Petrit Kumi, fotografi në kohën e diktaturës
Petrit Kumi, me një karrierë gjysmëshekullore në fotografinë e shtypit, është sot i fundmi i një plejade fotografësh shqiptarë, që ruan ende emocionet dhe sfidat e një kohe tjetër të fotografisë, krejt e ndryshme nga kjo e sotmja. Atëherë asgjë nuk ishte digjitale, e çastit. Përkundrazi, rezultati i shkrepjes së kërkuar vinte pas orësh të tëra pritje në dhomën e errët.
“Puna krijuese në dhomën e errët”, kujton Kumi, “zhvillimi i negativëve dhe fotografisë nëpër bacinela do të mbetet për mua një kujtim i përhershëm gjatë gjithë karrierës sime në fotografi, një përvojë e jashtëzakonshme dhe e papërsëritshme, unike në llojin e vet”.
“Kam qenë pjesë e atij grupi krijuesish te fotografisë shqiptare që i dha jetë artit fotografik në ato vite, duke e zhvilluar brenda mundësive që kishim. Nëpërmjet kësaj përvoje jam njohur me fotografinë e vërtetë si shkencë dhe si art”, shton ai. “Mbi të gjitha, ishte koha kur arti i fotografisë, ashtu si dhe të gjitha artet e tjera në vend, zhvillohej krejt ne kushtet e një lirie të cunguar, që kufizonte frymëzimet e bukura dhe të natyrshme të shpirtrave të lirë artistikë, për t‘i ndrydhur ato në thellësitë më të mëdha të ndërgjegjes, për një kohë të gjatë. Aq sa jeta e një njeriu të mos mjaftojë për t‘i rinxjerrë më prej andej”.
Mjeshtri Petrit Kumi nuk harron se kur e morën për herë të fundit për të fotografuar Enver Hoxhën, ka pritur 12-13 ditë në atë dhomën që kishte krijuar për realizimin e fotos.
“Mesa duket ai refuzonte ose ishte i pamundur nga pikëpamja shëndetësore. Të shtëpisë më thonin, ja tani do e bëjmë, e kur shkonte ora dy më thonin hajde nesër. E kështu shkoi dita-ditës. Kur erdhi ajo ditë, dita 12, ai erdhi, u ul aty, ishte shumë i kontraktuar. Bëra shumë shkrepje, por vetëm e para ishte më e pranueshme. Është ajo që është botuar në revistë”, rrëfen Kumi.
Duke iu referuar periudhës që ai fotografoi, e di se kishte plot anë të tjera të realitetit shqiptar, të cilat ai nuk mund t’i fotografonte, pasi kjo binte ndesh me politikën e kohës.
“P.sh., unë nuk kam fotografi nga radhët e njerëzve që prisnin të merrnin vajguri, apo të atyre që mbanin radhë për të marrë bukën. Nuk kisha interes të nxirrja shishet e qumështit apo radhët e mëdha se kjo binte në kundërshti edhe me idetë e partisë, e ja ku del politizimi dhe mund të gjobiteshe”, tregon artisti i fotografive.
Ndaj dhe shumëçka që lidhet me anët më të errëta të një realiteti të dukshëm e të padukshëm të asaj kohe, do të mbetet e fiksuar vetëm në memorien e disa brezave që u privuan të dëshmojnë lirisht kohën e tyre, me të gjitha anët e saj. /Top Channel/