Pianistja Idil Biret mahnit publikun shqiptar
Pianistja e njohur turke Idil Biret, solli në skenën shqiptare veprat më të bukura të kompozuara ndonjëherë.
Në ditët që lamë pas, artdashësit shqiptar patën kënaqësinë e veçantë të shijojnë koncertin recital të pianistes turke Idil Biret, e njohur në mbarë botën për suksesin e padiskutueshëm dhe karrierën e gjatë, dedikuar muzikës dhe pianos.
Pianistja e njohur Turke Idil Biret, e cila solli magjinë në skenën e teatrit “Turbina”, interpretoi për të apasionuarit e muzikës klasike një repertor të pasur me veprat më të bukura të kompozuara ndonjëherë.
E ftuar në Shqipëri për herë të parë, nëpërmjet interpretimit të saj në piano të veprave të përzgjedhura me shumë kujdes enkas për artdashësit shqiptar, konfirmoi se është një legjendë e pianos.
E vlerësuar si pianistja e parë në botë që ka regjistruar të gjitha koncertet e Chopin, pianistja Idil Biret, ka regjistruar 130 albume në të cilat përfshihen vepra të Schumann, Brahms, Rachmaninoff e mjaft kompozitorë të tjerë të veprave pianistike.
Për pianisten Biret, emocioni përfaqëson një dashuri të madhe për muzikën drejt zbulimit të diçkaje të re. Sipas saj në skenë ka vetëm një gjë të rëndësishme, interpretimi i të gjitha detajeve si një i vetëm dhe me kreativitet.
Pas suksesit të padiskutueshëm në skenën shqiptare pianistja turke Idil Biret do të interpretojë në koncertin e saj të radhës në Angli e shoqëruar edhe nga orkestra, një koncert i cili do të incizohet në disk. Në përfundim të koncertit të saj të parë në Shqipëri shprehu kënaqësinë e veçantë që iu dha mundësia të interpretonte në skenën shqiptare dhe cilësoi se njeriu çdo ditë mëson diçka të re e për këtë kreativiteti duhet nxitur gjithmonë.
İdil Biret rregjistrimin e saj të parë e ka bërë në vitin 1959 teksa luante pjesë nga Brahms dhe Schumann. Gjatë karrrierës së saj 60 vjeçare ka fituar shumë çmime, përfshirë “Grand Prix du Disque Frederic Chopin” dhe “Diapason d’ Or”.