Përurohet busti i shkencëtarit Betim Muço

Shkrimtari, poeti, përkthyesi dhe fizikani Betim Muço është përkujtuar nga të afërm, familjarë, por edhe stafi pedagogjik dhe nxënësit e shkollës që mban emrin e tij në Njësinë Nr. 6 në Tiranë. Shkolla e re në Kombinat, përveç emrit të Betim Muços do të mbajë në ambientet e saj edhe bustin e tij, si një shenjë mirënjohje për gjithçka ai bëri në fushën e shkencës, por edhe si shkrimtar e përkthyes.

Në ceremoninë e vendosjes së bustit, mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi figurën e Betim Muços dhe kontributin e tij me vlerë për shoqërinë shqiptare. Ndërsa solli në vëmendje historinë e miliarderëve botërorë të cilët zgjodhën të bëhen të pavdekshëm nëpërmjet filantropisë, Veliaj tha se Betim Muço e ka bërë këtë me dije dhe me veprën e tij.

 “Në qoftë se ka një arsye pse sot nuk e konsideroj një ditë pikëllimi, por një ditë gëzimi për veprën e Betimit, është se me sa duket ai e gjeti këtë përgjigje dhe fakti që sot kishim dy zonja, zonjusha të nderuara, mësuese që i lexonin jetëshkrimin respektivisht për arritjet në fizikë, sizmologji, shkencë apo në letërsi, në shkrime, do të thotë që ai arriti ta kthente këtë përgjigje dhe përgjigja ishte ‘lër një vepër për të cilën ia vlen të kujtohesh, për të cilën ia vlen të emërtohet një institucion, ia vlen të përpiqet një skulptor’. Ndoshta ky është çelësi i pavdekësisë, se edhe kur të mos jem unë kryetar bashkie, Betimi do jetë këtu, edhe kur të merremi me punë të tjera, ndoshta të largohemi nga kjo jetë, Betimi do jetë këtu dhe ndoshta do jetojë më gjatë se disa nga ne, se la një vepër që e bëri të pavdekshëm”, tha Veliaj.

Prandaj, sipas kryebashkiakut edhe kjo ceremoni mund të shërbejë më shumë si një moment reflektimi për gjurmët që lëmë në jetë. Për këtë, shtoi Veliaj, nuk duhet patjetër të jesh kryetar bashkie apo njeri me pushtet.

“Njerëz që janë të pavdekshëm për mua janë mësuesit e mi. Unë e mbaj mend si tani Polikseni Ndrenikën, e mbaj mend si tani Leonorën, te shkolla “Kosova”, pra dikush që lë shenjë nuk ka nevojë të jetë emër i madh dhe të votohet nga 1 milionë njerëz. Mund ta lerë këtë shenjë në njerëz të caktuar, për atë segment të jetës ku kanë dhënë një pjesë të jetës së tyre dhe jam i bindur që nëse ne arritëm që në një vit shkolla të ketë tashmë 1000 nxënës, do të thotë që ky është një shans fantastik, të lëmë gjurmë e të jemi të pavdekshëm për të paktën 1000 nxënës të këtij komuniteti që ku i dihet si u merr jeta nesër. Një frymëzim, një dorë e ngrohtë nga një prej mësuesve, një ndihmë në një moment të vështirë mund të jetë ndryshues, mund të transformojë komplet rrugëtimin e jetës së dikujt tjetër”, deklaroi kreu i Bashkisë.

Veliaj shprehu një mirënjohje të veçantë për bashkëshorten e Betimit Muços, Martën, e cila po çon përpara misionin e tij, por edhe duke dhënë ndihmën e saj për edukimin dhe promovimin e nxënësve më të mirë të shkollës “Betim Muço”.

 “Unë dua të falënderoj shumë Martën sot. Kontributi i saj për ta përkthyer pavdekësinë e Betimit, veprën e tij, për atë që do mbahet mend, duke ia besuar Arbenit që sot na jep edhe një imazh si një kujtesë konstante, teksa kalojmë në këto korridore, kur hyjmë dhe kur dalim për çfarë do të thotë të mbahesh mend, të lësh emër, siç themi ne në Shqipëri dhe të japësh një kontribut që jeton shumë më shumë se sa vitet e tua biologjike”, deklaroi Veliaj.

Gjatë kësaj ceremonie u shpërndanë edhe bursa për nxënësit më të mirë të shkollës “Betim Muço” në fizikë dhe letërsi.

SHKARKO APP