“Peshku i madh”

Thoma Goga

Nga Thoma Goga

Një ditë, si pa pritur e pa kujtuar, plaka ime më porositi të blej një peshk. “Po të madh, më tha, se ai s’ka hala”. Çudi, vrisja mendjen unë, me këtë pension që marrim ne, s’na bie të marrim asnjë korrobace. Nejse, shkova. Pazari ziente nga gjullurdia.

Hajde biza, shtiza, karfica kemi,- bërtiste një zejtare rome që i ka duart e arta.

Sita të mira e të lira, – ia priste një tjetër.

U shtyva ca më tej se këto s’më hynin në punë. U shtyva andej ku shiteshin gjë e gjallë.

Një peshkatar kishte vendosur një govatë të madhe druri që më shumë ngjante si lundër.

Peshk i gjallë, peshk i gjallë, – reklamonte peshkatari.- Bujrum myshteri!

Dhe vërtetë peshku i gjallë bënte valle – rrethçe. U afrova dhe po shikoja. Shikoja dhe mendoja se kë mund të merrja. Gati humba në mendime.

Urdhëro!- Foli peshkatari. Zëri i tij më solli në terezi.

Është i freskët?- pyeta kot.

Zotëri, i ke sytë në ballë, nuk e shikon që është i gjallë.

Ore peshkatar, të gjallë e kam dhe plakën në shtëpi, po nuk është e freskët… – ia ktheva hazërxhevap. Qeshi peshkatari që e kuptoi ku e vërvita llafin. Qesha dhe unë.

Dua peshkun më të madh, e kam porosi nga plaka.

Çudi, – tha peshkatari,- atë të madhin e hanë vetëm “të mëdhenjtë”. Ata s’pyesin për çmimin dhe për kandarin…

Nejse. Mora atë që më tha peshkatari, i cili e di mirë sa e kam kuletën dhe sa ma “ngre kandari”… Kuptohet, mora një të vogël se edhe çmimi ishte më i mirë. Ngjitur me peshkatarin, syri më kapi dy qenë. Një të vogël e një të madh. Ai i madhi kishte varur veshët, kurse të voglit i picërronin sytë. Prush i gjallë.

Për të shitur i ke nxjerr? – pyeta shitësin që e njihja.

Në Pazar për të shitur kam dalë,- ma ktheu ai.- Kush të pëlqen?

Ja, ky i madhi sa e ka çmimin?

2000 lekë

Po ky i vogli ?

4000 lekë.

Ky i vogli dyfish, pse kaq shumë?!

E po, ky është qen bir qeni…

Pas këtij dialogu fillova të meditoja. Peshku i vogël ishte më i lirë, kurse qeni më i vogël ishte më i shtrenjtë. Peshku i madh që mund ta hanë vetëm “të mëdhenjtë”, ishte më i shtrenjtë. Të ketë dhe ky lidhje me fjalën “peshk (a) qen”? Mbase, edhe ky duhet të jetë peshk “qen bir qeni”.

Nejse. Në darkë plaka e skuqi dhe e ndau në tre pjesë, se tre jemi në shtëpi. Unë, plaka dhe qeni i oborrit. Asaj pjatës time i shtova dy koqe ulli dhe një qepë. Vura para dhe një dopo raki dhe e mora shtruar-shtruar.

Sa mirë që morëm edhe ne një herë peshk. Na paska vajur në tru, – më tha plaka.

Atë natë nuk do ta harroj. Jo vetëm se hëngrëm peshk, po atë natë kam parë tmerr, mo. Tmerr, të thom. Sa më zuri gjumi, m’u vardis një ëndërr e mallkuar. Një peshk i madh, po tri herë më i madh se unë, më hipi sipër si i tërbuar.

Po ç’keni me mua, o njerëz?- ulërinte me dhëmbët si sharrë. – “Peshku i madh” andej, “Peshku i madh” këtej. Në gazeta, në televizione, në ambasada, në institucione… Kot e kanë. S’na kapin dot. Ne peshqit e mëdhenj jemi rracë e shtuar. E keni parë detin? Është plot. E kemi pasurinë tonë detin. Ja, me hipotekë të rregullt. Ne s’vemi në ambasada të marrim viza, s’pyesim për atë sistemin HAM-TUM-TIM. Sa të kemi detin, s’pjedhim për shtetin…  Tani do t’u ha të gjithëve…Ty do të ha të parin.

Aman,- i lutesha,- unë nuk jam as peshkatar, as gjahtar, as gjyqtar, as ambasador, as prokuror…Fundja, më ha të dytin. Të respektojmë gratë…Si thua ti? Nxirrja fjalë si nëpër ëndrra me shpresë se do më linte.

Jo do t’u ha të dyve njëherësh…

Ndihmë, thirra, ndihmë! Dhe në ndihmë më erdhi një e lehur qeni. E lehura sa vinte dhe shtohej. Keni parë që edhe peshku i madh iku. Hapa sytë. O zot, shyqyr që paskam qënë në ëndërr. Isha bërë ujë me djersë. Mirëpo e lehura e qenit s’kishte qënë në ëndërr. Lehte vërtetë qeni i shtëpisë në oborr. Kishte të drejtë, s’kish faj. Atë natë kisha bërë një gabim; nuk ia kisha çuar racionin e peshkut Balos tim. Duke i kërkuar falje qenit, ngrita sytë nga qielli.

Aman o Zot, – pëshpërita, – pse nuk më bëre edhe mua “peshk të madh”?! Mbase do kisha bërë edhe unë ndonjë plaçkë…

SHKARKO APP