyre, që nuk harrohen. Madje bëhem më të shtrenjta, të bukura e më të pranishme, kur në Vlorën tënde gjendesh një ditë para 7 Marsit, Festës së mësuesve, që është bërë festë për gjithë popullin. Sidoqoftë dashuria dhe dhimbja për mësuesit e tu, që nuk jetojnë, të shoqërojnë edhe në këtë ditë. Sado që festa i mënjanën disi. I mënjanojnë ata 40 mësuesit e shquar që Këshilli Bashkiak i ka nderuar me dekoratën “Mirënjohja e qytetit të Vlorës”. Jemi të pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme. Dëgjojmë fjalët e ngrohta e patetike të kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Zotit Dritan Leli, e hyjmë edhe ne në vorbullën e kujtimeve për ata pishtarët e diturisë. Dhe, Kryetari simpatik i Vlorës, që flet me aq dashuri, e mirënjohje për mësuesit, por edhe me njohuri në fushën e mësim-dhënies, na duket se edhe ai ka qenë vetë mësues, që e kupton thellë në shpirt ç’është misioni i mësuesit, ndryshe nuk do të pasqyrohej në sytë e tij aq shumë dashuri, mallëngjim e mirënjohje për ata, “ndërtuesit e shpirtrave njerëzorë”. Ndërkohë, njëri pas tjetrit, do të ishin mësuesit e dekoruar që flisnin për punën e tyre, duke falënderuar prindërit, nxënësit e të pranishmit, e ndërmjet intevalesh, do të dëgjofshim edhe këngët e bukura kushtuar mësuesve. .

-Ashtu si edhe në raste të tjera për ngjarje të rëndësishme, takimi me mësuesit e dekoruar, pati të veçantën e vetë. E për këtë ja vlen të shkruhet. . Në takim iu dha titulli ‘’Mirënjohja e qytetit të Vlorës’’ edhe një mësueseje nga Vranishti, emigrante në Greqi. Kjo ndodhte për herë të parë.

Emigrantja, që mori titullin e Nderit është vajza nga Vranishti, Vera Shkurti. Ajo prej vitesh jeton në qytezën-ishull të Greqisë, në Tinos, dhe prej afro një dekade, ajo, vullnetarisht, ka hapur klasa dhe u mëson fëmijëve të emigrantëve shqiptarë, , në dy ishuj të Greqisë, në Tinos dhe Siros, gjuhën shqipe. “Ishte porosia e babait tim, Ferjat Shkurti, na thotë, Vera . që , të mos hiqja dorë nga mësuesia dhe, edhe atje ku jetoja, në Greqi, tu mësoja gjuhën e nënës fëmijëve shqiptarë”. Babai i saj Ferjati, ish drejtor shkolle në dy dekada në vëndlindje, Vranisht, u gëzua që vajza e tij ja plotësoi dëshirën, e këtë ajo e bëri, ditën kur i ati mbushi 80 vjeç të jetës së tij. Atë ditë mësuese Vera i shkroi babait të dashur se “Çeljen e Shkollës shqipe e kishte si dhuratë për ditëlindjen e tij”. Ndërsa i ati e falënderonte se vajza e tij, që ish diplomuar më Shqipëri si mësuese, do të shërbente edhe në emigrim, si mësuese e fëmijëve shqiptarë, që ata të mos e humbisnin gjuhën e nënës dhe identitetin e tyre.

Natyrisht për të arritur gjer këtu asaj iu desh të merrte lejen e autoriteteve greke, të krijoheshin edhe kushtet me bazën materiale. Vera i plotësoi këto me ndihmën e Kryetarit të Bashkisë Tinos, i cili jo vetëm e mirëpriti nismën e vajzës nga Shqipëria, por edhe siguroi lokalin përkatës e bankat e mësimit. Ndërsa përkrahjen do ta jepte edhe Ambasada e jonë në Athinë e ambasadori Dashnor Dervishi, i cili bashkë me autoritetet lokale greke do të ishin bashkërisht të pranishëm edhe në festën e çeljes së klasave të mësimit. Kjo nismë që konfirmon identitetin e shqiptarëve me anën e gjuhës së tyre, do të ishte e pamundur në dekadat e shkuara, kur gjuha jonë ishte mallkuar nga patrikana greke, e për të luftuan, e u sakrifikuan, edhe brenda tokave tona e jo më në Greqi, rilindasit e dishepujt e tyre, që u bënë dëshmorët e gjuhës dhe të Shqiptarizmës, si Papa Kristo Negovani me shokë. Vajza nga Vranishti rritur përmes halleve, mendonte se sakrificat e paraardhësve të saj, ishin më të rënda nga ato që do ti duheshin të përjetonte . Dhe, disaherë në javë do të merrte rrugën përmes detit me traget, për të mbërritur në Siros, ku e prisnin kahëahapur nxënësit të etur për shkollë e dituri. Ajo ishte mësuese e thjeshtë e pa pretendime, ishte mësuese pa statusin e saj të mësuesisë, pa shpërblime nga shteti, në klasat me pak libra e fletore dhe pa mbështetjen e duhur nga institucionet përkrahëse të shtetit, për fëmijët në Diasporë. .

Hapja e klasave të mësimit të shqipes në dy ishujt e Greqisë, dhe mësimi i gjertanishëm i disa qindra nxënësve shqiptarë, ishte një sfidë ndaj shfaqjeve snobiste e raciste, e natyrisht përbën një akt civilizimi dhe evropianiozimi te të dy popujt tanë fqinjë. Prandaj pati jehonë edhe në mediat greke dhe u komentua si një akt miqësie e afrimi. : Për të u realizua edhe një film dokumentar me titullin: “Vera mësuesja e gjuhës shqipe në dy ishuj të Greqisë” ( Me skenar të Abdurrahim Ashikut dhe regji të Arjan Mellonashit), film që u shfaq në Greqi për mësuesit që jetojnë e punojnë atje, u shfaq edhe në Berat e Vlorë, ndërsa në Janar e shfaqi edhe Televizioni Publik Shqiptar. Filmi pasqyron pamje të shumta të punës plot vetmohim të një vajze shqiptare që udhëton me traget nga një breg i ishullit Tinos, më atë të Sirosit. E gjëndet midis nxënësve, fëmijë të emigrantëve shqiptarë, që e presin me padurim mësuesen, nënën e tyre të dytë. Këto udhëtime Vera i ka bërë disa herë në javë, vullnetarisht e ka marrë falënderimet e pa kursyera , të nxënësve e të prindërve të tyre. Ata e konsiderojnë Mësuese Verën Si Herohinën, e pishtaren e dritës në këta ishuj të Greqisë.

Ishte emocionuese fjala e shkurtër përshëndetëse e mësuese Verës, në atë takimin mbresëlënës të mësuesve, në Vlorë. Dhe, ndërsa merrte dekoratën e mirënjohjes, ajo u tha të pranishmëve, kryesisht mësues e mësuese të Vlorës, që mbushnin sallën se “Punën time me fëmijët në diasporë mund ta bëjnë edhe të tjerë mësues e kjo gjë që më gëzon e frymëzon, se ka nisur të bëhet realitet” Po, “në se Nderi që më bëni më jep mua edhe kënaqësi, edhe gëzim të shumëfishtë, kjo ndodh nga që dekoratën e Mirënjohjes e jep vendi i lindjes, Vlora, e cila për kontributet e sajë në luftë për liri e dituri, i takon Mirënjohja e të gjithëve”.

Në takim, për të nderuar mësuesit e Vlorës, pata rastin të kem në krah, inxhinier Besnik Hasanaj, që ka lindur në Bajram Çurri, (Tropojë), po që origjinën e ka nga fshati i Verës, Vranishti i Vlorës, Ai ishte ftuar nga kryetarja e Këshillit Bashkiak të Vojsava Shkurtaj, për kontributet e tij në fushën e diturisë. Inxhinjer Besniku, është një burrë fisnik e bujar e njihet prej vlonjatëve si njeriu përkrahës i kulturës e diturisë. Ai bëri të mundur nxjerrjen në dritë edhe të dokumentarit për mësuese Verën, Dhe, tek dëgjonte që fliste Vera , në atë ceremoninë e nderimit të saj, fjalë-paku, inxhinier Besniku, lëshoi vetëm dy fjalë të njëjta : “Bukur…bukur’’…

Në fakt kjo ishte një shprehje e gjetur mirë, përmbledhëse e vlerave të shumta të takimit. Ishte edhe një dhuratë e bukur mirënjohjeje e Vlorës për mësuesit, pishtarët e diturisë, e midis tyre edhe për mësuesen e fëmijëve të emigrantëve shqiptarë, në dy ishuj të Greqisë, Vera Shkurtin.

SHKARKO APP